E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fakultetet, 6 degë të reja në Tiranë, Korçë e Vlorë

Universitetet e Tiranës, Vlorës dhe Korçës do të ofrojnë për vitin e ri akademik degë të reja studimi. Vendimi u mor dje nga qeveria. Për herë të parë futet si degë në fakultetin e Gjuhëve të Huaja në kryeqytet, programi i studimeve për gjuhën spanjolle. 

Zirina Llambro

Sipas Ministrisë së Arsimit, e cila ka propozuar ndryshimet, kjo gjuhë ka një shtrirje të madhe gjeografike e për rrjedhojë përbën një risi, pasi nga studimet e kryera ka rezultuar që pëlqehet nga të rinjtë shqiptarë. Por sakaq një tjetër ndryshim i rëndësishëm është edhe ndarja e degës Filozofi-Sociologji në dy programe të veçanta studimi. Dega aktuale në fakultetin e Shkencave të Natyrës ,do të mbyllet duke u hapur kështu dy të reja. Në këtë mënyrë, sipas Ministrisë së Arsimit, diplomimi do të jetë më cilësor dhe më i përshtatshëm për kushtet e tregut. “Studentët e regjistruar në programin e studimit Filozofi-Sociologji, pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, do t’i vazhdojnë studimet në këtë program studimi për kohëzgjatjen normale të tij”, thuhet në vendim. Nga sa është përcaktuar, studentët mbetës do të marrin një diplomë në vartësi të afateve të studimeve të tyre dhe të programit të studimit Filozofi ose Sociologji. Kohëzgjatja e secilit program do të jetë 3 vjet me 180 kredite. Në përfundim të secilit lëshohen diplomat përkatësisht “Diplomë e nivelit të parë në Filozofi”, “Diplomë e nivelit të parë në Sociologji” dhe “Diplomë e nivelit të parë në Gjuhë Spanjolle”. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi do të përballohen nga fondet e buxhetit të miratuara për Universitetin e Tiranës pa efekte buxhetore shtesë. Sipas ministrisë, këto programe të reja studimi do të krijojnë mundësi për të studiuar në degë të reja studimi.
Korça e Vlora 
Dy vendime të veçanta miratoi gjithashtu qeveria për hapjen e degëve të reja në universitetin “Fan S. Noli”, Korçë dhe universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë. Kështu në fakultetin e Mësuesisë të Universitetit të Korçës do të hapen programe të studimit Matematikë-Fizikë dhe Matematikë-Informatikë.
Kohëzgjatja e secilit program do të jetë 3 vjet, me 180 kredite. Për rrjedhojë do të mbyllet pranë universitetit “Fan S. Noli”, Korçë, në fakultetin e Mësuesisë, të programit të studimit Matematikë. “Studentët e regjistruar në programin e studimit Matematikë, para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, do t’i vazhdojnë studimet në këtë program studimi për kohëzgjatjen normale të tij”, përcakton vendimi. Kjo kategori do të marrë një diplomë, në varësi të afateve të studimeve të kryera dhe programit të studimit të ciklit të parë Matematikë-Fizikë, ose Matematikë-Informatikë, të përzgjedhur prej tyre. Ndërsa  në Universitetin e Vlorës, në fakultetin e Shkencave Teknike, do hapen programet e studimit me kohë të plotë Informatikë, Matematikë, me dy drejtime, Matematikë dhe Matematikë-Fizikë dhe Inxhinieri Mekanike, me dy drejtime, Inxhinieri Mekanike dhe Inxhinieri Navale. Sipas vendimit, pranë fakultetit të Shkencave Teknike, do të mbyllen degët e studimit Inxhinieri Navale dhe Matematikë-Fizikë. “Studentët e regjistruar në programet e studimeve Inxhinieri Navale dhe Matematikë-Fizikë para hyrjes në fuqi të këtij vendimi do t’i vazhdojnë studimet në këto programe studimi, për kohëzgjatjen normale të tyre”, citohet në vendim. Studentët mbetës në këto programe studimi do të marrin diplomën, në varësi të afateve të studimeve të kryera.

deget e reja

Universiteti i Tiranës

Fakulteti i Gjuhëve të Huaja
Dega Gjuhë Spanjolle

Fakulteti i Shkencave Sociale
Filozofi
Sociologji

Universiteti “Fan S. Noli”, Korçë

Fakulteti i Mësuesisë
Matematikë-Fizikë
Matematikë-Informatikë

Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë

Fakulteti i Shkencave Teknike
Informatikë
Matematikë, me dy drejtime,
(Matematikë dhe Matematikë-Fizikë)
Inxhinieri Mekanike, me dy drejtime,
(Inxhinieri Mekanike dhe Inxhinieri Navale)

Berisha: Risi hapja e universiteteve private

Dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave u miratua edhe hapja e disa universiteteve private. Kryeministri Berisha e vlerësoi hapjen e universiteteve private dhe degëve të reja si një risi dhe një hap të rëndësishëm në zhvillimin e arsimit në vend.  “Sot shqyrtojmë disa vendime të rëndësishme për hapjen e universiteteve private dhe degëve të reja në universitetet publike të vendit. Hapja e universiteteve private dhe e degëve të reja në ato publike është risia e kësaj mbledhjeje”, u shpreh Kryeministri. Edhe në deklaratat e tij të mëparshme Kryeministri Berisha ka vlerësuar hapjen e universiteteve private në vend. Por sipas tij, ato duhet të plotësojnë standardet dhe të lëshojnë diploma vërtet të vlefshme. Arsimi është ndër prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare.

Këshilli i Arsimit të Lartë,qeveria miraton rregulloren

Këshilli i Arsimit të Lartë dhe shkencës (KALSH), do të funksionojë sipas një rregulloreje në përputhje me ligjin e Arsimit. Këshilli i Ministrave i dha ok vendimit të propozuar nga Ministria e Arsimit. Qëllimi i rregullores është mbarëvajtja e veprimtarisë së (KALSH), si organ këshillimor i Ministrisë së Arsimit dhe Këshillit të Ministrave për politikat e zhvillimit në arsimin e lartë. Rregullorja ka përcaktuar mënyrën sesi do të ushtrojë detyrat dhe misionin e vet këshilli duke u ndarë edhe në grupe më të vogla brenda tij, apo duke thirrur nëse do të lindë nevoja edhe ekspertë të fushave të veçanta, të cilët nuk janë pjesë e këshillit. Gjithashtu është përcaktuar edhe një sekretariat teknik, i cili do të organizojë punën dhe do të ndihmojë këtë këshill në ushtrimin e aktiviteteve të tij sipas kompetencave. Për rregulloren e re është përdorur modeli italian, me konsultimin e një sërë juristësh në MASH. Në rregullore janë përcaktuar detyrat e kryetarit të këshillit, por edhe funksionet e mirëfillta të tij. “Këshilli formulon mendime dhe propozime lidhur me projektbuxhetin e parashikuar për arsimin e lartë dhe shkencës dhe metodologjinë e shpërndarjes së tij”, është një nga detyrat e KALSH. Gjithashtu ai do të formulojë mendime për hartimin e strategjive, kriteret e dhënies së titujve e gradave shkencore dhe çdo problem tjetër që kërkohet nga ministri i Arsimit dhe Shkencës. Në rregullore janë përcaktuar edhe kriteret për zgjedhjen e 19 anëtarëve të këshillit. “Anëtarët ekspertë në këshill zgjidhen për një mandat 7-vjeçar pa të drejtë rizgjedhjeje. Ndërkohë në këshill 15 anëtarët ekspertë të zgjedhur me konkurrim i nënshtrohen një mandati me rrotacion 3 dhe 5-vjeçar. Brenda këshillit do të ketë komisione të përhershme që do të kenë si objekt pune strategjitë dhe politikat në arsimin e lartë dhe shkencës, cilësojnë dhe organizimin e studimeve dhe autonominë universitare. Gjithashtu do të ketë edhe grupe pune të përkohshme. Në rregullore është përcaktuar gjithashtu edhe mënyra si do të organizohen mbledhjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›