E Shtunë, 31 Tetor 2026

U ridënua nga Apeli, pranga Nosh Shotajt

SHKODER – Arrestohet për një grabitje të ndodhur 3 vjet më parë, bashkëpunëtori i një prej viktimave të Malësisë së Madhe. 

Nosh Shotaj, 25 vjeç u prangos në një aksion të vështirë të policisë së Malësisë e Madhe dhe Shkodrës, pasi ndaj tij ishte dhënë vendimi i dënimit me 6.8 vjet burg. Shotaj u akuzua se bashkë me Ton Ulajn, ekzekutuar pak javë më parë bashkë me kushëririn e të arrestuarit, Gjergj Shotaj, kanë grabitur me armë një furgon-taksi të mbushur me cigare. Pas ngjarjes së ndodhur në prill të vitit 2005, dy personat u arrestuan, por Gjykata e Faktit në Shkodër i la të lirë për mungesë provash. Apelimi i çështjes bëri që Gjykata e Apelit në Shkodër të japë dënimin me 6 vjet e 8 muaj heqje lirie për Shotajn, në mungesë. Vendimi i marrë në shkurt të këtij viti ka bërë që policia të nisë kërkimet për personin e dënuar. Në bazë të informacioneve është mësuar se 25-vjeçari ndodhej i strehuar në një zonë të thellë malore në Bratosh të Malësisë së Madhe. Forcave të policisë u është dashur që të udhëtojnë në këmbë për disa orë për t’iu afruar vendndodhjes së të riut, duke bërë rrethimin e zonës. Thirrjeve për t’u dorëzuar, Shotaj i është përgjigjur pa rezistencë, duke u transportuar drejt dhomave të paraburgimit në Shkodër. Personi tjetër që grabiti furgonin ishte Ton Ulaj, por ky i fundit mbeti i vdekur pas një përplasjeje me armë në fshatin ku jetonte.                                                                                               r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›