E Diel, 1 Nëntor 2026

Pedofili britanik Brown, Prokuroria: Prova, 3 mijë fotografi të abuzimeve

TIRANE - Gjykata e Tiranës vendosi dje të rrëzonte kërkesën e anglezit David Brown për përjashtimin nga procesi të gjyqtarit që po shqyrton dosjen e tij. 

Brown dhe mbrojtësja e tij e kërkuan një javë më parë largimin e gjyqtarëve të çështjes me pretendimin se kreu i trupit gjykues nuk ka fëmijë dhe si i tillë nuk mund të kuptonte veprimet e Brown në fondacionin "Fëmijët e tij". Gjyqtarja që përcaktoi shorti elektronik i gjykatës pas shqyrtimit të pretendimeve të Brown vendosi dje t'i rrëzonte. Shqyrtimi i kërkesës së mbrojtjes për përjashtimin e gjyqtarit u bë shkak që të mos zhvillohej seanca e radhës në procesin ku anglezi Brown 52-vjeç, akuzohet për "kryerjen e marrëdhënieve seksuale me të mitur". Tashmë, seanca e radhës së këtij procesi pritet të zhvillohet pas një jave kur është caktuar që Prokuroria të depozitojë në gjykatë provat shkresore dhe shkencore në ngarkim së të pandehurit. Pritet gjithashtu që, gjykata të administrojë veç të tjerash, edhe një sasi fotografish të bëra gjatë ekspertimit të fëmijëve të abuzuar, për të cilët akuzohet Brown dhe dy miqtë e tij, greko-anglezi Dino Christodoulu dhe skocezi Robin James Arnold. Të dy këta po gjykohen në një proces tjetër, pasi u ekstraduan nga Londra pak ditë më parë me kërkesë të Prokurorisë shqiptare. Të miturit e dëmtuar që u pyetën në gjykatë me anë të videokonferencës pak ditë më parë akuzuan tre anglezët për dhunimin e tyre, ndërsa pritet që në të njëjtën mënyrë të pyeten edhe gjatë procesit të pritshëm dy miqtë e Brown.           fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›