E Diel, 1 Nëntor 2026

“Nuk u qëllua mbi helikopterin, fluturimi mbi zonat turistike”

GJIROKASTER - Asnjë helikopter apo objekt tjetër ajror nuk është qëlluar nga banorët e fshatit Lazarat mesnatën e së hënës. 

Këtë fakt konfirmojnë burimet zyrtare të policisë së Gjirokastrës. Pas publikimit në disa media se një helikopter është qëlluar nga disa banorë të fshatit problematik për policinë, ka qenë i menjëhershëm reagimi i policisë së Gjirokastrës. Sipas burimeve zyrtare pranohet se ka pasur të shtëna armësh në mesnatë, por në shënjestër të tyre nuk ka qenë ndonjë helikopter apo objekt tjetër ajror. Sipas policisë, të shtënat janë dëgjuar rreth orës 23:30 të dy ditëve më parë. Ato kanë qenë krisma të veçanta, por edhe breshëri automatike. “Asnjë helikopter nuk ka fluturuar në lartësi apo dhe në kuotë të ulët në fshatin Lazarat gjatë mesnatës së të hënës. Rreth orës 17:30, një helikopter civil, i cili kryente fluturime me lejen e autoriteteve shqiptare për promovimin e turizmit, ka fluturuar mbi qytetin e Gjirokastrës dhe ka kaluar mbi fshatin Lazarat për në drejtim të Sarandës, por s’ka pasur asnjë një të shtënë me armë zjarri nga ana e banorëve të fshatit Lazarat në drejtim të helikopterit”, kanë sqaruar burimet zyrtare të policisë. Mësohet se pas dëgjimit të të shtënave, të cilat kanë zgjatur rreth 45 minuta, policia ka evidentuar vendndodhjen e krismave të ardhura dhe ka kryer veprimet fillestare për të identifikuar autorët dhe kapjen më pas të tyre. Nga informacione të siguruara në rrugë jo zyrtare kanë qenë tre të rinj nga Lazarati të cilët qëlluan në ajër duke shkaktuar panik tek banorët. Ndërkohë në një deklarim për gazetën “Panorama” kreu i komunës së Lazaratit, Dasho Aliko, ka mohuar ekzistencën e helikopterit në Lazarat, duke mbështetur rrjedhimisht deklaratën zyrtare të policisë së Gjirokastrës. Ndërsa për krismat e armëve, ai ka ftuar policinë të bëjë detyrën që i takon për të vendosur rendin dhe qetësinë publike në fshat, duke identifikuar autorët dhe ndëshkuar ata sipas ligjit. Ngjarja e djeshme risolli në mendjen e policisë së Gjirokastrës ngjarjen e ndodhur më 18 gusht të vitit 2004 kur një helikopter i forcave italiane ajrore të NATO-s që ishte duke patrulluar mbi Lazarat për evidentimin e parcelave me kanabis u qëllua me armë automatike nga toka.                              p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›