E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat e Gjonboçarëve, Strasburgu gjobit qeverinë

Shkelja e procedurave gjyqësore në një proces të zhvilluar në gjykatat shqiptare, do i kushtojë qeverisë 49 mijë euro. Ky është vendimi i Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg, shpallur më 23 tetor të vitit të kaluar dhe që afati i fundit për ekzekutimin e tij është 20 qershori. 

 Në bazë të këtij vendimi qeveria ka vendosur së fundmi ekzekutimin e tij, duke dëmshpërblyer palën kërkuese në shumën e 49 mijë eurove. Madje në lidhje me këtë, është vendosur që autoriteti përgjegjës për ekzekutimin e tij është Ministria e Financave. Më tej, qeveria ka vendosur se shuma prej 49 mijë të depozitohet në njërën nga bankat e nivelit të dytë, në emër të ankuesve "Gjonboçari e të tjerë", dhe të konvertohet në lekë me kursin e këmbimit të bankës, ku është depozituar shuma në ditën që do të çelet llogaria. Më tej, thuhet se të gjitha procedurat do të ndiqen nga Ministria e Financave dhe ajo e Punëve të Jashtme. Të shtatë ankuesit në Strasburg janë motra dhe vëllezër, prindërit e të cilëve kishin në pronësi disa ngastra toke, në bregdetin e Vlorës, që në total llogariten në 132 hektarë tokë, të cilat u konfiskuan nga regjimi komunist. Problemet me drejtësinë atyre u kanë nisur menjëherë pas rrëzimit të sistemit komunist kur në vitin 1994, i kanë kërkuar Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Vlorë, rikthimin fizik të sipërfaqes së pronës së tyre. Në mars '94, 7 anëtarët e familjes Gjonboçari depozituan një kërkesë në KKKP të Vlorës, i cili dy vjet më vonë, në gusht '96, i njohu atyre si pronë, 14 hektarë, nga dy hektarë për person nga toka që u qe konfiskuar prindërve të tyre. Vendimi u firmos nga katër prej shtatë anëtarëve në KKKP. Në bazë të vendimit të komisionit, ata mësohet se kanë regjistruar pronën në Kadastër. Në vitin 1998 ata i bënë kërkesë KKKP së Vlorës për lëshimin e një dokumenti të ri, i cili do të përputhej me kërkesat e ligjit. Një javë më vonë, në fillim të vitit 1999 kreu i këtij institucioni iu kthen përgjigje ankuesve duke iu informuar, se Komisioni tashmë e kishte marrë vendimin mbi statusin e pronës së tyre, me vendimin e '96-ës, i cili i njihte ankuesit si pronarë të ligjshëm të pronave. Gjithashtu, ai ka pohuar se, në bazë të ligjeve në fuqi të asaj kohe, ndreqja e dokumenteve zyrtare të Komisionit, i takonte gjykatave. Ndërkohë në vitin 1996 Ministria e Turizmit, ka lëshuar me qira për një qytetar një ngastër toke, për t'u përdorur për turizëm, brenda pronës, e cila u qe njohur ankuesve nga KKKP, Vlorë. Ndërkohë në dhjetor 1997 ata paraqitën një padi në Gjykatën e Tiranës, ku kërkonin anulimin e vendimit të Ministrisë. Në shkurt 1998 kjo gjykatë anuloi vendimin e Ministrisë me arsyetimin, se transaksioni kishte të bënte me një pronë private, por gjashtë muaj më vonë Apeli i kryeqytetit prishi vendimin e Faktit dhe njohu si të vlefshëm dekretin e Ministrisë, duke deklaruar se vendimi i komisionit kishte qenë i paligjshëm për arsye se, nuk përputhej me kërkesat ligjore; si rrjedhim kërkuesit nuk mund të pretendonin të drejtat mbi pasurinë. Një vit më vonë Gjykata e Lartë ka vendosur në favor të kërkuesve, duke e rikthyer çështjen në Apel.
 Pak muaj më vonë Apeli i Tiranës, gjatë procesit të rigjykimit, rrëzoi padinë e ankuesve me arsyetimin se padia civile e depozituar në Fakt ishte paraqitur jashtë afatit një mujor të depozitimit. Ndërkohë në 2001, Gjykata e Lartë la në fuqi këtë vendim. Kjo bëri që kërkuesit të mospranonin asnjë nga vendimet e gjykatave shqiptare dhe pasi kanë konsumuar edhe Gjykatën Kushtetuese e kanë dërguar çështjen në Strasburg, ku më në fund u vendos në favor të tyre.                           fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›