E Diel, 1 Nëntor 2026

PS-ja depoziton “dosjen e zezë” të zgjedhjeve te faktori ndërkombëtar

Selia rozë informon Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, të NATO-s dhe KE-së për parregullsitë

Shaban Sulçe

Partia Socialiste informon zyrtarisht faktorin ndërkombëtar për manipulimet dhe deformimet që pësoi procesi i zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Ashtu siç ishte paralajmëruar disa ditë më parë nga zyrtarët socialistë, selia rozë ka depozituar pranë asambleve parlamentare të OSBE-së, NATO-s dhe Këshillit të Europës “dosjen e zezë” të zgjedhjeve, e cila përmban të gjitha parregullsitë e konstatuara dhe të dokumentuara nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste gjatë dhe pas procesit të votimit.

Ndërkombëtarët

Sekretarja Ndërkombëtare e Partisë Socialiste, Arta Dade, tha se materiali që përmban parregullsitë e konstatuara i është dërguar Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, përfshirë edhe grupimeve socialiste dhe socialdemokrate brenda këtyre organizmave. “Sigurisht që nuk është një risi që Partia Socialiste, ashtu sikurse ka vepruar në vazhdimësi në të gjitha veprimet e saj politike, ka venë në dispozicion të partnerëve tanë ndërkombëtarë një material, i cili shpreh të gjitha parregullsitë e konstatuara nga përfaqësuesit tanë para fushatës elektorale, gjatë fushatës elektorale, ditën e votimit dhe mbas votimit, pra përkatësisht në kohën që numëroheshin votat. Unë kam qenë këto ditë në takime me përfaqësues të Trupit Diplomatik dhe sigurisht, materiali që ne u kemi vënë atyre në dispozicion është duke u studiuar prej tyre. Njëkohësisht materiali është dërguar te të gjithë partnerët edhe parlamentet, sikurse është Asambleja Parlamentare e OSBE-së, Asambleja Parlamentare e NATO-s, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, përfshirë këtu edhe partnerët tanë të grupimeve socialiste dhe social-demokrate, brenda këtyre organizmave”, - tha Dade.

Raporti
Ky veprim politik i PS-së synon jo vetëm informimin e faktorit ndërkombëtar për parregullsitë, por edhe përfshirja e këtyre kontestimeve në raportet përfundimtare që ata do të hartojnë për vlerësimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit në Shqipëri. Mbi bazën e këtyre raporteve, Partia Socialiste mund të bazojë edhe veprimet e saj të mëtejshme. “Ne presim me qetësi raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR-it, për të pasur më në konsideratë atë çka ata do të shprehin, por gjithsesi edhe për të artikuluar veprimin tonë politik”, - tha sekretarja e Partisë Socialiste.

“Dosja e zezë”

Një javë pas përfundimit të procesit zgjedhor të 28 qershorit, Partia Socialiste la të nënkuptohej se nuk do ta njihte rezultatin, pasi, sipas saj, u ishin bërë manipulime të mëdha votave të shqiptarëve. Selia rozë u shfaq e bindur duke deklaruar se ishte dëmtuar jashtëzakonisht si rezultat i manipulimeve të kryera nga makineria shtetërore dhe për këtë arsye ajo la të nënkuptohej se nuk do t’i njihte zgjedhjet. Për të argumentuar qëndrimin e saj politik përpara faktorit ndërkombëtar, Partia Socialiste nisi procesin e hartimit të “dosjes së zezë”, e cila përmban provat e cenimit të votave dhe deformimit të vullnetit të zgjedhësve. Për këtë arsye nisi procesi i gjerë i mbledhjes së informacionit për të gjitha manipulimet e ndodhura në çdo qendër votimi në të 12-të qarqet e vendit. Ky informacion është dokumentuar dhe është shoqëruar edhe me provat filmike dhe dokumentet, të cilat vërtetojnë cenimin e procesit zgjedhor. Për këtë detyrë, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ngarkoi të 140-të kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste.

Dade: “Berisha të rikthejë urgjentisht në punë të larguarit për arsye politike”

Partia Socialiste i bën thirrje kryeministrit Sali Berisha që të ndërpresë urgjentisht fushatën e largimeve nga puna për motive politike të mbështetësve dhe simpatizantëve të kësaj partie. Deputetja socialiste, Arta Dade, tha se fushata e paprecedentë, e cila ka në thelb hakmarrjen politike, po u kushton vendin e punës dhjetëra simpatizantëve dhe mbështetësve të Partisë Socialiste. Madje, sipas Dades, kjo fushatë nuk po kursen as kandidatët për deputetë të PS-së në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.
“Ky akt i paprecedent për një shoqëri demokratike, tregon edhe njëherë mentalitetin e vjetruar të përfaqësuesve të Partisë Demokratike në nivel lokal dhe qendror. Gjithashtu, jo më larg se dje, struktura të specializuara të Ministrisë së Financave vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi mbështetësit e Partisë Socialiste, pa kursyer as kandidatët për deputetë”, - vijoi ajo. Sekretarja ndërkombëtare e selisë rozë theksoi se shqetësimet lidhur me këtë fenomen, Partia Socialiste i ka ndarë me përfaqësuesit ndërkombëtarë. Sipas Dades, është konstatuar se lista e mbështetësve të Partisë Socialiste të larguar nga puna thjesht për qëllime politike, madje që javën e parë mbas zgjedhjeve të 28 qershorit rezulton të jetë edhe më e madhe sesa ajo që i është vënë në dispozicion Trupit Diplomatik nga ana e Partisë Socialiste. “Unë dua të falënderoj partnerët tanë ndërkombëtarë, që nga ana e tyre e kanë konstatuar këtë gjë, duke venë në funksionim edhe mjaft shoqata joqeveritare, që janë të angazhuara në mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, - u shpreh deputetja socialiste. Në emër të PS-së Dade i bëri thirrje kryeministrit Berisha që të rikthejë urgjentisht në punë të larguarit për motive politike. “Njëherazi i bëj thirrje Sali Berishës që në rast se nuk është ai që e ka dhënë këtë urdhër për largimin e mbështetësve të Partisë Socialiste, t’i udhëzojë përfaqësuesit e tij në nivel lokal, të rikthejnë urgjentisht në punë të gjithë ata që janë larguar për motive thjesht politike, për shkak të mbështetjes së Partisë Socialiste, apo të përfaqësimit të saj në nivel komisionerësh apo të grupeve të numërimit”, - tha deputetja socialiste.

6 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›