Spiropali: “Do ta hedhim në gjyq Berishën për shpifjet e bëra ndaj Edi Ramës”
Partia Socialiste i cilëson të turpshme deklaratat e bëra nga kryeministri Sali Berisha dhe nga kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli në drejtim të kryesocialistit Edi Rama. Kandidatja për deputete e PS-së, Elisa Spiropali, deklaroi dje se Partia Socialiste do të padiste në gjykatë kryeministrin Sali Berisha për shpifjet e bëra në drejtim të Ramës dhe deklaratës së pasurisë së tij. “Turp dhe trishtim njëkohësisht që Sali Berisha, Jozefina Topalli dhe Partisë Demokratike duhet të shpifin kaq shumë për të mbuluar diellin me shosh! Deklarimet e pasurisë familjare të Sali Berishës janë marramendëse dhe pas tyre fshihen pasuri të padeklaruara edhe më marramendëse, para të zeza me të cilat u ble shumë varfëri fshatrave edhe më 28 qershor, të cilat janë ogurzeza për demokracinë. Sali Berisha flet për Shqipërinë dhe pasuron vetëm familjen e tij, e cila sot e ka kapur shtetin si asnjëherë më keq. Ndërsa akuzat për të ashtuquajturat pasuri të Edi Ramës do t’i shkojnë gjykatës, duke e ftuar Sali Berishën të paraqesë provat”, - tha Spiropali.
Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Partisë Demokratike me anë të zëdhënëses Erla Mëhilli, e cila tha se turpi nuk është për Berishën, por për Ramën, që ka deklaruar se ka kursyer vetëm 40 mijë lekë në deklaratën e pasurisë së tij. “Zonjushëza Spiropali me sa duket ka marrë për mision avokatinë e humbësit të madh Edi Rama për qytezën Delijorgji, për 70% të lejeve të dhëna studiove të Shkrelit dhe Eftimit, objekt i hetimit të Komisionit Parlamentar. Turpi është për zotin Rama, që tallet me shqiptarët dhe deklaron se pasuria e tij është në limitet e varfërisë. Zoti Rama, në deklaratën e depozituar, ka deklaruar se ka 400 000 lekë të vjetër të kursyera nga paga në llogarinë e tij bankare. Pra praktikisht z.Rama deklaron se ka në llogari aq sa ka pagën mujore një punonjës i thjeshtë në bashkinë e tij”, - tha Mëhilli.
6 Gusht 2009