E Shtunë, 31 Tetor 2026

David Brown mbrohet në gjyq: Jam impotent

David Brown këmbëngul në pafajësinë e tij, duke përdorur argumente që lidhen me gjendjen e tij fizike. Në seancën e radhës të procesit ndaj britanikut 51-vjeçar, që u zhvillua dje në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet, trupi gjykues ia ka dhënë fjalën të pandehurit dhe mbrojtjes së tij për të bërë disa deklarime. "Nuk kam abuzuar me fëmijët, pasi unë jam impotent dhe nuk ka asnjë mundësi që të kem kryer marrëdhënie seksuale me ta", mësohet të ketë thënë në sallën e gjyqit ish-drejtuesi i qendrës "Fëmijët e Tij". Seanca është zhvilluar sërish me dyer të mbyllura, por burime konfidenciale thanë se në deklarimet e të pandehurit janë përsëritur të njëjtat argumente që janë përdorur edhe gjatë fazës hetimore. Ai ka thënë se është i pafajshëm dhe se nuk ka kryer asnjë vepër të turpshme me fëmijët, të cilët sipas tij i ka dashur shumë. Brown edhe përpara prokurorëve kishte deklaruar pas arrestimit se ishte impotent. Në të njëjtën kohë ai ka vijuar t‘ua hedhë fajin për abuzimet në qendrën që ai drejtonte, dy bashkëkombësve të vet, Dino Christodulou dhe Robin Arnold.

Pozitat e të akuzuarit për veprën penale të "marrëdhënieve seksuale dhe homoseksuale me të mitur", duket se u rënduar nga thëniet e katër dëshmitarëve të fundit të paraqitur në proces nga akuza. Dëshmitarët e mitur kishin qenë banorë të qendrës "Fëmijët e Tij" dhe kanë deklaruar gjatë procesit se Brown kishte abuzuar me ta seksualisht. Për të mbrojtur fëmijët dhe dëshmitë e tyre, gjykata u detyrua të përdorte videokonferencën për t‘i marrë ata në pyetje. Në prani të psikologes, fëmijët rrëfyen ç‘u kishte ngjarë gjatë kohës që kishin qëndruar në qendër dhe vunë gishtin e fajësisë tek i pandehuri kryesor, David Brown. Madje, njëri prej tyre arriti të tregonte detaje të trupit të drejtuesit të qendrës, detaje të cilat sipas prokurorisë do të kishte mundur t‘i shikonte vetëm duke e parë të zhveshur David Brown.

I gjendur në këto kushte, 51-vjeçari britanik ka ripërsëritur dje argumentet e tij për të mbrojtur pafajësinë. Dëshmitarët e parë që janë pyetur në këtë seancë gjyqësore, megjithëse ishin thirrur nga akuza, kishin ndryshuar thëniet e tyre në proces duke e mbrojtur Brown. Kjo e detyroi prokurorinë të kërkonte videokonferencë për katër dëshmitarët e tjerë, të cilët ishin konsideruar si shumë të rëndësishëm për këtë proces. Deri tani të gjithë dëshmitarët kanë pasur të përbashkët në thëniet e tyre, fajësinë për dy të pandehurit e tjerë që lidhen me këtë proces: Dino Christodulou dhe Robin Arnold. Këta të fundit janë në pritje të nisjes së procesit ndaj tyre, i cili u nda nga ai i David Brown, për shkak rrezikut të përfundimit të afateve të paraburgimit të tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›