Diskutohet marrëveshja për ekstradimet me Greqinë
Një marrëveshje dypalëshe për ekstradimin e shtetasve respektivë në rastet e kërkimit ndërkombëtar, pritet të diskutohet midis përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë shqiptare dhe asaj greke. Zëvendësministri Eduart Halimi së bashku me një grup ekspertësh të kësaj Ministrie ka nisur një vizitë dyditore në shtetin fqinj ku pritet të diskutojë me homologët grekë në lidhje me shtetasit shqiptarë, të cilët vuajnë dënimet aty. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë të cilat thanë për "Shqip" se në programin e vizitës është parashikuar edhe një takim me të burgosur shqiptarë që ndodhen në një nga burgjet e Athinës.
Propozimi për një marrëveshje për ekstradimin e shtetasve respektivë në rastet e kërkimit ndërkombëtar, për bashkëpunimin ndërgjyqësor dhe hetimor mes dy palëve, e ngjashme me atë që është nënshkruar një vit më parë me Italinë, duket se është objektivi kryesor i vizitës së Halimit. Sipas ekspertëve të fushës, kjo marrëveshje do të lehtësonte mjaft procedurat burokratike që janë të nevojshme në rastin e ekstradimit të personave që kanë kryer vepra penale në shtetet respektive. Nisur nga avantazhet që mund të sjellë kjo marrëveshje, pritet që pala shqiptare të marrë iniciativën e propozimit të saj. Nga Ministria e Drejtësisë nuk ka një informacion më të detajuar lidhur me rezultatet që ka pasur kjo përvojë në rastin e Italisë, por gjithsesi, ajo konsiderohet e suksesshme. Në takimet e tij, zëvendësministri i Drejtësisë pritet të diskutojë edhe lidhur me çështjet e transferimit të të dënuarve shqiptarë, modalitetet dhe afatet përkatëse. Duke synuar të njihet më nga afër me problemet që hasin të burgosurit shqiptarë në Greqi, Halimi do të takohet me disa përfaqësues të tyre në një nga burgjet më të mëdha të Athinës.