Gus Hidink: Nuk i trembemi Spanjës
Trajneri i kombëtares ruse, Gus Hidink, i ka kërkuar skuadrës së tij pa shumë eksperiencë në evenimentet madhore që të mos i trembet Spanjës. Pavarësisht se kundërshtari ka një ekip të mbushur me yje, strategu holandez ka besim se skuadra e tij mund të garojë si e barabartë në takimin e sotëm (e martë), të vlefshëm për Grupin D. Sipas organizatorëve të aktivitetit, Rusia është skuadra që në "Euro 2008" ka mesataren më të ulët të moshës së futbollistëve (26,26 vjeç), ndërkohë që në kontingjentin me 23 lojtarë vetëm Ivan Saenko (Nyremberg) aktivizohet në një skuadër që nuk është e kampionatit rus. Hidink deklaroi se skuadra e tij mund të mos ketë lojtarë me shumë famë, megjithatë shpreson që së shpejti ata të bëhen të njohur nga të gjithë sportdashësit. "Lojtarët e Spanjës janë të njohur, ndërsa lojtarët tanë jo. Shpresoj që në 24 orët e ardhshme kjo situatë të ndryshojë", tha ai në konferencën për shtyp të organizuar në stadiumin "Tivoli Neu". "Ne do të japim gjithçka në fushë, me synimin që t‘ia vështirësojmë punën spanjollëve. Nuk dëshiroj që të shoh një skuadër të frikësuar për të bërë lojën e saj, ashtu si ka ndodhur me Rusinë në kompeticionet e mëparshme". Për të përditshmen ruse "Sport Express", Hidink kishte lavdëruar portierin 22-vjeçar, Igor Akinfeiev: "E respektoj pamasë këtë lojtar dhe mendoj sinqerisht se ai mund të jetë një prej zbulimeve të Kampionatit Evropian". Ndër të tjera, gjatë konferencës përpara ndeshjes, Hidink deklaroi se shpreson që Rusia të bëjë surprizën e parë të turneut. "Shpresojmë të thyejmë ritmin e ndeshjeve të para të këtij aktiviteti... Të gjitha skuadrat favorite i kanë fituar ndeshjet e tyre të para në ‘Euro 2008‘. Pra nesër (sot), kur të përballemi me Spanjën, edhe pse e kam thënë disa herë se ata janë favoritë për të fituar, synojmë ta ndryshojmë këtë ‘modë‘". Rusia e Hidink do të debutojë në "Euro 2008" pa dy sulmuesit kryesorë. Pavel Pogrebnjak, golashënuesi më i mirë i Kupës UEFA (së bashku me Luka Tonin) u largua nga evenimenti për shkak të një dëmtimit, ndërkohë që edhe shoku i tij i skuadrës te Zenit St. Petersburg, Andrei Arshavin, i cili ka shënuar golin e fitores për Zenitin në triumfin përballë Rejnxhërs në finalen e Kupës UEFA, është i pezulluar.