E Diel, 1 Nëntor 2026

Daviddi: Integrimi i Kosovës në BE nuk do të jetë i lehtë

Procesi i integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian nuk do të jetë i lehtë. Kështu u shpreh Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Renzo Daviddi, gjatë një debati të organizuar nga Ministria e Integrimit Evropian të Kosovës me rastin e 9 Majit, Ditës së Evropës, duke shtuar se ende nevojiten reforma rrënjësore, sidomos në fushën e sundimit të ligjit.

“Procesi i integrimit në BE, siç edhe mund ta imagjinoni nuk është i lehtë. është një proces i cili kërkon lot dhe djersë. Ky proces gjithashtu kërkon vendosmëri të lartë politike. Proces i cili kërkon punë nga qeveria dhe shoqëria civile. Ne presim që lidershipi të jetë i vendosur dhe i gatshëm për zbatimin e këtij proçesi”, tha Renzo Daviddi, Shef i Zyrës Ndërlidhëse të KE-së në Kosovë.

Ndërsa, Ministri i Integrimit Evropian të Kosovës, Besim Beqaj, vlerëson se ekzistojnë edhe sfida të tjera që lidhen me çështjet politike dhe ekonomike. "Njëra ndër sfidat që kemi është bashkëpunimi rajonal dihet që Serbia duke krijuar bllokada të ndryshëm për Kosovën në fushën e bashkëpunimit ekonomisë, por është një sfidë neve duhet ta plotësojmë, pjesa tjetër e sfidave është harmonizimi i legjislacionit në të gjitha akterët ndërkombëtar që janë këtu është luftimi i krimit të organizuar, luftimi i korrupsionit ngritja e nivelit të prokurimit ngritja e zhvillimit ekonomik”, u shpreh Besim Beqaj, Ministër i Integrimit Evropian të Kosovës.

Raporti i Progresit i vitit të kaluar ka adresuar një varg kritikash ndaj institucioneve të Kosovës, sidomos për difektet e mëdha në sundimin ligjit. Edhe raporti i radhës pritet të jetë po kaq i ashpër, ku ndër kërkesat kryesore priten të jenë lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe reformimi i sistemit të drejtësisë, që janë dy kriteret kryesore për liberalizimin e vizave dhe integrimin në BE.

Bul Salihu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›