E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Davos 2”, fillon punimet Forumi Ndërkombëtar i Ekonomisë

Në Peterburg filloi të shtunën forumi i 12-të ndërkombëtar i ekonomisë. Presidenti rus, Medvedjev, tha gjatë fjalimit të tij përshëndetës, se Moska duhet që të kthehet sa më parë në qendër botërore financash. Medvedjev kritikoi në të njëjtën kohë institucione financiare si Bankën Botërore, Fondin Monetar ndërkombëtar dhe SHBA.

Kongres, bursë, panair - Forumi Ekonomik i Shën Petërbergut ka nga të gjitha diçka. Rreth 10.000 menaxherë dhe politikanë të lartë nga e gjithë bota marrin pjesë në të. Vetë rusët flasin me krenari për "Davos 2", duke u krahasuar kështu me forumin ekonomik botëror që zhvillohet atje çdo vit. Presidenti rus, Medvedjev, mbajti fjalimin përshëndetës: "Moska do të kthehet në një ndër qendrat më të rëndësishme financiare të botës dhe rubla në një ndër devizat më të fuqishme për rezervat rajonale. Këto janë elementet kyçe që garantojnë aftësinë e sistemit tonë financiar". Ndërkohë Medvjedjev kritikoi SHBA-np dhe institucione ndërkombëtare financiare duke u vënë atyre përgjegjësinë për problemet aktuale: "Vizioni se një shtet, qoftë ai edhe shteti më i fuqishëm në botë, mund të marrë përsipër rolin e një qeverie globale, është iluzion tashmë. Institucionet globale, të cilat janë përgjegjëse për politikën financiare, nuk kishin asnjë lloj influence ndaj strategjive të anëtarëve të tregut. Pikërisht diskrepanca mes rolit zyrtar që luan SHBA-s në sistemin ekonomik botëror dhe mundësive reale, ishte një ndër shkaqet kryesore që sollën krizën aktuale".

Arkat e shtetit rus janë plot, falë rritjes së çmimit të naftës dhe gazit. Qeveria ruse do të investojë miliarda dollarë nga fondet e rezervave shtetërore, si edhe të dërgojë shumë firma të fuqishme ruse, të cilat sigurisht që kontrollohen nga Kremlini, drejt Perëndimit, njësoj si me koncernin “Gazprom”. Por shtetet evropiane janë skeptike.

Sidoqoftë Medvedjev u përpoq t’i qetësojë përfaqësuesit e shteteve perëndimore, duke u munduar t’i bindte ata se firmat ruse u përmbahen ligjeve ndërkombëtare dhe se i respektojnë ato: "Dua të theksoj se investimet tona jashtë shtetit nuk kanë karakter spekulativ apo agresiv. Shembujt më të fundit na dëshmojnë se kur firma ruse marrin përsipër firma të huaja, jo vetëm që mbahen të gjitha vendet e punës, por krijohen dhe shumë të reja. Mbi këtë temë fola edhe gjatë vizitës sime në Gjermani".

Esther Hartbrich

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›