E Diel, 1 Nëntor 2026

De Biazi beson te mrekullia

Zvicra është superiore në vlera, por trajneri i Shqipërisë mbështetet te shpirti i djemve të tij dhe përkrahja pa kufi e tifozëve

Xhani de Biazi beson se ëndrrat mund të bëhen realitet. Shqipëria e tij fitoi me vështirësi në fund kundër Qipros, por ai beson se edhe sot, në stadiumin e Lucernës, mund të marrë një rezultat pozitiv. Kundërshtari është superior në vlera, por trajneri italian i Shqipërisë beson te shpirti luftarak i djemve të tij, si dhe te përkrahja e pafund e tifozëve kuqezi në tribuna. Si objektiv real ka vendin e katërt në grup, por pa hequr kurrë dorë nga ëndrra.

- Shqipëria fitoi kundër Qipros, por vetëm në fund. Sa i vështirë ishte fillimi i eliminatoreve?

- Ishte ndeshja e parë dhe të gjithë e prisnim të vështirë, megjithëse luanim në fushën tonë. Luftuam fort, me vendosmëri dhe suksesi ishte i merituar.

- Tani luani me Zvicrën, e cila është favorite e grupit…

- Zvicra arriti një fitore tepër të rëndësishme, ndaj një kundërshtari direkt për kualifikimin. Të fitosh në Slloveni duhet të luash shumë mirë dhe Zvicra e bëri këtë. Mendoj se edhe Sllovenia e Norvegjia do të luftojnë për tu kualifikuar, ndërsa për Shqipërinë do të ishte pozitive edhe renditja në vendin e katërt.

- Si është jeta si trajner i Shqipërisë?

- Me pesë anëtarë të stafit tim, të gjithë italianë, jam tërë kohës në veprim. Bëjmë shumë udhëtime nëpër Evropë, sepse përpiqemi ti shikojmë të gjithë lojtarët tanë nga afër. Lojtarët e kombëtares shqiptare janë të shpërndarë në disa vende të botës, Itali, Gjermani, Suedi, Ukrainë, Zvicër, deri në Iran dhe Azerbajxhan.

- Kjo jua vështirëson shumë punën…

- Shumë shqiptarë kanë emigruar në vitet 90, mjaft të tjerë janë lindur e rritur si futbollistë jashtë, ndërsa tani kanë shfaqur interes të aktivizohen me ekipin kombëtar.

- Shumë zgjedhin të luajnë për atdheun e ri, si Xhaka, Behrami, Shaqiri e të tjerë me Zvicrën.

- Ka shumë futbollistë të shqiptarë që luajnë për kombëtare të tjera. Mendoj se është mëkat të luash me dikë tjetër dhe jo për kombin tënd. Sidoqoftë, kjo mbetet një zgjedhje personale e secilit dhe skam pse ta komentoj më gjatë.

- Ballkani gjithmonë ka pasur talente, cila është arsyeja?

- Kalojnë një kohë të madhe vetëm me topin, gjë që nuk kushton dhe i argëton mjaft. Talente ka edhe në kombëtaren shqiptare, e cila ka një moshë mesatare të ulët, por mund ti gjesh edhe në kampionatin shqiptar të futbollit, ndonëse është i një cilësie të ulët. Shqiptarët ndjekin kampionatin italian, por jo atë të tyrin, ndërsa për kombëtaren është ndryshe. Kanë shumë pasion. Ndoshta një e treta e stadiumit të Lucernës do të mbushet nga tifozët tanë.

- Çfarë parashikoni për ndeshjen me Zvicrën?

- Ndeshja mund të jetë e balancuar, por diferencat do të ndihen gjatë gjithë kohëzgjatjes së saj në cilësi dhe aftësi.

- Kujt i druheni më tepër te kombëtarja juaj?

- Disiplinës taktike. Lojtarët mund të rrëmbehen nga entuziazmi, ndaj më duhet shumë punë për ti frenuar në këtë drejtim. Në këtë aspekt ne mund të bëjmë përpara duke ruajtur shpirtin luftarak dhe duke i disiplinuar.

- Ku synoni të arrini me kombëtaren shqiptare?

- Asnjëherë nuk duhet të heqim dorë, ndaj duhet të besojmë te ëndrrat. Me Shqipërinë, dua të bëj të pamundurën. Mund të ndodhë.

- Njihni mirë Xhemailin dhe Inlerin, të cilët i keni pasur lojtarë te Torino dhe Udineze.

- Të dy janë lojtarë fantastikë. Xhemaili kishte ardhur nga Boltoni në Torino. Inler ka gjithçka: fizikun, cilësinë, saktësinë. Ai flet pak, por bën shumë në fushën e lojës. Si kapiten i Zvicrës ka fituar më tepër bisedim. Është e ardhmja.

Formacioni i mundshëm

Zvicër-Shqipëri

Sot, ora 20:30, në stadiumin SwissporArena në Lucernë

Direkt në TVSH dhe SuperSport

Emocione për Kukelin, ndihet paksa zviceran

 

Jam shqiptar dhe doja vetëm Shqipërinë, por një pjesë e zemrës sime rreh edhe për Zvicrën

Ndeshja Shqipëri-Zvicër nuk do të jetë e veçantë vetëm për ata pesëshen tashmë të njohur që luan me skuadrën vendase, por edhe për Burim Kukelin. Mesfushori, i cili debutoi me fanellën e Shqipërisë kundër Qipros, nuk mendon se do të kishte bërë zgjedhje tjetër, por nuk harron as vendin ku u bë i njohur. Jam shqiptar dhe doja vetëm Shqipërinë, por një pjesë e zemrës sime rreh edhe për Zvicrën.

Do të jetë një takim i veçantë për mua, thotë Kukeli, lojtar i Zyrihut në kampionatin zviceran. Pikërisht sepse nuk e ka harruar atdheun e tij të dytë, ku jeton prej 25 vjetësh, Kukeli shprehet se i kupton plotësisht pesë shqiptarët e Zvicrës dhe nuk i sheh aspak si tradhtarë. Nuk ka asgjë të keqe që talente si Shaqiri e Xhaka kanë zgjedhur Zvicrën. Edhe unë i detyrohem shumë Zvicrës. Më vjen shumë keq për disa komente të shëmtuara që kam lexuar kundër tyre në internet, thotë 28-vjeçari.

Të veçantë sfidën personale të Kukelit kundër Zvicrës nuk e bëjnë vetëm pesë shqiptarët, por edhe turku Gëkhan Inler. Të dy janë shokë prej shumë vitesh dhe mezi po e presin këtë përballje, në fund të së cilës do të ndërrojnë edhe fanellat së bashku.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›