Hicfeld shpreson motivim nga fishkëllimat
Trajneri i Zvicrës pranon se shqiptarët e shumtë në stadium e shtien në mendime, por shton se ka një grup cilësor
Trupat e Gjeneralit Otmar Hicfeld e kanë nisur me këmbën e mbarë fushatën kualifikuese për botërorin Brazil 2014, duke fituar pastër në Slloveni. Tani pritet konfirmimi, por nuk do të jetë e lehtë. Në Lucernë përballë do të jetë Shqipëria, një kundërshtar specifik, i përkrahur nga gjashtë mijë tifozët kuqezi, presioni i të cilëve mbi kosovarët e Zvicrës është bërë tema e ditës. Hifeld pranon rrezikun, por është i bindur se kjo do ti bëjë më të fortë djemtë e tij.
- Gjashtë mijë tifozë shqiptarë në stadiumin e Lucernës, a ju shtien në mendime?
- E dimë të gjithë që kjo është një ndeshje në shtëpi, por ku duhet ti bëjmë llogaritë edhe me fishkëllimat. Skuadra është e paralajmëruar, por kështu janë edhe tifozët tanë! Prandaj u bëj thirrje të brohorasin më shumë se tifozët shqiptarë. Çfarëdo që të ndodhë, lojtarët e mi do të motivohen më tepër nga këto fishkëllimi, për këtë jam i sigurt.
- Do të luani me formacionin që fitoi në Lubjanë, përveç Barnetës që është i pezulluar?
- Ende nuk e di. Kam akoma disa dyshime dhe nuk dua të nxitohem para se të marr vendime. Mbeten disa pikëpyetje, të natyrës fizike, por edhe taktike. Ndaj nuk është e thënë që të luajmë me të njëjtin sistem si në Slloveni. A do të luajmë me një, dy apo tre sulmues? Jam ende duke u menduar.
- Pas fitores në miqësoren me Gjermaninë, Zvicra u gjunjëzua para Rumanisë. Druheni se mund të ndodhë e njëjta gjë edhe tani?
- (buzëqesh) Po ju kujtoj menjëherë se pas fitores në Kroaci fituam edhe në Slloveni.
- Sidoqoftë, nuk ju lejohen lëkundje në këto kualifikuese…
- Pa diskutim. Por kemi grup cilësor lojtarësh. Janë të aftë në kontrollin e topit dhe që ka ritëm. Përballë skuadrës shqiptare, e njohur për aftësitë fizike dhe mbrojtëse, duhet të jemi të duruar. Nuk mund të hidhemi të gjithë në sulm. Duhet të mbajmë topin, në pritje të momentit të duhur për të goditur. Në sulm kemi lojtarë që mund të vendosin ndeshjen në çdo moment.
- Me siguri që flisni për Xhakën dhe Shaqirin…
- Për ata dhe për të tjerë. Kemi shumë lojtarë cilësorë. Shaqiri njihet si lojtar që tërheq vëmendjen e mbrojtësve, çka mundëson që të krijohen hapësira ku mund të përfitojnë shokët e tjerë të skuadrës. Kemi parë edhe që Xhaka është shumë i dobishëm në rolin më pak sulmues që po luan te Borusia. Ka shumë liri veprimi dhe deri tani ka qenë në gjendje ta shfrytëzojë.
- Të premten u dallua edhe Inler…
- Gjithmonë kam pasur besim në aftësitë e tij, klasin dhe lojën për skuadrën. Ai është prototipi i lojtarit që punon për skuadrën. Pikërisht për këtë arsye e kam bërë kapiten.
- Pas fitores në Lubjanë, të gjithë presin konfirmimin kundër Shqipërisë. Druheni ndopak?
- E dimë që presioni është mbi ne, por jemi gati. Edhe një herë, skuadra ime i ka mundësitë teknike e taktike për të bërë diferencën kundër Shqipërisë, e cila do të kërkojë të na befasojë.
Kanë thënë…
Kam dy himne për të kënduar. Është shumë emocionuese.
Xherdan Shaqiri
Jemi me fat që luajmë në Lucernë. Sikur të luanim në Bazel apo Zyrih, me siguri që do të kishin ardhur 30 mijë shqiptarë në stadium.
Granit Xhaka
Për ne shqiptarët do të jetë një lojë si në shtëpinë tonë. Është e rëndësishme që ne të harrojmë gjithçka që na rrethon në stadium.
Blerim Xhemaili
Shqipja, gjuha e katërt e Zvicrës
Ambasadori i Kosovës në Bernë pret një ndeshje speciale, pasi shqiptarët janë komuniteti më i madh i huaj atje
Ambasadori i Kosovës në Zvicër, Naim Malaj, i kontaktuar me telefon nga Top Channel, ka treguar për atmosferën që mbizotëron atje para ndeshjes së sotme. Është një ndeshje që pritet me interesim të madh këtu në Zvicër, qoftë nga opinioni publik zviceran, por edhe ai shqiptar për faktin që 5 lojtarë shqiptarë luajnë me kombëtaren e Zvicrës, e për një arsye tjetër që numri i shqiptarëve në Zvicër shkon mbi 300 mijë, duke u bërë komuniteti më i madh dhe gjuha shqipe si gjuha e katërt që flitet në këtë vend.
Vetë futbollistët shqiptarë që luajnë për këtë kombëtare, si Shaqiri, Xhaka, Behrami, kanë thënë se nuk do të jetë e lehtë përballja me kombëtaren shqiptare. Madje Shaqiri ka deklaruar se e ka të vështirë të luajë kundër kombit të tij, me Shqipërinë, duke shtuar se edhe nëse fiton, edhe nëse humb, zemra e tij është kuqezi. Interesimi është jashtëzakonisht i madh.
Ne kemi marrë telefonata të shumta nga bashkatdhetarët tanë për të siguruar bileta. Është vështirë të thuhet, dhe mendoj që shifrat e dhëna nga portalet shqiptare duhen parë me rezerva. Është vështirë të dihet sepse biletat janë blerë online dhe është e vështirë të mësohet sa janë shqiptarë dhe sa zviceranë në stadium, tha ambasadori Naim Malaj.
Pesëshja, njëri kërkon të mos luajë
Presioni bën të vetën, ndërkohë që Xhaka shtanget nga deklarata e Dukës
Sipas një burimi të afërt me pesë futbollistët shqiptarë që luajnë për Kombëtaren e Zvicrës, njëri prej tyre ka kërkuar të mos luajë kundër Shqipërisë. Këto ditë ata kanë pasur biseda të shpeshta me të afërmit e tyre. Familjarët natyrisht që i kanë përkrahur, madje i kanë përkrahur edhe shqiptarët e shumtë që jetojnë në Zvicër, pasi këta futbollistë konsiderohen ambasadorët e tyre më të mirë në vendin ku kanë krijuar jetë të re, tha një mik i afërt i futbollistëve, pa dashur të identifikohet. Lojtarët shqiptarë komunikojnë rregullisht dhe ia qajnë hallin njëri-tjetrit.
Mehmedi duket më i qetë, pasi nuk pritet të luajë, ashtu si në Slloveni. Ata janë të ngarkuar shumë me këtë ndeshje. I njëjti burim shtoi se Granit Xhaka ka mbetur i shtangur nga deklarata e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, i cili ishte shprehur se Xhaka duhet të ketë turp nëse shënon. Këta djem ia kanë dhënë besën Zvicrës dhe këtë duhet ta mbajnë edhe në ndeshjen me Shqipërinë.