E Diel, 1 Nëntor 2026

De Biazi prek futbollin shqiptar, kombëtarja pret stilin italian

Dje në Niko Dovana nën drejtimin e italianit është zhvilluar seanca e radhës stërvitore me kandidatët e superiores

Është herët për të folur që Xhani De Biazi ka krijuar ka krijuar një ide të qartë për kombëtaren shqiptare, por gjithsesi ai ka nisur ta prekë dhe ta ndiejë nivelin e futbollit shqiptar si dhe sa afron superliga jonë. Ndonëse dje është zhvilluar seanca e katërt stërvitore qysh nga e shtuna, kur nisi grumbullimi. Shënimet e shumta kanë nisur ta nxijnë bllokun e De Biazit, që për të vlerësuar sa më drejt aftësinë e çdo futbollisti ka ndihmën e dy asistentëve të tij, Paulo Tramexani dhe Anxhelo Tereni.

Seanca e djeshme stërvitore nisi me ushtrimet e zakonshme të nxemjes, më pas u intensifikua me ushtrime të tjera fizike, me sprinte dhe vrapime me pengesa. Stafi italian i kishte ndarë detyrat më parë: dy asistentët udhëhiqnin stërvitjen që bëhej në dy grupe, ndërsa Xhani De Biazi vëzhgonte në distancë, pa ndërhyrë, lëvizje në fushë. Pjesën më të madhe të kohës, kryesisht në fillim të seancës, e shpenzonte duke biseduar me menaxherin e kombëtares, ndërsa kur i vinte radha rolit të tij, afrohej menjëherë te futbollistët.

Tramexani dhe Tereni, njëri në moshë me të re, ndërsa tjetri thuajse i thinjur, shkriheshin me futbollistët dhe nuk mërziteshin kurrë edhe kur nuk kuptoheshin për gjërat më të thjeshta. Shpesh i shihje duke i mësuar futbollistët se çfarë pozicioni duhet të merrnin kur të godisnin topin. Para këtyre specialistëve të futbollit, që komunikonin gjatë gjithë kohës me fubollistët në gjuhën e tyre, dilte në pah ndonjë shenjë amatorizmi alla shqiptar.

Mendohej se gjuha nuk do të ishte aspak problem, sepse shqiptarët thonë se e njohin italishten në masë, por kur nuk e njeh mirë gjuhën e profesionalizmit, as italishtja e pastër nuk bën punë. Në pjesën e fundit të stërvitjes u kushtohet rendësi ushtrimeve taktike. Pikërisht kjo fazë e fut me tepër De Biazin në botën e shqiptarëve, në atë që ata dinë të bëjnë.

Në disa raste janë të detyruar të kryejnë ushtrime që ndoshta nuk i kanë provuar kurrë gjatë karrierës së tyre. Nesër De Biazi do të zhvillojë seancën e fundit me këtë grup futbollistësh, që më shumë se për kombëtaren A i vlejti italianit për të njohur në detaje nivelin e futbollit shqiptar dhe mundësitë që afron në arenën ndërkombëtare.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›