E Diel, 1 Nëntor 2026

Duka mbron kombëtaren: Kurrë ska trukuar!

Nga Adi Metaliu

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në një prononcim për mediat ka hedhur poshtë të gjitha akuzat për trukim të ndeshjeve të kombëtares

Qëndrimi i presidentit të FSHF-së për çështjen e trukimit të ndeshjeve të kombëtares ka qenë i prerë dhe kategorik. Sipas tij, kombëtarja shqiptare kurrë nuk ka trukuar ndeshje. Madje akuzat ndaj ish-trajnerit të kuqezinjve Josip Kuzhe, sipas Dukës, janë krejt të pabaza dhe nëse do ta kishte bërë diçka të tilla do të kishte patur ndihmën e futbollistëve.

Realisht nuk më pëlqen nxitimi për të akuzuar dhe për të baltosur kombëtaren shqiptare në bazë të thashethemeve që mund të kenë ndodhur në Greqi apo në një vend tjetër. Kam bindjen e plotë se ekipi shqiptar nuk ka trukuar asnjëherë ndeshjet e futbollit. Kam bindjen e plotë dhe jam i sigurt për këtë. As trajneri nuk ka trukuar. Që trajneri të bëjë diçka, duhet që të luajë me futbollistët, është shprehur dje Duka.

Kundërpërgjigjja për Berishën

Presidenti i FSHF-së është pyetur edhe në lidhje me deklaratën e Kryeministrit Berisha në Vizion Plus, ku thuhej se FSHF ka pasur një ide për ta ndërtuar stadiumin e ri te Fusha e Aviacionit. Duka i është kundërpërgjigjur Berishës, duke mohuar kategorikisht këtë plan: Asnjëherë nuk kemi pasur ndonjë ide për të ndërtuar një stadium në ndonjë vend tjetër. Projekti ka qenë një projekt-ide.

Tani, që të bësh projektin definitiv, duhet të marrësh përgjigje nga kompanitë e specializuara se kush është projekti më i mirë, i cili i kënaq interesat e tifozëve shqiptarë dhe që shlyen financiarisht këtë projekt. Por, gjithsesi, kërkesa është që të mos jetë më pak se në nivelet e 20-30 mijë spektatorëve.

Reagime pikante të Kuzhes

Ish-trajneri i Shqipërisë, Josip Kuzhe, i cili drejton një skuadër kineze, është treguar i gatshëm për tu prononcuar për mediat shqiptare në lidhje me trukimin e ndeshjeve. Kuzhe shpesh është shfaqur i irrituar, duke lëshuar disa deklarata mjaft domethënëse.

1 Nëse do ta kisha përballë dikë që më thotë se kam trukuar ndeshjet e Shqipërisë, do ta kisha goditur me grusht.

2 Për aq kohë sa kam qëndruar në Shqipëri si trajner i kombëtares, nuk kam vënë qoftë edhe një skedinë në pikat e basteve.

3 Më thoni si e paskemi trukuar ndeshjen me Argjentinën? U kam thënë lojtarëve të mi mos shënoni, apo e kemi lejuar me dashje Mesin që të shënojë? Kjo është absurde.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›