E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shameti: Për këtë Luftëtar, asnjë fije dyshimi

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Ish-futbollisti i shquar gjirokastrit, Bashkim Shameti, thekson se ekipit të këtij sezoni nuk mund ti mungojë suksesi

Në Gjirokastër, që para fiilimit të kampionatit të kategorisë së parë,  jo vetëm tifozët, por edhe të tjerë, në bisedat e tyre të kohës së lirë, më tepër se për çdo gjë tjetër flitet për Luftëtarin. Pra, nëse ky ekip do të ngjitet ose jo në superligë. Veçanërisht me këtë problem merren edhe ish-futbollistë të tij, të cilët kujtojnë me nostalgji kohët e tyre dhe pyesin pse ky ekip po vuan kaq shumë në inferiore. Ata shpresojnë që këtë kampionat të bëhet e pabëra.

Treguesit e deritanishëm janë të tillë, që të gjithë i bëjnë optimistë për realizimin e objektivit. Ekipi në fjalë vazhdon përgatitjet në Ulqin, ku mund të zhvillojë edhe një ndeshje tjetër miqësore. Luftëtari ka kontigjentin bazë të fazës së parë, ndërkohë që ka realizuar edhe 3 përforcime të reja.

Duket se çdo gjë është futur  plotësisht në shinat e suksesit dhe pritet me interes përballja me Kukësin, që është 3 pikë më pak në vend të dytë.  Ndeshja do të luhet në Gjirokastër dhe shpresohet që diferenca do të bëhet 6 pikë.

Bashkim Shameti Një ndër futbollistët e armatës së lavdishme gjirokastrite të sezonit 1977-1978, është edhe Bashkim Shameti, ish-mbrojtësi i djathtë i ekipit të atëhershëm. Për Luftëtarin aktual ai thotë se duhet domosdoshmërisht të kalojë në superiore: Ky fillimshekulli për futbollin gjirokastrit ka qenë tepër zhgënjyes, përderisa Luftëtari fare pak është parë në kategorinë superiore, ndoshta as në periudhën 1950-1960, nuk ka qenë  jashtë saj si këto 10 sezonet e fundit.

Ecuria e Luftëtarit në fazën e parë të kampionatit është më e mira ndër gjithë të tjerat dhe janë të gjitha mundësitë që ta fillojë fazën e dytë me 6 pikë më shumë se Kukësi i vendit të dytë, me të cilin do të luajë në Gjirokastër ndeshjen e prapambetur. Me sa e kam ndjekur, ekipi është mjaft i kompletuar dhe Devolli me Norën apo dhe ndonjë tjetër, bën diferencën e tij nga ekipet elitare të kategorisë së parë.

Nuk kam asnjë fije dyshimi se suksesi do të jetë i padiskutushëm. Në rast të kundërt, nuk do të jetë faktor sportiv ai i mossuksesit, por i çdo natyre tjetër. Por them se nuk ka arsye pse të ndodhë kështu dhe të hidhen në erë gjithë këto që janë bërë deri tani, që nga investimet e deri te rezultatet e arritura. Pra, domosdoshmërisht, Luftëtari do të ngjitet në superiore, ku them se e ka vendin.

 

6 pikë

është diferenca, me të cilën gjirokastritët synojnë ta nisin fazën e dytë të kampionatit. Kjo do të thotë se ata llogarisin vetëm fitoren në ndeshjen e prapambetur me Kukësin, që është edhe rivali i tyre më i afërt për momentin. Ndeshja luhet në Gjirokastër dhe shanset për 3 pikët janë maksimale

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›