E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lusio vrer ndaj Interit

I kanë mjaftuar vetëm 48 orë dhe Lusio shfaqet si një “ultras” i Juventusit. Gjatë konferencës së parë si bardhezi, mbrojtësi brazilian nuk është treguar aspak i butë ndaj ish-skuadrës së tij, Interit.
“Cili gaboi me largimin tim? Shpresoj që të ketë gabuar Interi. Edhe nëse do ti shënoja gol zikaltërve do të festoja, pasi unë jap maksimumin për skuadrat që luaj”, ishte deklarata.
E sikur ky shigjetim të mos mjaftonte, 34-vjeçari ka vazhduar polemikën e tij. Madje, ai është bërë pjesë e debatit për numrin e titujve të fituar nga Juventusi. “Nëse më pyesni për çështjen e 30 titujve të klubit, unë mendoj se ka të drejtë presidenti Anjeli”, ishte deklarata që natyrshëm nuk do të pritet mirë te zikaltërit.
Fjalët e ashpra vazhdojnë edhe ndaj disa prej ish-shokëve të skuadrës, pa përmendur emra. “Rivaliteti mes Brazilit dhe Argjentinës ekziston gjithmonë, tha Lusio duke iu referuar zërave për klane të mundshme brenda Interit. Por, ne brazilianët ishim shok të argjentinasve. Ndoshta ata kanë fituar, por në fushë triumfon gjithmonë Brazili”.

Pasi ka përfunduar deklaratat thumbuese, mbrojtësi ka folur edhe për objektivat e Juventusit. “Zgjodha Juven sepse dua të luaj në nivele të larta. Bardhezinjtë u kthyen një skuadër e madhe dhe është një nder për mua që të luaj këtu. Na pret një sezon i vështirë, por duhet të synojmë të arrijmë deri në fund të kampionatit, Champions-it dhe Kupës së Italisë”, nënvizoi Lusio.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›