Ndodhia, Cana dhe ekipi e paguajnë vetë avionin
TIRANE- E keqja nuk ka kurrë fund. Nuk mjaftonte humbja 2-1, por lojtarëve të Marsejës, përfshirë edhe Lorik Canën, iu është dashur të paguajnë edhe paratë për karburantin e avionit në mënyrë që të fluturonin nga Madridi për në Francë. Pasi kanë arritur në aeroport në mesnatë, skuadra është nisur rreth orës 2, kur futbollistët kanë paguar nga 3300 euro për kokë që të furnizohej avioni me karburant, duke zgjidhur kështu një përplasje mes shoqërisë së avionëve dhe asaj që i furnizon ata me karburant. "Nuk kam parë kurrë një gjë të tillë në gjithë karrierën time", u shpreh komandanti. Gjithçka ka ndodhur për një tekë të shefit të kompanisë së karburanteve, përgjegjëse për furnizimin e avionëve. Në momentin e uljes në Madrid, komandanti i avionit, në pronësi të shoqërisë Aigle Azur, është informuar se shoqëria e karburanteve refuzon ta furnizojë, për shkak se nuk i janë firmosur ende kontratat me kompaninë ajrore. Në vend që të aplikojë rregullat ndërkombëtare që përdoren normalisht në raste të tillë, shefi i kompanisë së karburanteve ka refuzuar kartën e kreditit të kompanisë së fluturimeve, duke kërkuar para në dorë. Kështu që futbollistët, për t'u kthyer në shtëpi, kanë vendosur të paguajnë secili nga 3300 euro nga xhepi i tyre për t'u kthyer në shtëpi. Më pas nisi furnizimi i avionit me karburant dhe avioni u ngrit nga aeroporti i Madridit për të fluturuar drejt Marsejës. Ngjarja është konsideruar si çudia e ditës edhe në media të ndryshme në Evropë, duke qenë se bëhet fjalë për një nga ekipet më të mëdha në Francë dhe që për më tepër, luan në Champions League.
Akuzat
Lorik Cana ka lëshuar akuza të ashpra në adresë të klubit spanjoll të Atletikos së Madridit, në lidhje me pritjen që i është rezervuar tifozëve të Marsejës në ndeshjen e të mërkurës, e vlefshme për grupin D të Champions League. Skuadra franceze humbi 2-1, duke mbetur në kuotën e zero pikëve, por në stadium pati një përleshje mes fansave të dy skuadrave, që çoi në plagosjen e katër francezëve. Veç kësaj, tifozët vendas lëshuan thirrje raciste në adresë të lojtarëve me ngjyrë të Marsejës. "Jam shumë i irrituar nga pritja që iu rezervua tifozëve tanë dhe mënyra sesi u trajtuan. Fakti që gjëra të tilla ndodhin në mënyrë të përsëritur në një vend si Spanja, është shumë e rëndë", tha Cana. "Tifozët e Atletikos u përpoqën t'u marrin pishtarin, nuk ia arritën dhe më pas nisën t'i godisnin. Tifozët tanë nuk bënë asgjë, nuk provokuan askënd. Kjo nuk ishte aspak korrekte", tha më tej kapiteni shqiptar i Marsejës. Spanjollët lëshonin klithma majmuni sa herë që Taye Taivo kapte topin dhe kjo ka çuar në reagimin e ashpër të Lorik Canës dhe presidentit Pape Diuf. "Mendonim se Madridi ishte një nga kryeqendrat e futbollit, por më duhet të denoncoj një dhunë të papranueshme", tha presidenti Diuf. "Reagimi i policisë ishte i turpshëm, ata vendosën të shkonin atje vetëm pasi gjërat u acaruan, ndërsa mund të kishte vdekur ndonjëri", shtoi presidenti i Marsejës.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)