E Diel, 1 Nëntor 2026

De Loo: Zhgënjimi nga kalaja mjeruar e Ali Pashës

 

Alma Mile 

Në mendjen e saj vërtiteshin burra me fustanella e jataganë, gra të bukura të mbuluara me stoli, kështjella luksoze... Çka gjeti nuk ishte veçse hija e imagjinatës së saj. Një qytet i mërzitshëm socialist dhe një kala e rrënuar, që nuk kishte më fuqi të thoshte më asgjë për lavdinë e saj të dikurshme. Ishte viti 1996, kur Tessa de Loo, studiuesja holandeze, vendosi të udhëtonte në itinerarin bajronian Janinë-Tepelenë. Ajo njihte Shqipërinë e Bajronit, kishte dëgjuar edhe për diktaturën e Enver Hoxhës, por në udhëtimin e saj u përball me një tjetër realitet. Kujtimet e saj të udhëtimit i ka radhitur në librin “Miq tek Ali Pashai”, botuar nga shtëpia botuese “Skanderbeg”. E veçanta e këtij libri qëndron në paralelizmin që ajo bën me rrugëtimin e Bajronit. Kujtimet e saj gërshetohen me shënimet e udhëtimit të Bajronit dhe të mikut të tij, Hobhauz, nëpër sarajet e pashait të Janinës. Në një bisedë, autorja rrëfen për librin, për rrugëtimin e saj dhe për marrëdhëniet mes Bajronit dhe Ali Pashës. “Nuk ka pasur marrëdhënie intime mes tyre. Bajronit i pëlqenin djemtë dhe vajzat e rinj”, thotë ajo, ndërsa shton se janë të gjitha gjasat që ai të ketë pasur një lidhje me Vasilin, ushtarin shqiptar që e shoqëroi në udhëtimin e tij.
Vite më parë ju keni bërë një udhëtim nëpër Shqipëri, në hapat e Bajronit, ç’ju shtyu?
Isha shumë kurioze për të parë se si ishte ky vend, sepse në të gjithë Evropën Lindore ishte kënd me të vërtetë i mistershëm. Asnjëri nuk kishte ardhur, apo dalë prej andej. I vetmi imazh që kisha nga Shqipëria ishte ajo çka Bajroni kishte shkruar për udhëtimin e tij, vizitën tek Ali Pasha, në pallatin ekzotik në Tepelenë, për njerëzit që e rrethonin, ushqimin, veshjet me ngjyra, luksin përreth Ali Pashës, bukurinë e maleve... Ky ishte imazhi im. Sigurisht e dija që kur në krye të vendit u vendos Enver Hoxha, Shqipëria ndryshoi shumë, gjithashtu ka kaluar përmes luftërave. Aq më tepër që ka kaluar kohë që kur Bajroni ka qenë këtu, dy shekuj më parë. Kështu që e dija që nuk do të më priste ajo botë ekzotike.
Mbetët e zhgënjyer nga ky udhëtim?
Udhëtimi im ishte mjaft i këndshëm dhe i bukur, por pallati i Ali Pashës ishte një zhgënjim i vërtetë. Erdha në Tepelenë, një qytet i mërzitshëm me ndërtesa të larta komuniste. Vendi po kalonte një krizë ekonomike e sociale. Pemët ishin prerë. Kështjella gjithashtu ishte shkatërruar, por muret ishin atje, fuqia ishte atje dhe vendosej në një vend të mrekullueshëm, në majë të shkëmbit. Poshtë rridhte lumi Drino. Ishte një vend fantastik, por pas tij shtrihej qyteti i shëmtuar i Tepelenës dhe më e trishtueshmja ishte, që kishin nisur të ndërtonin brenda hapësirave të pallatit, por jo në mënyrën autentike, por konstruksione moderne. Unë e di se njerëzit duhet të jetojnë, por nga pikëpamja turistike, kjo është një fatkeqësi e madhe. Kjo kështjellë është një stoli për Tepelenën dhe gjithë vendin. Edhe në Janinë, kanë mbetur vetëm rrënoja, por përreth është një hapësirë e pastër, që të jep mundësinë, që të vesh në punë fantazinë dhe të imagjinosh se si ka qenë në kohën e Ali Pashës. E njëjta gjë duhet bërë dhe në Tepelenë, të pastrohet hapësira nga ndërtesat, të ndërtojnë një bar-kafe të këndshme në stilin e vjetër..
Ju promovoni një libër në Tiranë, ç’mund të na thoni rreth tij?
Është një libër mbi udhëtimin tim, i cili përshkruan gjithçka qysh në lindjen e idesë për ta realizuar atë. Unë jam dashuruar me Bajronin qysh 16 vjeç, kur pashë portretin e famshëm me kostum popullor shqiptar. Shumë vjet më vonë, së bashku me tim bir kaluam në Korfuz. Ka qenë viti 1992. Mund të shihja shumë pranë malet e Shqipërisë, aq sa më dukej sikur do t’i prekja me dorë. Me vete pyesja se çfarë vendi mund të ishte ky... Atëherë të gjitha kufijtë e vendeve të Lindjes ishin hapur. Nuk e dija që kjo kishte ndodhur edhe në Shqipëri dhe kështu nisa të interesohem, për të kaluar tej atyre maleve, për të parë se ç’ishte ky vend. Vendosa që të realizoj një udhëtim në gjurmët e Lord Bajronit.
Duke qenë një adhuruese dhe studiuese e Bajronit, çfarë mund të na zbuloni në lidhjen e tij me Ali Pashën, ka qenë ajo një marrëdhënie intime?
Ah, jo, kjo nuk është e vërtetë. Ali Pashai e ftoi Bajronin dhe shoqëruesin e tij në sarajet e tij, sepse i duhej të “flirtonte” me britanikët, për të larguar francezët nga ishujt jonianë, të cilët i kishin pushtuar, deri në kufi me kështjellën e tij pranë Butrintit. Dhe kjo ishte arsyeja pse ai kërkonte ndihmë prej britanikëve. Ishte një lloj strategjie. Ai mendoi se dy aristokratë të rinj, do t’i shërbenin, ndërsa dy të rinjtë ishin në kërkim të aventurave. Ata kishin dëgjuar shumë për Ali Pashën dhe pranuan ftesën, duke ndenjur tri ditë tek ai. Bajroni ka shkruar shumë për të, sepse ai i trajtoi si djemtë e tij. U kushtoi gjithë vëmendjen e duhur, u shtroi bankete, i shëtiti, pati tre takime të gjata me ta, ku folën për shumë gjëra, me përkthyes sigurisht. Ai përshkruan duart e vogla dhe të bardha, veshët e vegjël... Bajroni u mahnit prej Pashait, sepse nga njëra anë ai ishte një diktator mizor dhe nga ana tjetër një njeri mikpritës, tërheqës. Por Lord Bajroni nuk pati asnjëherë ndonjë lidhje me Ali Pashën. Lord Bajroni ishte biseksual, pëlqente vajzat dhe djemtë e rinj, të bukur, ndërsa Ali Pasha nuk ishte më... Mendoj se zhurmat kanë ardhur për shkak të Vasilit (një ushtar i ri shqiptar). Ali Pasha i dha Vasilin me vete, t’i ndihmonte në çdo nevojë që kishte dhe ai e shoqëroi atë ngado. Ata ishin miq të ngushtë dhe ka shumë mundësi që të kenë pasur edhe marrëdhënie seksuale. Ai e ka frymëzuar Bajronin dhe i përforcoi mendim e lartë që kishte për shqiptarët, për karakterin e fortë, inteligjencën, tërheqjen, qytetarinë. Askush nuk e di, por unë mendoj se të gjithë zhurmat mbi jetën e tij seksuale vijnë për shkak të Vasilit.
Mendoni ta rimerrni sërish udhëtimin tuaj të 13 viteve më parë?
Lord Bajroni mund të shihet si turisti i parë. Në këtë këndvështrim, mund të kapësh të gjitha ato bukuri që ai përshkruan. Përmes veprës së tij ai na ofron një mesazh, që të çon drejt këtij vendi interesant, me një histori të gjatë. E rëndësishme është ta njohësh dhe ta ruash historinë. Ideja ime është të organizoj një udhëtim ndërkombëtar në gjurmët e Lord Bajronit, nga Janina në Tepelenë. Është një hapësirë shumë e bukur, ku përveç natyrës gjen së bashku kisha ortodokse, xhami e teqe bektashiane, mund të takosh barinj e të pish kafe e raki me ta. Njerëzit nëpër fshatra janë shumë të këndshëm, ata ruajnë traditat e hershme të mikpritjes, të ofrojnë gjithçka në tryezë, kur shkon në shtëpinë e tyre. Dhe mendoj që të gjitha këto veçori të Shqipërisë duhen “kapur” e duhen shfrytëzuar për turizmin. Është ambicia ime të realizoj një gjë të tillë. Ka dhe një aspekt politik në këtë mes. E di tanimë që Janina nuk është pjesë e Shqipërisë, di edhe përplasjet e hershme mes Greqisë dhe Shqipërisë. Ndoshta ky udhëtim do të ishte një urë e mirë komunikimi dhe mund të organizohej me ndihmën e të dyja palëve.
A është Bajroni edhe në vende të tjera, po kaq i njohur dhe i vlerësuar sa në Shqipëri?
Jo, nuk është. Kemi shoqata të Bajronit në të gjithë botën dhe janë grupime njerëzish të specializuar, që kanë dëshirë të lexojnë letërsinë e shek. XIX, apo periudhës romantike. Janë përgjithësisht akademikë. Do të ishte e ekzagjeruar po të thoshim që Lord Bajroni është i gjallë ngado dhe të gjithë e njohin. Dikush ka thënë që ai është një pop star dhe këtë nuk e kanë thënë për shkrimtarë të tjerë si Shelli, apo Kitsi. Kishte diçka më të madhe se poetizmi i Bajronit. Ai mbijetoi. Sigurisht në Greqi, çdo taksist e njeh atë, jo si poet, por si hero, pasi ai ka luftuar për vendin e tyre.

Rrugëtime me 200 vjet distancë
Katër ditë më vonë para tyre në largësi u shfaq Janina. “Shtëpitë, kupolat dhe minaret, që shkëlqenin mes kopshteve me portokaj e limona, e me pyllishte qiparisash, liqeni, sipërfaqja e lëmuar e të cilit shtrihej deri në rrëzë të qytetit, malet që ngriheshin drejt e nga bregu, e gjitha kjo na pushtoi krejtësisht”, kështu e përshkruante Hobhauz, përshtypjen e tij të parë. Të kapërthyer prej kaq shumë bukurish lindore, ata hynë në qytet. Kaluan një shtëpi të re të vezirit (Ali Pashait), disa varre turke dhe shitore. Në degët e një peme të trashë, varej diçka që prej së largu, ngjante me një copë mishi që ishte nxjerrë për shitje, por që nga afër doli se ishte krahu i një burri me një pjesë të shpatullës së tij... Më vonë u mor vesh se ishte pjesë e trupit të një rebeli, të cilit i ishte prerë koka pesë ditë më parë.
...Dy gra të moshuara të përkulura nga një ngarkesë me misër, na kaluan pranë duke tërhequr këmbët zvarrë. Ndaluam për t’i pyetur për rrugën që të çonte në shek. XX. Njëra prej tyre na u drejtua me gjallëri për të na shpjeguar me duar e këmbë se nga duhet të shkonim, ndërsa vandaku i misrit tundej dhe fëshfërinte bashkë me të. Duke ndjekur udhëzimet e saj, mbërritëm, nëpërmjet një udhe të paqartë qerresh, në një rrugë që ishte në hartë, pikërisht para se uji të vërshonte në furinë e vet. Fshirëset e xhamave të makinës nuk arrinin të pastronin; kaq shumë ujë binte nga lart. Rrugës, përgjatë grykës së Vikos, mund të shikoje më tutje vetëm kthesa në formë u-je: “Rrymat që vinin prej kodrave, më shumë se njëherë, pothuajse na i kishin marr me vete kuajt me bagazhe”.    (Marrë nga libri Miq tek Ali Pasha)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›