Pesë ditët e mjaftueshme të shpëtimit të familjes, vetes dhe popullit tëndNga Taip SulejmaniThirrje drejtuar qytetarit Fatmir Mediu. Të drejtohem ty, sepse në këtë mishmash ku jemi zhytur si shoqëri, ti je personi që ke në dorë fillimin e një proces
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Pesë ditët e mjaftueshme të shpëtimit të familjes, vetes dhe popullit tëndNga Taip SulejmaniThirrje drejtuar qytetarit Fatmir Mediu.
Të drejtohem ty, sepse në këtë mishmash ku jemi zhytur si shoqëri, ti je personi që ke në dorë fillimin e një procesi pastrues historik të shoqërisë shqiptare. Sa herë që të shikoja dhe të shoh në ekranet televizive, aq më shumë më anon peshorja e mendimit nga ana ku kam vendosur fajin tënd në ushtrimin e detyrës si ish-ministër. Të njoh dhe të vlerësoj për mprehtësinë në kapjen e situatave. Këtë e kam konstatuar që në momentet e para të përfshirjes në PR dhe sidomos në rrethanat kur mbas goditjeve vrastare që t’u dhanë tek uzina e pambukut në Fier, në fushatën e vitit 1992, pate kurajën që të telefonoje direkt Berishën dhe si pasojë të merrje disa garanci prej atij për të ardhmen.
Gjithë këto vite në drejtim të PR dhe në detyra shtetërore të rritën shumë dhe të dhanë mësimin e ruajtjes së disa sekreteve që konsiderohen “Për arsye shtetërore”. Këto arsye konsiderohen të tilla, kur zbulimi i tyre rrezikon interesat e vendit, të atdheut, të cilin ti e do dhe për këtë nuk kam dyshim. E fshehta që mban ti brenda vetes, në këtë rast dëmton vendin dhe popullin tënd. Ti Fatmir e kupton mirë se “Gjemia e federalëve të demokracisë” ka marrë ujë nga vrimat e shumta që i janë hapur gjatë lundrimit të saj. “Gjemia” e Berishës, qoftë kur ishte president, qoftë kur është kryeministër, ka lundruar në ujëra të ndotura e të rrezikshme nga përmbajtjet në thellësinë e tyre. Të ndotura, si nga kontrabanda e naftës, firmat rentiere që na ridhanë famën emërkeqe të përbotshme, ashtu edhe nga zhdukja e dyshimtë e mjaft personazheve të politikës. Por të ndotura aq më shumë edhe nga aferat gllabëruese financiare. Madje, si mjeshtër i shfrytëzimit të situatave të disfavorshme familjare të njerëzve që e rrethojnë, Berisha të dha në fillim mjaft ndihmë në situatën e vështirë që kishe brenda familjes. Berisha është aq monstruoz, sa duke rritur ndihmën, aq më shumë të shtrëngonte në kthetrat e tij detyruese për të ardhmen. Pra të shihte si lojtar që në të ardhmen mund të të impononte role mjaft delikate. Role që i besohen një njeriu, i cili i ka shumë mirë të qarta fitimet dhe humbjet, sipas asaj shprehjes, kur bëjmë një pazar nderet dhe qederet.
Në këto makinacione, llogari të Berishës me oreks financiar të pangopur, ti u gjende si i besuari i tij në vorbullën e Gërdecit dhe t’u imponua prej atij kundër dëshirës tënde dorëheqja politike. Kjo ishte formulë e hartuar prej teje dhe Berishës me garancinë e dhënë prej atij se, vetëm nëse do mbytet Berisha, atëherë mund të humbasësh edhe ti.
U bë më shumë se një vit dhe ti e shikon se pleksja e së keqes është kaq e fortë-shtrënguar, sa vetëm zbardhja e Gërdecit përbën fillimin e shthurjes së fillit të Arianës për shoqërinë shqiptare. Gjithë ndotja historike që ka pësuar shoqëria shqiptare prej politikës merr nisjen e fillimit të pastrimit, të heqjes së helmit vdekjeprurës, vetëm nëpërmjet aktit pohues, qartësues të së vërtetës të aferës së Gërdecit. Mbas sqarimit të aferës së Gërdecit konfirmohen vetë pastaj gjithë të tjerat për shkak të efektit domino. Mos harro, veprimi i duhur ka vlerë në momentin e duhur. Forca kundërshtare politike do merret me ty, po të vijë në pushtet, por pohimet e tua atëherë do jenë pohime prej të akuzuari dhe jo pohime prej njeriu që i falet ndërgjegjes së popullit të vet. Ti ke fatin e keq dhe të mirë për të mirën tënde në këtë moment që të kesh çelësin, i cili mbyll një tranzicion torturues e shkatërrues dhe hap një faqe të re në historinë shqiptare. Me këtë çelës ti do konfirmosh vërtetësinë e akuzave që i bën opozita Berishës e klanit të tij ose do përgënjeshtrosh shpifjet histerike që i bën Berisha- Ramës. Thonë, rasti të buzëqesh vetëm një herë. E ti tani ke rastin tënd që do e quajmë madhor, në qoftë se ti do dish ta shfrytëzosh. Ky rast po të bën ty tani një personazh historik. Tani, eja Fatmir të bëjmë një llogari çamçe. Le të mendojmë për një çast se zgjedhjet i fiton krahu i Berishës dhe mendja të gënjen me iluzione rehabilituese në sytë e popullit. Po e mori krahu kundërshtar, ti e ke të qartë fundin tënd. Si kujton ti, se ti që di kaq shumë gjëra shkatërruese për të plotfuqishmin, do kesh edhe mbijetesë më pas? Harroje! Ti e njeh mirë historinë shqiptare. Zhdukjet me aksidente me makina ne i kemi të përsosura në mekanizmin e tyre vrastar. Kjo ndarje me të keqen do jetë shpëtim për ty dhe familjen tënde, por mbi të gjitha do jetë shpëtim për popullin që hiqet zvarrë. Ti kupton kaq sa, sinjalet e dërguara së fundi nga Topalli me thirrjet për ndarje nga spiunët, kontrabandistët dhe mafiozët e PR dhe PDK, të të shërbejnë si këmborë alarmi për t’u ndarë nga e keqja. Sa pa të të ndarë ata ty më parë, ndahu ti prej tyre. Kështu i bëjmë llogaritë ne çamët me njëri tjetrin, apo jo?
Sado garanci të marrësh prej Godos, Berishës, Topallit etj., ti nuk duhet të harrosh fjalën e urtë “E vërteta vonon, por nuk harron”. Ti ia ke shpjeguar mirë Godos situatën e ndërthurjes së Gërdecit dhe ai e ka shoshitur këtë punë me Berishën. Ti e di mirë gjithashtu se Berisha vjen te ty gjithmonë nëpërmjet Godos, pavarësisht se ti je kryetar i PR. Thonë lart e poshtë se Plaku Godo është shumë finok dhe largpamës. S’kam dyshim se edhe ti i beson atij si një Mentori. Dakord, e pranoj, por kam një pyetje për ty. A të ka këshilluar ndonjëherë Godo ty që, i detyruar ligjërisht nga betimi që ke bërë si qytetar dhe ministër para presidentit, të shkosh e të përmbushësh vetë detyrimin ndaj popullit tënd, të rrëfehesh para drejtësisë në lidhje me Gërdecin për të mirën e të gjithëve? Jo ashtu siç e tha Godo një herë në TV që, le të presim çfarë do thotë drejtësia, kur dihet që drejtësia është e zënë në fyt nga pushteti. Bëj ti që të fillojë drejtësia e vërtetë, jo ajo me Silvia Konti të filmave. Si të ka dalë hesapi, kur ke peshuar me mendjen tënde se për kë luan Godo në këtë rast? Në rast se Godo të del që luan për Berishën, pra duke të këshilluar që të ruash atë dhe familjen e tij, atëherë peshorja ime më thotë se ti je i mbytur. Fatmir, ti ke vetëm një zgjidhje me nder, madje do të të thoja, ti ke në duart e tua një zgjidhje prej Heroi. Zgjidhja është: Të shkruash për drejtësinë shqiptare dhe nderin e popullit tënd një dëshmi të së vërtetës mbi Gërdecin. Ngrihu mbi veten, mposhte unin dhe shërbeji popullit, i cili të dha besim. Populli shqiptar ka plot defekte dhe të mira, por në momente të caktuara ka ditur të ngrejë veten në atë nivel që i ka kërkuar koha. Këtë kërkon koha e historisë së drejtësisë shqiptare sot nga ty. Ty të kanë vënë shumë nofka mbas ndodhisë së Gërdecit, deri edhe ministri i Vdekjes. Shumë thonë se shqiptari harron shpejt, por ti mos harro këtë që të them. Shqiptari kokën e falur nuk e pret.
Faljen në këtë rast nuk e presim nga Berisha dhe familja e tij. Ata nuk vijnë dot deri në këtë nivel emancipimi shoqëror. Paraja, zullumet vrastare, aferat me të huajt dhe zaptimet e pronave të të tjerëve ua kanë mjegulluar arsyen. Janë kthyer si ai njeriu me vështrim të shkurtër nga katarakti i syve. Ti në biografinë tënde nuk ke të tilla errësime. E vetmja fatkeqësi e jotja është pranimi i përfshirjes në gropën e Gërdecit, gropë që arkivoi shumë miliona kontrabandistësh dhe jetë njerëzish të pafajshëm. Ti Fatmir ke rastin e vetëm në jetën tënde që nga viktimë, nga ministër i Vdekjes, të kthehesh brenda një momenti historik, në shpëtimtarin, në heroin e vërtetë të demokracisë shqiptare. Ky do të jetë mësimi më i madh emancipues që ti do na japësh në këto vite tranzicioni. Dhe këtë populli nuk ta harron. Thërriti arsyes, ndershmërisë së çamit dhe vlerave të tua si individ i edukuar e i kultivuar me norma njerëzore. Ne çamët kemi hequr në kurriz shumë krime dhe e dimë mirë se ç’domethënë ndarje nga krimi. Na janë vënë shumë epitete dhe përcaktime njollosëse gjatë diktaturës. Na bëj Fatmir, që të ndihemi një herë krenarë për vlerat tona reale në dobi të shoqërisë.
Fatmir, ti je njeri me interesa të gjera dhe me siguri e ke parë filmin e fundit të Tom Kruise me titull “Valkyrie”. Trajtohet fati i disa gjeneralëve, që bota i quante gjeneralët e vdekjes të kohës së Hitlerit. Ata tentuan që të vrisnin Hitlerin, sepse donin t’i tregonin botës se gjermanët kishin në gjirin e tyre edhe bij e bija të papajtuar me marrëzinë vrasëse të Hitlerit. Kjo marrëzi gllabëruese e lirive të të tjerëve bëri që deri në vitin 1954 këta gjeneralë atentatorë të Hitlerit të konsideroheshin si tradhtarë të kauzës shkatërruese të Fyhrerit. U deshën 10 vjet pas mbarimit të Luftës Botërore që kthjelltësia e vetëdijes gjermane të shikonte qartë Nderin që këta gjeneralë i bënë vendit të tyre. Dhe kujtimin e aktit të tyre heroik Gjermania e kurorëzoi në vitin 1955 me memorialin kushtuar këtyre gjeneralëve, të cilët përbëjnë në historinë gjermane heronjtë e kauzës antinaziste, janë një krenari për popullin gjerman.
Populli asnjëherë nuk harron, ashtu si ndëshkon, ashtu edhe kokën e falur nuk e pret.