E Diel, 1 Nëntor 2026

Lirohet gazetari irakian që goditi Bushin me këpucë

 

Gazetari irakian që hodhi këpucën drejt Presidentit të atëhershëm amerikan, Xhorxh Bush, në konferencën e tij të fundit për shtyp si president në Irak, tha dje se ai është rrahur dhe torturuar ndërsa ishte i burgosur. Muntadhar al-Zaidi tha  para gazetarëve se ai ishte rrahur me kabllo dhe tuba dhe ishte torturuar me elektricitet menjëherë pasi rojat e kishin larguar nga konferenca për shtyp e Bushit, ku ai e goditi me këpucë dhe e quajti “qen”. Ai tha se ishte çuar në një dhomë tjetër dhe rrahur, madje edhe ndërkohë që konferenca vazhdonte. “Në atë kohë kryeministri irakian Nuri al-Maliki tha në televizion se ai nuk mund të flinte pa u siguruar për fatin tim ... Unë u torturova në mënyrat më të egra, u rraha me kabllo elektrikë dhe shifra hekuri”, ka cituar ai për agjencinë “France-Presse”. Megjithatë sipas CNN, ai nuk është penduar për veprimin që e çoi në burg. “E kisha shansin tim dhe e shfrytëzova atë. E pranoj që nuk jam një hero. Jam një person me një qëndrim të caktuar. E pashë vendin tim të digjej”, tha ai. Al-Zaidi, i cili po vuante dënimin prej një viti pas incidentit të 14 dhjetorit, ka marrë “lirim me kusht”. Pas lirimit gazetari 30-vjeçar është dërguar në studion e punëdhënësit të tij, në “Al-Baghdadia TV”, ku foli për mediat i veshur me ngjyrat e flamurit kombëtar irakian. Al-Zaidi tha se e kishte kryer veprimin, pasi u bë dëshmitar se forcat amerikane që pushtuan Irakun kishin shkatërruar vendin e tij, kishin lënë fëmijë jetim, gra të veja dhe refugjatë. Ai tha se i kishte premtuar atyre që ishin të prekur nga lufta se sapo t’i jepej mundësia do ta ‘hakmerrte’ humbjen e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›