E Shtunë, 31 Tetor 2026

De Michelis: Si i njoha Nanon e Berishën 20 vjet më parë



Alfred Peza

I kthyer në Shqipëri pas 20 vitesh, ish zv/kryeministër dhe ish ministër i Jashtëm i Italisë, Gianni de Michelis, kujton një prej periudhave më të vështira për vendin tonë, pas rrëzimit të Murit të Berlinit, rrëzimit të regjimit komunist në Shqipëri. Në një intervistë në studion e televizionit “Ora News”, në emisionin Ora e Intervistës”, De Michelis tregon se si u menaxhua situata e vështirë e eksodit të emigrantëve, operacionin “Pelikan” dhe bisedat me politikanët e kohës.Ju keni qenë në kabinetin qeveritar në vitin 1985, kur vdiq diktatori komunist Enver Hoxha. Në Itali a kishte ndonjë ide për të hyrë në komunikim me Qeverinë e Tiranës?
Për të qenë të sinqertë ne nuk dinim asgjë për Shqipërinë atëherë. Në vitet ’80 në Itali, nuk kishte më shumë 10 vetë që dinin çfarë ndodhte në Shqipëri, që kishin sadopak informacion. Isha pjesë e Qeverisë, kur vdiq Hoxha dhe sinqerisht nuk dija asgjë për Shqipërinë. Gati, as nuk e kisha marrë vesh që kishte vdekur diktatori. Nuk e kam ndjekur këtë situatë. Në ato vite mbaj mend historinë e vëllezërve Popa, që ishin futur në Ambasadën Italiane.
Pikërisht familja Popa hyri në Ambasadën Italiane, në vitin 1985, vetëm pak pasi kishte vdekur Enver Hoxha dhe ka qenë një situatë e komplikuar mes Shqipërisë dhe Italisë. ç’flitej në Itali për këtë?
Nuk kam qenë Ministër i Jashtëm, por gjithsesi e kam ndjekur atë çështje. Kam në fakt, një kujtim të paktë të asaj që ka ndodhur. Sigurisht për ju shqiptarët situata ka rëndësi, por unë e kujtoj shumë pak këtë situatë. Nuk kisha fare dijeni që ekzistonte një problem shqiptar. Këtë e kam zbuluar më vonë kur situata në Evropë po ndryshonte. Ne duhet të merrnim parasysh edhe Shqipërinë në ato vite. Nuk kishim as perceptimin më të vogël për Shqipërinë. Për të marrë informacion përdorëm disa kanale të tjera. Përdorëm jo burimet në Shqipëri, por disa shqiptarë të Kosovës. Pasi Jugosllavia kishte më shumë marrëdhënie me Evropën. Pra informacioni ishte shumë i paktë. Italia gjithashtu kishte disa marrëdhënie ekonomike me Kosovën. Pra për të kuptuar se si ishte situata në Shqipëri përdora disa nga këta persona. Ndërsa më tej i zbuluam gjërat vetëm. Unë nuk mund të harroj episodin e Vlorës. Vetëm brenda një nate erdhën me një anije të vogël shumë njerëz.
Në vitet 1989, 1990, ju keni qenë zv/kryeministër i Italisë, dhe në vitet 1989, 1992 ju keni qenë Ministër i Jashtëm. Besoj se kjo ka qenë periudha ku ju keni pasur kontaktet më konkrete dhe më direkte me Shqipërinë. çfarë kujtoni nga momentet e para.. .
Kam qenë Ministër i Jashtëm në fund të korrikut 1989, ndërsa në maj të atij viti mora pjesë në Bruksel në festimet e 40-vjetorit të Nato-s. Pas korrikut filloi një ndryshim i madh dhe problemet ishin shumë të mëdha për t’u përballur. Si Ministër i Jashtëm duhet të përballesha me një situatë shumë të rëndë. U përpoqëm të reagonim menjëherë. Ne u përpoqëm që të kishim një marrëveshje ndërkombëtare, ne duhet të negocionim një marrëveshje formale ndërmjet Italisë, Austrisë, Hungarisë dhe Jugosllavisë, e cila do të na ndihmonte për të zbutur tranzicionin e periudhës së Luftës së Ftohtë. Ne e firmosëm këtë traktat më 10 nëntor 1989, kohë në të cilën ndodhi edhe rrëzimi i Murit të Berlinit. Pra siç shihni gjërat kanë ndodhur shumë shpejt. Ne nuk mundëm që të evitonim krizën e Jugosllavisë.
Vizitën tuaj të parë e keni bërë në Shqipëri më 13 qershor 1991, kur gjatë 10 orëve keni takuar Ramiz Alinë, Ylli Bufin dhe Gramoz Pashkon. Nga ky takim çfarë përshtypje ju krijua nga politikanët shqiptarë?
Duhet thënë se kam pasur simpati për të gjithë. Unë kujtoj të ndjerin Gramos Pashko sepse ishte në ato javë më afër nesh. Ai përfaqësonte Partinë Demokratike. Të gjithë politikanët që kam takuar, nga Sali Berisha te Fatos Nano, ishin miq të mirë. Sido që shkuan ngjarjet, unë më pas i humba kontaktet pasi edhe në Itali ndodhën shumë gjëra në këto 20 vite. Sot ndodhem më jashtë ngjarjeve dhe mund të them se sot në Ballkan ka vazhdimësi të së djeshmes.
Ndryshimi i regjimit komunist solli mijëra e mijëra emigrantë brenda në Itali. Si e përballuar aty problemin e emigrantëve, a kishte paragjykime, çfarë bëtë për integrimin e tyre në jetën italiane.
Ky padyshim që ishte një problem shumë i madh. Italia gjithashtu ka qenë një vend emigrimi. Deri në vitin 1976 shumë italianë kanë emigruar. Dhe më pas nga 1989 e në vazhdim, papritur ne u bëmë një vend që presim emigrantë. Kur unë isha Ministër i Jashtëm kishim gati 1 milion emigrantë, jo vetëm nga vendet e botës së tretë, por edhe nga Ballkani. Emigrantët vinin edhe nga Rumania, por ndryshimi mes saj dhe Shqipërisë qëndron në faktin se ajo është vend i BE-së, dhe rumunët janë emigrantë komunitarë. Ndaj detyrë ishte integrimi i një numri të madh emigrantësh, një problem shumë i madh. Integrimi shkaktonte edhe përplasje sociale. Ne duhet t’i kthehemi dhe të kaluarës sonë për të kuptuar se e vetmja mundësi ishte integrimi i tyre. Ajo që kemi bërë me emigrantët shqiptarë është një shembull i mirë për të gjithë. Tani problemi nuk qëndron vetëm për të integruar shqiptarët në Itali, por Shqipërinë në Bashkimin Evropian.
Zoti, De Michelis, një nga personazhet më të rëndësishme të viteve ’90 ishte dhe Ramiz Alia. Si e kujtoni ju Ramiz Alinë, i cili kishte për detyrë të bënte kalim nga një sistem në tjetrin?
Unë personalisht kam një mendim pozitiv për ish-presidentin Alia. Ishte një situatë e vështirë, pasi një regjim sapo kishte rënë dhe një tjetër po niste. Zgjedhjet e tij e lehtësuan tranzicionin në Shqipëri. Në më pak se një vit u zhvilluan dy palë zgjedhje. Dhe në fund pa derdhje gjaku, pa dhunë, ndodhi tranzicioni.
çfarë mbani mend nga zoti Alia, ndonjë moment të vështirë politik dhe cili ka qenë roli i Italisë për ndryshimin e sistemit?
Ne nuk kemi dhënë ndonjë këshillë konkrete. Ne thjesht kemi ushtruar presione si edhe qeveritë e tjera perëndimore. Këtu Partia Komuniste sapo kishte fituar, zgjedhjet, të parat pluraliste dhe ne i bëmë presion që të pranonte një qeveri koalicioni. Kjo bëri që shumë shpejt të ndodhte një tranzicion i qetë politik. Kështu ndryshimi i sistemeve erdhi në një situatë shumë më pak dramatike se ajo që ndodhi në Rumani. Ne mendonim se në Shqipëri do të ishte më e vështirë, por nuk ndodhi kështu.
Po me z. Berisha a jeni takuar dhe si jeni njohur. A e nuhatët ju atëherë se Berisha do të ishte kaq i rëndësishëm për politikën shqiptare?
Këtë e vendosin shqiptarët dhe zgjedhjet e fundit e treguan. Unë mendoj se z. Berisha ka pasur një rol të rëndësishëm për ta menaxhuar këtë tranzicion. E kam takuar dhe mbaj mend në mars të vitit 1992, kur duhet të vepronim me operacioni Pelikani. E kam takuar në Durrës, kur më duket sapo kishte fituar zgjedhjet. Operacioni pelikani dhe sigurisht Berisha ndihmoi në kalimin e qetë nga një qeveri komuniste në një qeveri demokratike. Më tej ndodhën shumë gjëra si në Shqipëri, ashtu edhe në Itali.
Po Fatos Nanon si e keni njohur?
Fatos Nano nuk ishte vetëm pasuesi i Ramiz Alisë, por personi që bëri kalimin nga një parti komuniste në një Parti Socialiste. Ai erdhi shumë herë në Itali, pavarësisht vizitave tona të pakta në Tiranë. Unë jetoja në një hotel të Romës në atë kohë dhe z. Nano kam pasur rastin ta takoj shumë herë, ndërkohë i përkisnim familjes socialiste. Socialistët në Itali kaluan në kolaps dhe diçka e ngjashme ndodhi edhe në Shqipëri.
Këto janë kapriçot e historisë.
Këto janë pasojat e kalimeve kaq të menjëhershme e traumatike. Në këtë pikëpamje, unë mendoj se i shkoi më shumë Shqipërisë sesa Italisë. Fatosi kaloi një periudhë shumë të vështirë, por më pas u rikthye e u bë Kryeministër.
Si e njihni ju Fatos Nanon? A mund të na bëni një përshkrim?
Mendoj se si Berisha ashtu edhe Fatos Nano, kanë qenë pararoja e evropianizimit të politikës shqiptare. Mbase gjëja më e dhimbshme e tranzicionit shqiptar ishte politika. Në politikë ka gjithnjë një marrëdhënie me të shkuarën. Pavarësisht konflikteve, z. Nano dhe z. Berisha ishin elita e klasës politike.
Ju e përmendni shpesh operacionin Pelikani. Ju jeni marrë në pyetje nga drejtësia shqiptare për abuzimet me ndihmat, gjë për të cilin Fatos Nano u dënua me burg. çfarë kujtoni nga ky proces?
Siç e thashë dhe më përpara, ne kemi pasur raste të ngjashme. Edhe unë në Itali kam pasur një proces gjyqësor nga i cili dola i pafajshëm. Derisa doli i pastër, unë mendoj se as Fatos Nano nuk ka bërë gjë. çështja në Shqipëri shkoi ndryshe. Fatos Nano u rikthye në politikë, u bë faktor ndërsa unë jo. Unë u thashë prokurorëve shqiptarë, se nëse nuk do të ishin ndërmarrë ato operacioni ndihme, në Shqipëri do të kishte ndodhur një kolaps. Ndihem krenar për atë që kam bërë.
Sipas jush, a u përdorën politikisht akuzat për abuzime me ndihmat financiare?
Unë vetëm mund të gjykoj mbi atë që kam mësuar. Në ato momente nuk kishte shumë mundësi. Mbase nuk jam unë njeriu që duhet t’u kujtoj shqiptarëve se cila ishte situata në atë periudhë. Nuk kishim shumë mundësi dhe sigurisht nuk mund të zgjidhnim bashkëbiseduesin. Po ju them se operacioni Pelikani u ndërmarr nga ushtria italiane, ajo e menaxhoi opresionin, shpërndarjen e ndihmave. Duke qenë se nuk kishte as infrastrukturë. Ne mund të prisnim që të lindte infrastruktura, strukturat. Kjo ishte një rrugë e detyruar. Sigurisht që ne përdorëm disa kanale të qeverisë. Ne në një farë mënyrë vendosëm protektorat në një vend sovran. Ati ishin vite të ndërlikuara dhe të vështira. Duke parë rezultatin sot, pas 18 vjetësh, them se kemi bërë mirë.
Sot Shqipëria është anëtar i NATO-s, ndodhemi në një proces ku presim të marrim statusin e vendit kandidat dhe liberalizimin e vizave. A e mbështet Italia këtë aspiratë të Shqipërisë dhe shqiptarëve?
Mua duhet të them PO. Besoj se ky është edhe qëndrimi zyrtar i qeverisë edhe marrëveshja e nënshkruar së fundi e konfirmon këtë. Ne jemi mbështetësit kryesor në Bruksel. Besoj se jemi gati për të hedhur hapin e parë që është heqja e vizave. Në ato vite ne thuajse e kishim harruar ku ndodhej Shqipëria, ndërsa sot ka një këndvështrim tjetër. Ne jemi dy vende shumë afër njeri tjetrit, na ndan Adriatiku, që unë do ta konsideroja si një liqen të vogël.
25 vjet më parë ju kishit si këshilltar Renato Brunetën, kur ishit ministër, sot ju jeni këshilltar i tij dhe ai ministër. Pse ndodh kjo?
Kjo është normale. Unë tani i përkas së shkuarës. Tani është epoka e të rinjve. është e drejtë që unë tani ta ndihmoj Brunetën për të pasur një përfaqësim dinjitoz. Edhe në Shqipëri ka bashkëpunim me brezin e ri. Vetëm kështu mund të ecet përpara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›