Urdhri: Jo më në urgjenca, pacientë për dhimbje koke
zirina llambro
Në urgjencat e spitalit “Nënë Tereza” nuk do të pranohen më pacientë që vijnë në spital, qoftë edhe për një dhimbje të fortë koke,apo këputje në trup. Pos kësaj, laboratori i analizave do të ofrojë gamën e shërbimeve 24 orë. Mjekët duhet që në regjistrat e tyre të dokumentojnë nëse pacienti është vërtet rast urgjent që ndiqet në spital. Gjithçka në funksion të zbatimit të sistemit të referimit. Drejtori i QSU, Ilir Dashi, duke marrë shkas nga fluksi i pacientëve në urgjenca, u ka dërguar dje të gjithë shefave të pavijoneve urdhrin e ri për mirëfunksionimin e këtij shërbimi. Sipas këtij urdhri, Drejtoria e QSUT-së do të kontrollojë për çdo rast shtrimi urgjent, duke evidentuar mjekun dërgues, mjekun pranues, kartelat e shtrimeve që dërgohen nëpër shërbime të ndryshme, dhe sidomos përcaktimin dhe argumentimin e diagnozës së të sëmurit. “Të gjitha këto pavijone, si shërbimi i urgjencave, reanimacioni i Kardiologjisë, dhe shërbimet e Kardiologjisë janë të detyruara që në fund të çdo jave, të sjellin në Drejtori informacion të detajuar për pacientët e shtruar. Në bazë të këtij informacioni, do të shihet se sa është zbatuar sistemi i referimit dhe Urdhri nga mjekët. Në rast se konstatohen shkelje, Drejtoria do të marrë masa administrative ndaj tyre”, u shpreh Dashi. Po kështu, ai shtoi se në bazë të këtij Urdhri, për përmirësimin e shërbimit të Urgjencës është garantuar shërbim 24 orësh i laboratorit të analizave dhe Imazheria konvencionale. Sipas tij, Urdhri ishte një domosdoshmëri, pasi zbatimi i sistemit të referimit solli uljen e numrit të konsultave dhe rritjen e numrit të personave të shtruar në Urgjencë. Ky Urdhër do të sjellë mirë funksionimin e sistemit të urgjencës, pasi parashikon që asnjë nga pacientët të mos qëndrojë më shumë se 24 orë i shtruar në Urgjencë.