Sheshxhirimet në fotografitë e Saim Kokonës
Një album fotografik me punët më të mira, pse jo dhe prapaskenat e sheshxhirimeve. Ditën e premte, datë 26 shkurt 2010, ora 11.00, në ambientet e Teatrit Kombëtar festohet 76-vjetori i lindjes së operatorit të mirënjohur Saim Kokona, “Artist i merituar”, autori më se 30 filmave artistikë e dokumentarë. Do të prezantohet albumi fotografik me krijimtarinë e drejtorit të fotografisë Kokona, botim i AQSHF, do të ketë diskutime e përshëndetje nga kolegë si dhe do të shfaqet një montazh, 27 min, me disa nga krijimet e tij më të mira në karrierën e gjatë artistike. Aktiviteti organizohet nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, nën kujdesin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në bashkëpunim edhe me Teatrin Kombëtar. Saim Kokona u lind në Gjirokastër më 26 shkurt 1934. Kreu liceun artistik “Jordan Misja” për pikturë. Studimet e larta mbaroi në çeki për operator në vitin 1960. Nga viti 1960- 1991, vit në të cilin doli në pension, punoi në Kinostudion “Shqipëria e Re” si operator, ku realizoi 30 filma artistikë e po aq filma dokumentarë. Ka punuar me regjisorë të shquar si Dhimitër Anagnosti, Vitor Gjika, Piro Milkani, Gëzim Erebara, Xhanfise Keko, Rikard Ljarja, Kristaq Dhamo, Hysen Hakani e shumë të tjerë. Ndër filmat e tij më të suksesshëm përmendim “Ngadhënjim mbi vdekjen”, “Ndërgjegjja”, “Brazda”, “Beni ecën vetë”, “Koncert në vitin 1936”, “Radiostacioni”, “Njeriu i mirë”, “Taulanti kërkon një motër”, “Apasionata”, “Shpella e piratëve”. etj.