Spitalet, shërbimet për të cilat do paguajnë pacientët
zirina llambro
Tetë shërbime spitalore nuk do të përfshihen në skemën e sigurimeve shëndetësore. Këtu bëjnë pjesë spitalet psikiatrike, shërbimi kombëtar i transfuzionit, qendra e rehabilitimit të fëmijëve apo njësia e transportit me helikopterë. Pos tyre, një gamë e tërë shërbimesh është listuar në vendimin e qeverisë, pjesë e skemës së financimit nga Instituti i Sigurimeve Shëndetësore. Për to, pacientët e pasiguruar do të paguajnë me para në dorë asistencën mjekësore. Drejtoresha e ISKSH, Elvana Hana, gjatë një konference për shtyp, ka bërë me dije të gjitha detajet e reformës së re spitalore. Brenda marsit do të lidhen kontratat me spitalet në vend. Për herë të parë të ardhurat dytësore do të përdoren nga vetë këto institucione, të cilat do t'i administrojnë vetë ato". Në listën e përfshirë në vendimin e qeverisë janë të gjithë shërbimet që jepen sot në Republikën e Shqipërisë, por nuk është e thënë që të gjitha të jepen në një spital të caktuar. Për këtë arsye detajimi do të vazhdojë më tej me kontratat që do të lidhim ne me spitalet. Kontrata do të ketë të përcaktuar vetëm atë shërbim që jep spitali dhe atë do ta paguajmë ne, në momentin e kontraktimit dhe më tutje", tha Hana. Sipas saj, nëse do të ketë nevojë për t'u shtuar shërbime të tjera, do të ketë nevojë për para të tjera, e për këtë arsye do të negociohet midis ISKSH dhe Ministrisë së Financave, nëse do të duhet që kjo paketë e shërbimeve fillestare të jetë më e zgjeruar. Në fokus të Reformës, sipas Drejtoreshës së ISKSH, kësaj here do të jenë vërtet pacientët. "Pacienti, do të përfitojë faktin që spitalet do të kenë më shumë barna, pasi do t'i prokurojnë vetë që në fillim të vitit. Natyrisht të sëmurët do të garantohen nëpërmjet një kontrolli shumë të hollësishëm nga ISKSH. Kjo që të gjithë spitalet të kenë barna më të domosdoshme, sipas shërbimeve që ato japin", tha Hana. Ajo shtoi se kjo reformë i hap rrugën matjes reale të shërbimit, transparencës, në shërbimin shëndetësor. "Aktualisht, ne e dimë që nuk ka një transparencë se çfarë shërbimi jepet, në çfarë vendi, ku jepen këto shërbime, si respektohet sistemi i referimit nga spitalet rajonale në spitalin terciar, që është QSUT", nënvizoi drejtoresha. Të gjitha këto, me vendosjen e kontratës midis ISKSH dhe spitaleve, do të jenë të përcaktuara saktësisht, se çfarë shërbimi do të ofrojë secili spital kundrejt pacientit.
Pikat kyçe të reformës
Një nga pikat më të rëndësishme të reformës që sapo ka nisur ka të bëjë me shndërrimin e spitalit në person juridik, publik me buxhet të pavarur. Ky institucion do të ketë mundësi kontraktuale dhe do të jetë përgjegjës për realizimin e prokurimeve publike të vetë spitalit. Çka do të thotë që spitalet me vendimin e fundit të qeverisë fitojnë autonomi sa i takon përdorimit të fondeve për nevojat e spitalit
Monitorimi dhe standardet
Spitalet do të monitorohen nga ISKSH-ja, e cila do t'i kontrollojë për pjesën e financimit. Një rol themelor i mbetet Ministrisë së Shëndetësisë, e cila, sipas vendimit të qeverisë, brenda korrikut 2009 duhet të përcaktojë standardet për spitalet dhe deri në fund të vitit do të përcaktojë protokollet e diagnozës dhe të trajtimit për çdo shërbim. Spitali ushtron veprimtarinë e tij bazuar në këto standarde dhe mund të rivlerësohet çdo vit.
Borxhet e spitaleve
Në 18 vitet e fundit, borxhet që kanë grumbulluar spitalet mendohet të jenë rreth 12 milionë euro. Por nga sa bëri me dije Drejtoresha e ISKSH, ato nuk janë adresuar në vendimin përkatës për futjen e spitaleve në skemën e sigurimeve. "Një nga shkaqet është dhe fakti që nuk dihet shifra e saktë e këtyre borxheve, pasi janë të akumuluara ndër vite, pra ka 18 vjet që spitalet vazhdojnë të punojnë me borxhe", tha Hana. Ajo shtoi se për këtë arsye në fazën e parë, që është faza përgatitore, ISKSH do të identifikojë këto nëpërmjet kontratës. "Paskësaj do të kërkojmë adresimin e këtyre borxheve nga qeveria, që natyrisht në bisedat paraprake që janë bërë nuk do t'i ngelen as spitaleve as ISKSH. Pra ky buxhet që ju jepet spitaleve, do të përdorohet vetëm për nevojat e tyre, jo për borxhet", deklaroi drejtoresha.
Lista e shërbimeve
Lista e shërbimeve spitalore që do të financohen nga ISKSH
1. Shërbimi i Kardiologjisë
-hemodinamika
-reanimacioni kardiologjisë
2. Shërbimi i Kardiokirurgjisë
3. Shërbimi i Kirurgjisë angiovaskulare
4. Shërbimi i Hematologjisë
5. Shërbimi Gastrohepatologjisë
6. Shërbimi endokrinologjisë
7. Shërbimi nefrologji dhe hemodializë
8. Shërbimi anestezi-reanimacionit
9. Shërbimi urgjencës së sëmundjeve të brendëshme
10. Shërbimi I mjekësisë interne
11. Shërbimi alergologjisë
12. Shërbimi reumatologjisë
13. Shërbimi dermatologjisë
14. Shërbimi ortopedisë
15. Shërbimi okulistikës
16. Shërbimi ORL
17. Shërbimi kirurgjisë maksilo-faciale
18. Shërbimi i kirurgjisë së përgjithshme
19. Shërbimi i urgjencës kirurgjikale
20. Shërbimi i kirurgjisë digjestivë
21. Shërbimi urologjisë
22. Shërbimi djegje plastikës
23. Shërbimi neurologjisë dhe neurofiziologjisë
24. Shërbimi neurokirurgjisë
25. Shërbimi i onkologjisë dhe kirurgjia onkologjike
-statistika onkologjike (regjistri i kancerit)
-laboratori histopatologjik onkologjik
-laboratori klinik-biokimik onkologjik
26. Shërbimi rrezatim kobaltit
27. Shërbimi infektiv
28. Shërbimi pediatrisë përgjithshme
-urgjenca pediatrike
-fizioterapia pediatrike
29. Shërbimi pediatrisë së specialiteteve
30. Shërbimi pediatrisë infektive
31. Shërbimi kirurgjisë infantile
32. Shërbimi onkohematologjisë pediatrike
33. Shërbimi reanimacionit pediatric
34. Shërbimi laboratorëve (Klinik-biokimik, mikrobiologjik, imunologjik, anatomopatologjik, gjenetik mjeksor,laboratori mjekësisë nukleare)
35. Shërbimi imazherisë
36. Shërbimi fizioterapisë
37. Shërbimi statistikave
38. Shërbimi i pneumologjisë
39. Shërbimi kirurgjisë torakale
40. Shërbimi ftiziatrisë
41. Shërbimi gjinekologjisë
42. Shërbimi obstetrikës
43. Shërbimi patologjisë së barrës
44. Shërbimi i neonatologjisë
45. Shërbimi farmacisë
46. Shërbimi i konsultave ambulatore
47. Shërbimi i toksikologjisë
48. Shërbimi i koordinimit të urgjencave
49. Shërbimi i psikiatrisë ( QSUT )
50. kontrolli i infeksioneve spitalore
Mbështetur në ligjin e spitaleve
1. Spitali ditor
- shërbim të ndihmës së parë mjekësore për trajtim dhe kurim 24 orësh.
2. Spitali në nivel bashkie (rrethi)
- Shërbim urgjence
- Shërbim i mjekësisë së përgjithshme
- Shërbim i kirurgjisë së përgjithshme
- Shërbim i pediatrisë
- Shërbimi obstertik-gjinekologjisë
- Shërbimi i anestezi-reanimacionit
- Shërbimi i radiologjisë
- Shërbimi i laboratoreve klinik-biokimik
- Shërbimi farmacisë
3. Spitali në nivel qarku (rajonal)
- Shërbim urgjence
- Shërbim i mjekësisë së përgjithshme
- Shërbimi i kirurgjisë së përgjithshme + ortopedi traumatologji+urologji
- Shërbimi i pediatrisë
- Shërbimi i obsetrisë-gjinekologjisë
- Shërbimi i anestezi-reanimacionit
- Shërbimi i radiologjisë
- Shërbimi i fizioterapisë
- Shërbimi i laboratorëve klinike-biokimike dhe mikrobiologjike
- Shërbimi i anatomisë dhe histologjisë patologjike
- Shërbimi i hemodializës
- Shërbimi i farmacisë
- Klinika e ORL
- Klinika e okulistikës
- Klinika e sëmundjeve infective
- Klinika dermatologjike
- Kabineti i onkologjisë
- Kabineti i riaftësimit
- Kabineti i dietologjisë
Lista e institucioneve që nuk do të financohen nga ISKSH
Spitali Psikiatrik Vlorë
Spitali Psikiatrik Elbasan
Shërbime të shëndetit mendor në rrethe
Shërbimi i Psikiatrisë Shkodër
Qendra Kombëtare e Riaftësimit, mirërritjes dhe zhvillimit të fëmijëve
Shërbimi Kombëtar i Transfuzionit
Njësia e Transportit me Helikopterë