E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debat në KQZ për procesin e numërimit të votave



Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që nga ngritja e tij në muajin janar, është ndodhur dje për herë të parë përballë një situate bllokuese. Në mbledhjen e djeshme, anëtarët e KQZ-së nuk kanë arritur të marrin një vendim për të dytën herë, në lidhje me udhëzimin përkatës që përcakton mënyrën dhe procedurën e numërimit të votave. Pas një debati të gjatë mes përfaqësuesve ligjorë të Partisë Socialiste dhe kryetarit të KQZ-së, Arben Ristani, mbledhja është shtyrë për ditë tjetër pa marrë vendim.

Shkak ka qenë një kërkesë e Partisë Socialiste, e cila kërkon që në rast të bojkotit të numërimit të votave nga ana e sekretarit të Grupit të Numërimit të Votave dhe anëtarit të parë, procesi të mos të vazhdojë. Sipas Kodit Zgjedhor, anëtari i parë dhe sekretari ndahen përkatësisht mes PD dhe PS, ndërsa anëtari i katërt dhe ai i tretë zgjidhen me short. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, e ka cilësuar këtë kërkesë të PS-së si antiligjore, të pambështetur në Kodin Zgjedhor, madje ai i cilësoi këto si tentativa që kanë si qëllim të prishin procesin zgjedhor. “Udhëzimi sqaron raportin mes GNV-ve dhe teknologjisë dhe jo se si veprojnë GNV-të në raport me procesin e numërimit, pasi për mendimin tim këtë çështje e ka zgjidhur ligji. Por duket se këtu ka përpjekje për të prishur votimin, për të prishur procesin zgjedhor. Për sa kohë që doni të krijoni situata të tilla, unë mendoj se doni të prishni procesin e votimit”, - deklaroi Ristani, i cili bëri të qartë se pavarësisht se ndonjë anëtar i bën bojkot tavolinës së numërimit të votave, procesi nuk do të ndalet.

Ndërsa përfaqësuesi i PS-së, Genci Gjonçaj, tha se sekretari dhe anëtari i parë konsiderohen si pjesë e rëndësishme e Grupit të Numërimit të Votave dhe sipas tij, në rast të largimit të njërit prej tyre, procesi i numërimit të votave nuk mund të vazhdojë. “Ajo që unë do të propozoja, për të gjetur një zgjidhje racionale për të gjithë, është fakti që kërkohet më shumë kohë. Heqja e kësaj pike të debatueshme lë në heshtje shqetësimin tonë”, - kërkoi përfaqësuesi i PS-së. Por përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti, u kërkoi përfaqësuesve të PS-së që të argumentojnë me Kodin Zgjedhor se ku shkruhet “në rast të largimit të njërit prej tyre procesi ndalon”. Kosovrasti tha se Kodi përcakton qartë se nuk mund të ketë bllokim dhe se në rast të bojkotit të ndonjërit prej anëtareve, ai zëvendësohet me një tjetër. Gjithsesi, Kosovrasti kërkoi që kjo çështje të zgjidhet në formë konsensuale, duke bërë që kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, të mbyllte mbledhjen pa marrë ndonjë vendim përkatës. Çështja ka mbetur pezull pasi udhëzimi kërkon një votim për këtë udhëzim me të paktën 5 vota pro, që në fakt asnjë palë nuk i ka në KQZ, duke bërë të detyrueshëm konsensusin. “Konsensusi i votës së pestë duhet të jetë një mënyrë e qartë e të vepruarit të të gjithë juve, me qëllim që punët të ecin përpara”, - tha Kosovrasti. Ndërkaq, Kodi Zgjedhor ka përcaktuar se procesi i numërimit të votave mund të vazhdojë duke pasur në përbërje të tij jo më pak se dy anëtarë. Një Grup Numërimi Votash ka katër anëtarë dhe në rast se ndonjëri prej tyre largohet, atëherë procesi nuk ndalet, por vijon normalisht. “Në rast se ndonjë nga subjektet zgjedhore nuk paraqet propozime brenda afatit kohor të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, KZAZ-ja cakton me short anëtarët zëvendësues midis anëtarëve të KQV-ve që i përkasin këtij subjekti zgjedhor në rang zone zgjedhore. Në rast se nuk është i mundur plotësimi i numrit të anëtarëve të Grupit të Numërimit të Votave, ai funksionon me jo më pak se dy anëtarë”, - thuhet në Kodin Zgjedhor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›