Edi Rama: Platforma e qeverisë sime
Kreu i opozitës, Edi Rama, bën publike pikat e programit të tij dhe përgjigjet për ato që qeverisja aktuale i konsideron si arritje.
Duke folur për kartat, ju dhe partia juaj keni dhënë konsensusin për Kodin Elektoral, për mënyrën se si shqiptarët të votojnë, për pasaportat dhe kartat e identitetit.
Sot dëgjova nga partia juaj se nuk ka një mekanizëm për të verifikuar kartat e identitetit, dëgjojmë alarmin e selisë rozë deri në mundësinë e mosmbajtjes së zgjedhjeve në këto kushte.
A shikoni një farë përgjegjësie tek ekipi juaj, që ka negociuar për Kodin Elektoral?
Ky është një dështim i kësaj qeverie dhe përgjegjësi direkte e Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha. Për herë të parë në historinë e demokracisë së re shqiptare, qeveria ka pasur të gjithë kohën e nevojshme përpara, sepse për herë parë, falë opozitës sonë të re, në mendësi dhe qasje ndaj problemeve të vendit, i është dhënë kohë përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore më shumë se kurdoherë tjetër.
Mos harrojmë se deri në zgjedhjet më të fundit ishte minuta e fundit e mëngjesit të fundit para ditës së fundit, një minutë, para fillimit të fushatës që vendosi rregullat e lojës. Kësaj radhe kanë qenë plot 9 muaj në dispozicion të qeverisë dhe Kryeministrit.
Dhe në rast se qeveria dhe Kryeministri jo vetëm që janë të papërgjegjshëm, por janë dhe të prirur të deformojnë procesin duke penguar në vazhdimësi aksesin e barabartë të qytetarëve dhe duke bërë selektive, për të zbrazur zgjedhësit potencialë të krahut kundërshtar, kjo është përgjegjësi që Kryeministri nuk ka me kë e ndan dhe që bie tërësisht mbi supet e tij dhe kësaj qeverie.
Cili është tavani i pranueshëm për ju, pra, deri në çfarë pike do shkoni dhe më pas do thoni se procesi zgjedhor nuk mund të mbahet. Do braktisni zgjedhjet?
Ne për asnjë çast nuk kemi thënë dhe nuk kemi lënë të kuptohet se shohim si një rrugë të mundshme shtyrjen e zgjedhjeve. Kemi thënë dhe kemi përsëritur se procesi i administrimit dhe njëkohësisht përgatitja e infrastrukturës zgjedhore kërkonte plan të qartë, aftësi dhe përgjegjshmëri që qeveritarët e sotëm, ministria dhe Kryeministri nuk e kanë.
Por, ndërkohë, grupi ynë i ekspertëve i nivelit më të lartë është ngarkuar për ta monitoruar nga afër këtë proces dhe për të detektuar në të gjithë pjesën që ka të bëjë me zbardhjen e të dhënave, të gjitha deformimet që kanë arritur mbrëmë në konkluzionin se janë të gjitha kushtet për një kallëzim penal, për të gjithë ata që në strukturën e Ministrisë së Brendshme merren me të dhënat dhe informimin për këto të dhëna, që kanë të bëjnë me regjistrin dhe pajisjen e zgjedhësve me letërnjoftim.
Sepse konstatojmë shpërdorim të detyrës, falsifikim të dhënave dhe informim të rremë. Dhe, ndërkohë, kemi qenë dhe jemi në kontakt me komunitetin ndërkombëtar, të cilin sot e kemi informuar drejtpërdrejt për gjithë sa kemi konstatuar.
Unë përsëris që, çdo qytetar që kërkon fundin e këtij tranzicioni, kërkon mbylljen e këtij kapitulli të shëmtuar dhe hapjen e një kapitulli të ri, duhet të këmbëngulë për të aplikuar dhe për të marrë letërnjoftimin elektronik, në mënyrë që më 28 qershor të japë kontributin e vet për atë ndryshim të madh rrënjësor dhe historik që i duhet vendit tonë. 4 vjet të tjera si këto janë të papërballueshme, të padurueshme dhe papranueshme për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Kjo është ajo që thoni ju, ndërsa keni përballë një mazhorancë që ka vënë firmën në marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, ka vënë firmën në anëtarësimin në NATO, që ka firmosur dosjen e aplikimit të Shqipërisë për kandidimin në Bashkimin Evropian, një qeveri që thotë se ka ulur taksat, një qeveri që ka bërë rrugën Durrës-Kukës, një qeveri që ka shtruar disa nga akset kryesore të vendit dhe qindra apo mijëra kilometra, një qeveri që thotë se modeli i Tiranës nuk është modeli i së ardhmes!
Cila është oferta e Partisë Socialiste nesër dhe e juaj personale si Kryeministër i vendit?
Para se të përgjigjem, më lejoni të reagoj ndaj parashtrimit tuaj, duke thënë se varfëria më e madhe që pjell gjithë varfëritë e tjera, është varfëria e aspiratave dhe nuk ka varfëri më të madhe aspiratash sesa varfëria e kësaj qeverie dhe këtij Kryeministri, që sot u kërkojnë shqiptarëve të jenë të lumtur me çka këta zotërinj kanë bërë në 4 vjet.
Bilanci i kësaj qeverie mund të përmblidhet në disa pika: kemi luftuar korrupsionin! A është e vërtetë? Unë them me plot gojë jo. Ka ndryshuar vetëm drejtimi i kanaleve të korrupsionit, i cili është spostuar nga një klientelë pushteti te një tjetër dhe është përqendruar në duart e një familjeje dhe e ka kthyer qeverinë e vendit në një biznes të drejtpërdrejtë familjar dhe në duart e një klientele që përbën oborrin e sotëm qeveritar dhe që pa asnjë dyshim lidhet në një mënyrë apo në një tjetër me këtë bërthamë familjare.
Mjafton shpërthimi tragjik i Gërdecit, mjafton dëshmia rrëqethëse e atij vullkani korrupsioni që shpërtheu vetëm pak kilometra larg Tiranës dhe që përbën në vetvete shprehjen më kuptimplotë për të kuptuar atë që thashë më parë.
11 institucioneve të shtetit u janë mbyllur sytë dhe u janë lidhur duart për të mundësuar një trafik të mirëfilltë, korrupsion shtetëror dhe biznes ku familja që qeveris, politika në pushtet dhe klientela e oborrit qeveritar për përfitime marramendëse, u dhanë shqiptarëve një tragjedi marramendëse dhe këtu është vetëm pamja simbolike, kartolina dëshpëruese e korrupsionit të ditëve tona.
4 vjet të tjera me Sali Berishën, me këtë qeveri, me këtë oborr familjarësh e klientësh të këtij pushteti, do të thotë përqendrim i plotë i fatit të vendit në duart e një grushti njerëzish dhe në varësi të një oligarkie që do e kthejë Shqipërinë në model të papranueshëm dhe të pakonvertueshëm në mozaikun e modelit Evropian.
Thonë që kanë bërë rrugë. Nuk është qeveria që i bën rrugët, por taksapaguesit dhe kompanitë e ndërtimit. Qeveria garanton standarde. Kush janë standardet e rrugëve që janë shtruar në këto vite, janë vallë standardet e BE-së? Jo. Këto janë standarde që nuk kanë asnjë lidhje me standardet e BE-së. Thonë se ka rritur pagat.
Është e thjeshtë: pagat mund të jenë rritur, por me pagat neto, me ato që sot shqiptarët marrin në xhep, shqiptarët nuk blejnë më shumë se 4 vjet më parë. Shqipëria në NATO është e vërtetë. Askush s'e mohon edhe rolin e kësaj qeverie, por është e papranueshme që hyrja në NATO të jetë sinonim i kësaj qeverie.
Hyrja në NATO është sinonim i përpjekjes së përbashkët të klasës së sotme politike shqiptare, i qeverisë, opozitës, si dhe i një angazhimi shpirtëror, moral historik, i popullit që ka qenë populli me konsensusin më të madh për hyrjen në NATO.
Cila qeveri në botë mburret në një fushatë elektorale, kur kujton një mandat me ndërtime rrugësh rurale dhe ndërkohë, pasi ka premtuar në vitin 2005 4 mijë km, ka bërë 1400 km, ndërkohë që Shqipëria ka nevojë për 9 mijë km rrugë rurale.
Rrugët janë pjesë e modelit që ju i keni ofruar Tiranës. Megjithatë, gjithçka thatë për pasigurinë e rrugëve, a vlejnë për rrugën Durrës-Kukës? Ka pasur eksponentë të partisë suaj që e kanë vlerësuar rrugën, megjithatë asnjë nuk ka shkuar ta vizitojë, pasi ju keni frikë nga një rrugë e tillë. Një përgjigje e shkurtër për këtë pikë...
Unë e kam thënë me zë të lartë dhe e kam përsëritur me zë të lartë që kjo rrugë është një prioritet kombëtar dhe kthimi i syve nga ajo rrugë është i vetmi moment, i cili ka të bëjë me një politikë dhe jo thjeshtë me një punë komunale të kësaj qeverie.
Por, për fat të keq, atë rrugë që është një aspiratë e kahershme dhe një ide aspak e re, një ide e vjetër dhe e hedhur nga politika zyrtare me gojën e Kryeministrit Pandeli Majko, Sali Berisha e ktheu në një çështje ku nga njëra anë filloi dhe vazhdoi ndërtimi i rrugës dhe nga ana tjetër, në emër të rrugës, në emër të asaj aspirate dhe prioriteti të madh, në emër të të gjitha emocioneve që lidhen me atë rrugë, u krye një nga grabitjet më spektakolare dhe më të pafalshme të historisë së administrimit të fondeve publike të shtetit shqiptar, një grabitje për të cilën ka sot e gjithë ditën një proces të hapur dhe një grabitje, për të cilën të gjithë personat përgjegjës duhet një ditë të përgjigjen para ligjit, sepse dashuria për atdheun, qasja patriotike ndaj çdo gjëje që shpreh këtë dashuri dhe që e forcon atdheun, nuk janë arsye për të hapur një kanal korrupsioni, por janë arsye për të qenë edhe më transparent, më të drejtë dhe të ndërgjegjshëm.
Kur do ta vizitoni?
Unë pa asnjë dyshim do ta vizitoj rrugën kur ne ta inaugurojmë atë në formën e vet përfundimtare dhe jo copa-copa, siç po bëhet sot thjesht dhe vetëm për të marrë përfitime elektorale.
Cilat janë prioritet kryesore të programit?
Ne kemi përgatitur një program qindra faqesh, por kemi përgatitur dhe një sintezë që ka në thelb 7 pika kryesore. Ato lidhen me varfërinë dhe me nevojën për të luftuar atë. Pra, ne synojmë një politikë të re për prodhimin vendas, një politikë të re për fshatin, një politikë të re për arsimin, shëndetësinë, mjedisin, turizmin, dhe kohezionin social dhe territorial të vendit.
Dëgjohet shumë pak për taksat dhe burimet financiare. Cilat do të jenë burimet kryesore të të ardhurave të buxhetit tuaj për të realizuar këto premtime që ju bëni?
Fushata elektorale ka filluar dhe të gjithë bëjnë premtimet e tyre, por unë dua të nënvizoj se kjo është një fushatë që ndan dy rrugë: rrugën e politikës së vjetër me rrugën e politikës së re, që ne do ta shkruajmë së bashku. Për të shkruar këtë rrugë të re ne kemi mësuar shumë edhe duke qenë në opozitë.
Për këtë program ne kemi llogaritur dhe burimet e nevojshme financiare. Kjo do të bazohet në shndërrimin e qeverisjes në një qeverisje për shqiptarët dhe jo për persona të veçantë. Gjithashtu, ka shumë për të ndryshuar me burimet ekzistuese. Ne sot kemi qeveri, por nuk kemi shtet, prandaj ne do të ndërtojmë shtetin si një makineri në funksion të shoqërisë dhe zhvillimit të saj.
Ne i kemi kërkuar kësaj qeverie që të mos mbyllte bashkëpunimin me Fondin Monetar, sepse ne e kemi ende të domosdoshme monitorimin dhe mbikëqyrjen e tyre. Prandaj ne do ta rihapim programin e FMN-së. Në rast se ne sot do ta kishim këtë bashkëpunim, do të kishim të hapur të gjitha valvulat për të parandaluar krizën ekonomike që qeveria e mohon.
Ne do ta luftojmë krizën, qoftë nëpërmjet një pakete antikrizë, qoftë në bashkëpunim me FMN-së. Ne jemi shumë të vetëdijshëm për gjithçka kanë hequr bizneset shqiptare. Është ndryshuar më shumë se 30 herë legjislacioni fiskal, duke krijuar një kaos total për këtë kategori tepër të rëndësishme për zhvillimin e vendit. Prandaj dua të them se ne nuk do të ndryshojmë sistemin tonë fiskal, nuk do të ndryshojmë taksat, pra s'do t'i rrisim, por do të rrisim administrimin fiskal.
Keni thënë se do të krijoni ministrinë e fshatit. Pse mendoni se është e nevojshme për vendin tonë?
Sepse duhet të strukturojmë ekonominë dhe sepse duhet të kalojmë nga rritja ekonomike varfëruese për një pjesë të madhe të njerëzve, në zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm, që garanton akses të barabartë për të gjithë, për shërbime. Sot fshati është zë shumë i vakët dhe i zbehtë në buxhetin e shtetit shqiptar që quhet bujqësi.
Ndërkohë që të gjitha ato degë të tjera që shkojnë drejt fshatit, si rrugët rurale, apo investimet në arsim, apo investimet në shëndetësi, janë grimca të shpërndara, të shpërndara në një numër të tërë ministrish. Mes qytetit dhe fshatit qëndron një ndarje e madhe, ku ky i fundit shikon vetëm drejt qytetit.
Ministria e Zhvillimit Rural do të jetë përqendrimi i të gjitha fondeve publike në një dorë dhe vënia në dispozicion e këtyre fondeve publike në një plan të përgjithshëm të transformimit të fshatit shqiptar, nga një hapësirë e kthyer në mesjetë, nga një hapësirë ku 50 për qind e tokave janë djerrë dhe 35 për qind të tjera janë toka me probleme, për ta shndërruar hapësirën e fshatit nga një hapësirë ku ngrihen dhe ngrysen fermerë pa shpresë, në një hapësirë zhvillimi, që do të thotë se, për ne, në fshat jetojnë qytetarë të barabartë të Republikës së Shqipërisë, të cilët nuk meritojnë vetëm atë lëmoshën e shtetit për bujqësinë.
Një nga gjërat që do të ndryshojnë rrënjësisht është qeverisja, do të jete qasja jonë ndaj problemeve të vendit dhe do të jetë një transformim radikal i rolit sesi Kryeministri i Shqipërisë do ta bëjë rolin e tij.
Unë do të jem me qytetarët, që jetojnë në fshat, siç kam qenë në gjithë këto vite për t'i dëgjuar për të diskutuar dhe për të hedhur sëbashku të gjitha hapat. Ministria e Zhvillimit Rural do të jetë një superministri që do të planifikojë dhe do të shpërndajë të gjitha burimet e financimit në bazë të një vizioni të ri dhe të një programi integral të fshatit.
Ne do të bëjmë së pari një përmirësim të legjislacionit për tokën duke e përafruar me atë evropian. Ne kemi të paktën 10 ligje që bien ndesh me njëra-tjetrën dhe që e kanë bërë çorap punën e pronësisë mbi tokën në fshat. Do të bëjmë regjistrimin e tokës në zonat kadastrale, do të ndërmarrim një reformë institucionale për krijimin e sistemit të tokës.. Do të kemi kodin e tokës. Të gjitha këto do të jenë në funksion të vendosjes së një baze për të ruajtur konsolidimin e saj.
Çfarë do të bëhet me universitet dhe si do të arrini të plotësoni nevojat e të rinjve për tu arsimuar duke rritur cilësinë?
Ajo që ka ndodhur në universitetin në Shqipëri është një masakër e përmasave të jashtëzakonshme dhe të pallogaritshme. Në mënyrë më cinike qeveria ka lënë që dyert e universiteteve të shqyhen, jo duke synuar që studentët të marrin një diplomë që i vlen.
Duke i rrasur të gjithë në universitet si askund në europë, kjo qeveri ka luajtur rëndë jo vetëm me ëndërrat e këtyre të rinjve, por edhe me investimin e prindërve të tyre për endërrat e fëmijëve të tyre.
Ne nuk do të mbyllim universitetet, por do të ndërtojmë menjëherë sistemin e akreditimit të universitetit, përfshi edhe universitetet private, për të përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme. Do të krijojmë një sistem tjetër atë të vlerësimit që do të bëjë të mundur që çdo universitet i akredituar të vlerësohet si duhet.
Që njerëzit të dinë se ç'përfaqëson çdo universitet. Pra këtë sistem të ç'organizuar ne do ta kthejmë në një sistem në themel të të cilit do të jetë konkurrenca dhe merita. Këtë do ta bëjmë së bashku me pedagogët, pra do të krijojmë një sistem bashkëqeverisës.
Dua të them gjithashtu se analfabetizmi është kthyer në një rrezik të madh për shoqërinë shqiptare dhe për të cilën lind me një herë nevoja për të ndërhyrë. Pra dua të fokusohem në një luftë të pa shembull kundër analfabetizmit në mënyrë që të gjithë fëmijët shqiptarë të shkollohen.
Do të bëjmë testin e analfabetizmit dhe do të bëjmë të pamundurën për ta ç'rrenjosur atë. Do të bëjmë për mësuesit atë që nuk është bërë në këto 18 vite, dhe kjo jo vetëm për të rritur pagat.
Çdo bëhet me ish-ushtarakët, pra çfarë zgjidhje jepni ju për pensionet e tyre?
Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese për ushtarakët në rezervë dhe që Berisha nuk e zbaton. Ne do të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Cilat janë politikat dhe programet për të varfrit. Si do të arrijë PS që të ketë programe që luftojnë varfërinë në mënyrë që familjet e varfra të mos riciklojnë varfëri për fëmijët e tyre?
Pas 28 qershorit të gjitha nënat e reja që do të sjellin në familjet e tyre një jetë do të përfitojnë nga barrëlindja si gjithë gratë e tjera. Nuk mund të ketë një Shqipëri që i mban me mijëra familje me lëmoshë dhe i thotë që kjo është ndihma.
Kemi 18 projekte për të rritur punësimin. Ne do të fillojmë të hedhim hapat drejt një kohezioni të ri social që është i mundur, pasi ka shumë mundësi për të rritur punësimin në fshat dhe në qytet.
Çfarë do të bëni për të arritur liberalizimin e vizave?
Berisha sot nuk duhet ti tregoj shqiptarëve se kur duhet të liberalizohen vizat, por pse nuk u bë deri tani, dhe kjo sepse qeveria nuk është e aftë për të plotësuar kriteret e liberalizimit të vizave. Një reformë që do të vijë në këtë kuadër është edhe ajo në fushën e policisë, pra do të kemi vetëm një polici atë të shtetit shqiptar dhe që do të mbrojë gjithçka, sigurisht edhe me një polici bashkiake dhe polici burgjesh.
Çdo bëni me shtëpitë e rrethinave, pra me ato të ngritura në zona informate?
Berisha i shikon rrethinat e Tiranës dhe të qyteteve të mëdha vetëm si hambare për votat që i duhen për pushtetin tij vetjak dhe të oborrit të tij. Unë fola për një komitet shtetëror për zhvillimin e rrethinave për të mbyllur procesin e legalizimit.
Asnjë i ardhur në këto zona nuk duhet të mendojë se ardhmja e shtepisë së tij varet nga Berisha apo Rama, pasi ajo shtëpi e ka fituar statusin e vet. Ajo që duhet të mendojmë ne është sesi ti integrojmë ato në një jetë urbane, me kanalizime dhe ambiente publike.
Fitorja më 28 qershor është një bast kundër Sali Berishës, Fatos Nanos dhe Ilir Metës?
Nuk është fati im personal problemi i shqiptarëve dhe mbi të gjitha unë nuk jam në këtë garë për fatin tim personal. Unë nuk jam në këtë garë që një politikan të fitojë mbi një tjetër në garën e denigrimit të njeri-tjetrit, unë nuk jam në këtë garë që shqiptarët të shikojnë një tjetër kacafytje gjelash dhe pastaj pas katër vitesh të vijojnë të shohin të njëjtën shfaqje që kanë parë në këto 18 vjet.
Unë nuk jam në këtë garë për tu ngjitur nga një karrige në një tjetër dhe për tu bërë më i gjatë, unë jam në këtë garë sepse kam vetëdijen e thellë se Shqipëria është në udhëkryq. Nuk do të isha në këtë garë në rast se Shqipëria do të ishte normale, në rast se nuk do të ishte e kërcënuar nga analfabetizmi, në rast se nuk do të ishte në këtë situatë të rëndë ekonomike e në rast se nuk do të ishte e kërcënuar nga shumë fenomene të tjera negative.
Jam në garë për të gjitha këto arsye dhe jam në këtë garë sepse gjatë gjithë udhëtimit të jetës time kam ndjesinë e fortë të një misioni qytetar. Unë nuk jam politikan, jam një qytetar në mision dhe ky mision nuk është basti im personal.
Me rrugen
me atë rrugë u krye një nga grabitjet më spektakolare dhe më të pafalshme të historisë së administrimit të fondeve publike të shtetit shqiptar, një grabitje për të cilën ka sot e gjithë ditën një proces të hapur dhe një grabitje për të cilën të gjithë personat përgjegjës duhet një ditë të përgjigjen para ligjit, sepse dashuria për atdheun, qasja patriotike ndaj çdo gjëje që shpreh këtë dashuri dhe që e forcon atdheun nuk janë arsye për të hapur një kanal korrupsioni, por janë arsye për të qenë edhe më transparent, më të drejtë dhe të ndërgjegjshëm.
Për taksat
Ne jemi shumë të vetëdijshëm për gjithçka kanë hequr bizneset shqiptare. Është ndryshuar më shumë se 30 herë legjislacioni fiskal duke krijuar një kaos total për këtë kategori tepër të rëndësishme për zhvillimin e vendit. Prandaj dua të them se ne nuk do të ndryshojmë sistemin tonë fiskal, nuk do të ndryshojmë taksat, pra s'do ti risim, por do të risim administrimin fiskal.
Për arsimin
Do të krijojmë një sistem tjetër atë të vlerësimit që do të bëjë të mundur që çdo universitet i akredituar të vlerësohet si duhet. Që njerëzit të dinë se ç'përfaqëson çdo universitet. Pra këtë sistem të ç'organizuar ne do ta kthejmë në një sistem në themel të të cilit do të jetë konkurrenca dhe merita. Këtë do ta bëjmë së bashku me pedagogët, pra do të krijojmë një sistem bashkëqeverisës. Dua të them gjithashtu se analfabetizmi është kthyer në një rrezik të madh për shoqërinë shqiptare dhe për të cilën lind me një herë nevoja për të ndërhyrë