PS-KQZ: Komisionerët të pajisen me aparate për verifikimin e kartave
Përmes një letre, PS-ja paralajmëron se edhe kartat që janë shpërndarë, japin standard jo të pëlqyeshëm dhe janë kontingjent i falsifikimeve
TIRANË- Jo vetëm pajisja e gjithë shtetasve me letërnjoftime elektronike që nuk zotërojnë pasaportë, mbetet një problem themelor për socialistët në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Kjo pasi edhe ato letërnjoftime që janë prodhuar dhe shpërndarë deri më tani, japin për ta një standard jo të pëlqyeshëm dhe janë kontingjent i falsifikimeve.
Nisur edhe nga denoncimet që janë bërë kohët e fundit në media lidhur me një rrezik të tillë, Partia Socialiste kërkon që të merren masat e duhura për të shmangur çdo tentativë nga persona të ndryshëm, që do të kërkojnë të manipulojnë zgjedhjet nëpërmjet paraqitjes në qendrat e votimit me karta identiteti false.
Për këtë qëllim, me anë të një letre drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe paralelisht edhe prezencës së OSBE-së në Tiranë dhe ambasadores Glover që drejton ekipin e vëzhguesve të ODIHR-it, PS-ja kërkon që të gjitha komisionet e qendrave të votimit të pajisen me nga një aparaturë të posaçme, e cila mund të dallojë letërnjoftimet e sakta, nga ato të falsifikuarat.
"Nisur nga eksperienca në vende të tjera, ku në qarkullim janë gjendur edhe letërnjoftime elektronike të falsifikuara, nevoja për përdorimin e pajisjeve, që do të bënin dallimin mes dokumenteve të saktë, prodhuar dhe shpërndarë nga kompania "Aleat", dhe atyre të falsifikuar, bëhet emergjente.
Në këto rrethana, ju drejtohemi juve si institucioni përgjegjës përballë ligjit për administrimin, drejtimin dhe kontrollin e procesit parazgjedhor dhe atij zgjedhor, që të shqyrtoni dhe të vendosni për krijimin e mundësive teknike për komisionet zgjedhore (KQV) për verifikimin e vlefshmërisë së kartave të identitetit.
Zgjidhja për këtë shqetësim të posaçëm realizohet nëpërmjet pajisjes së komisioneve (KQV) me nga një pajisje të posaçme verifikimi të letërnjoftimeve elektronike", - shprehet sekretari socialist për çështjet ligjore, Fatmir Xhafaj, në letrën që i ka nisur dje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Partia Socialiste shpreh besimin se një vendim i tillë do të shërbejë si një garanci e domosdoshme për t'i prerë rrugën çdo lloj tentative manipulimi të mundshëm gjatë procesit të votimit me përdorim të kartave të rreme.
"Partia Socialiste beson fort se dukuritë e përsëritura në proceset e mëparshme zgjedhore të votimit me certifikata të falsifikuara, në kushtet e mungesës së kontrollit të tyre në KQV, do të shmangeshin në maksimumin e mundshëm me marrjen e një vendimi të tillë nga ana juaj", - thuhet më tej në këtë letër.
Gjithashtu, selia rozë çmon se kjo është një kërkesë plotësisht e realizueshme dhe tërësisht e legjitimuar, pasi do të ndikojë pozitivisht në rritjen e besimit në procesin e votimit më 28 qershor 2009.
"Theksojmë se, në funksion të detyrës kushtetuese e ligjore që ka KQZ-ja për përgatitjen dhe administrimin e zgjedhjeve, besimi i palëve në këtë proces është thelbësor dhe garanci paraprake për vetë suksesin e procesit.
Në këto kushte, kjo kërkesë duhet të konsiderohet nga ju si një nevojë e domosdoshme që duhet adresuar pozitivisht, me qëllim mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ardhshme", - shprehet Xhafaj në letrën e tij.
Ky është vetëm njëri nga problemet që kanë adresuar socialistët lidhur me çështjen e kartave, pasi prej më shumë se dhjetë ditësh ata kanë denoncuar në vazhdimësi rrezikun që u kanoset zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, nga pamundësia për të pajisur të gjithë shtetasit pa pasaportë me letërnjoftime elektronike.