E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata e PD-së, miting madhështor në Elbasan



Elbasani i dhuron PD-së mitingun më madhështor të zhvilluar ndonjëherë në këtë qytet. Mijëra qytetarë të tij u mblodhën mbrëmë në hapjen e fushatës elektorale duke i dhënë mbështetje të gjerë PD-së në prag të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Kryeministri Sali Berisha entuziazmoi të pranishmit në shesh se pas anëtarësimit në NATO, destinacioni i shqiptarëve është Evropa. Me sigurinë se çdo votë e tyre më 28 qershor do të shkojë për vazhdimin e reformave, rritje të pagave dhe pensioneve, ndërtimit të rrugëve, shkollave e spitaleve, ujë dhe drita 24 orë, Berisha ftoi Edi Ramën të kthehet në garën e 28 qershorit. Kryeministri i bëri atij të ditur se është i gatshëm t’i japë kohë, nëse Rama pranon të kandidojë për deputet. “Nga sheshi i Elbasanit, në emër të popullit të Elbasanit, do t’i kërkoj zotit Rama, i cili u deklaronte mbrëmë durrsakëve se nuk mund të hynte në Parlament, pasi nuk mund të tradhtonte qytetarët. Por, a është tradhti ndaj jush nëse ju votoni drejtuesin tuaj për në Parlament? Çfarë tradhtie përbën kjo? Së dyti, zoti Rama, destinacioni i këtyre qytetarëve, pavarësisht nga hallet që kanë, është vetëm një, Evropa dhe vetëm Evropa”, - deklaroi z. Berisha. Kryeministri i kujtoi Ramës se asnjë lider partie në historinë e Evropës demokratike s’e ka nisur forcën e vet politike drejt zgjedhjeve dhe nuk është vendosur në krye të listës. “Ti, - shtoi Berisha, - nuk e bën dot këtë, ndonëse unë, në emër të respektit që kam për socialistët dhe për vendin tim, të jap ty kohë ta vendosësh emrin në krye të listës, por ti s’e bën dot këtë, sepse për ty standardi evropian janë lejet e bashkisë dhe lejet e ndërtimit. Ti nuk e bën dot këtë, sepse ti zoti Rama nuk do zgjedhje, do karrige dhe leje ndërtimi. Kjo është e vërteta, thuaja shqiptarëve sepse me ty dhe pa ty, zgjedhjet do të jenë madhështia e demokracisë shqiptare”, - tha z. Berisha. Kryeministri ftoi elbasanasit dhe mbarë shqiptarët që më 28 qershor të vendosin për vazhdimin e ndryshimit pasi e ardhmja e tyre do të jetë evropiane. Berisha foli për arritjet 4-vjeçare të qeverisë që ai drejton teksa u fokusua tek projektet e mëdha të 4 viteve që vijnë. “Vij para jush për t’u zotuar se në këtë qytet, pavarësisht se qeverisin socialistët, kushdo që të jetë në pushtet, nuk do të ketë rrugë të paasfaltuara në fund të mandatit tonë të dytë. Unë vij këtu tek ju për t’u zotuar njësoj si katër vite më parë, se Elbasani evropian dhe Shqipëria evropiane për mua do të thotë që pensionist e Elbasanit dhe të mbarë Shqipërisë të shpërblehen jo si tani, që kemi parakaluar dy vende anëtare të BE-së, por të parakalojmë me paga dhe pensione edhe katër vende të tjera. Vij sot këtu me angazhimin tim të plotë se punësimi dhe vetëm punësimi do të jetë përparësia ime më madhore për Elbasanin dhe për Shqipërinë”, - u shpreh z. Berisha. “Në mbi 15 hidrocentrale, - shtoi ai, - ndër të cilët edhe gjigandi i Evropës me 68 km tunel në kaskadën e Devollit, do të punësohen dhjetëra e mijëra qytetarë të këtij qarku”. Berisha garantoi se për ndërtimin e infrastrukturës së këtij rrethi do të punësohen me mijëra të tjerë. Një tjetër garanci e tij ishte ajo e ngritjes së parkut industrial, pasi u vendosën standardet më të mira të mbrojtjes së mjedisit, në metalurgjik, çimento e krom, do të punësojë me mijëra e mijëra qytetarë të Elbasanit. Kreu i qeverisë foli për traditat historike dhe kulturore të popullit të Elbasanit dhe u kujtoi elbasanasve se tashmë ata janë qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s dhe shumë shpejt edhe të familjes evropiane. “Ne mblidhemi në këtë shesh pasi me përpjekje të mëdha ia dolëm që Shqipërinë, e cila rënkonte nën kthetrat e informalitetit, ta nxjerrim në krye të rritjes ekonomike në Evropë dhe ia dolëm që vitin e fundit në qarkun tuaj të jenë të projektuara dhe të firmosura me dhjetëra e dhjetëra vepra energjitike. Unë nuk vij këtu për të kërkuar votën për këto që kemi bërë, megjithëse jemi të bindur se këto kanë ndryshuar dhe do të ndryshojnë shumë për mbarë jetën tonë”, - theksoi Kryeministri i vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›