Tregtarët çamë, Berishës: Rama na mbyti me taksa
Tregtarët çamë i ankohen Kryeministrit Sali Berisha se kryebashkiaku Rama po rrezikon bizneset e tyre me taksat vjetore. Ata i shprehën dje Kryeministrit shqetësimet e tyre edhe për mosmbajtjen e premtimit nga ana e Ramës për ndërtimin e këtij tregu në qendër të Tiranës. Kryeministri gjatë vizitës së zhvilluar dje në tregun çam, u premtoi biznesmenëve të vegjël pikërisht ndërtimin dhe sistemimin e tregut dhe se nuk do të lejojë kryebashkiakun që t’u shvasë biznesin e tyre. Z. Berisha shkoi tek ata edhe me premtimin vetëm 1 euro të taksës së tabelës për bizneset, e cila do të përcaktohet me ligj. Kryeministri u ndal dhe bashkëbisedoi me tregtarët e këtij tregu, ku u njoh nga afër me problematikat e aktivitetit të tyre ekonomik. Përfaqësues të biznesit të vogël në këtë treg i shprehën shqetësimin Kryeministrit Berisha për rritjen e taksave vjetore nga bashkia e kryeqytetit, duke theksuar se këto taksa po rëndojnë dhe po bëjnë shumë të vështirë biznesin e tyre. Ata falënderuan Kryeministrin Berisha për vëmendjen e treguar nga qeveria ndaj këtij biznesi dhe u shprehën se ishin taksapagues të rregullt të çdo detyrimi. Ata theksuan se në një takim të zhvilluar me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, i kishin kërkuar atij mbajtjen e premtimit për ndërtimin e këtij tregu me të gjithë elementët e nevojshëm, por prej tij kishin marrë përgjigje negative dhe arrogante. Kryeministri Berisha theksoi në këtë drejtim se arroganca është tipari më i keq i një zyrtari dhe i siguroi biznesmenët se do të kenë mbështetjen totale të qeverisë së tij për sistemimin e këtij tregu dhe për ndërtimin e rrugës në këtë treg. “I kërkova kryetarit të minibashkisë suaj, zotit Bogdani, të bëni bashkërisht projektin dhe ne do ta financojmë ndërtimin e këtij tregu, të cilin ju e meritoni plotësisht”, - theksoi Kryeministri. Z. Berisha vuri në dukje rëndësinë e madhe të biznesit të vogël në zhvillimin ekonomik të një vendi. “Për këtë arsye, - vijoi Kryeministri, - 4 vite më parë premtuam përgjysmimin e taksës kombëtare për këtë biznes dhe e realizuam atë, si një vendim shumë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm”. Kryeministri nënvizoi se ishte pikërisht politika e taksave të ulëta ajo që e ruajti Shqipërinë të paprekur nga kriza botërore ekonomike dhe që bëri që ndërkombëtarët të pohojnë se Shqipëria është e para për rritjen ekonomike në Evropë. Kryeministri u ndal në çështjen e ngritjes së taksave nga Bashkia e Tiranës, duke theksuar se në dhunim të të gjitha ligjeve, kjo bashki shumëfishoi taksat për biznesin e vogël nga 2 deri në 4 herë. “Por, - theksoi Kryeministri, - qeveria nuk e lejoi këtë gjë dhe vendosi me ligj që nuk mund të paguhet nga biznesi i vogël asnjë qindarkë më shumë se 10 për qind e taksës së përgjithshme. Për çdo moskorrektësi me këtë ligj, kryetari i bashkisë dhe cilido taksambledhës që do ta shkelë këtë vendim, do të përgjigjet para ligjit”, - vijoi Kryeministri. Kryeministri vuri në dukje se autonomia e pushtetit vendor është shumë e nevojshme, por kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk duhet të abuzojë me këtë gjë dhe të 2-4-fishojë taksat. “Kjo e detyroi qeverinë të ndërhyjë me një ligj të veçantë, duke sanksionuar se nuk ka taksë për ju mbi 10 për qind, taksë e përcaktuar nga qeveria me ligj. Nuk ka gjë më të rëndësishme se të punojmë për forcimin dhe zhvillimin e biznesit të vogël, sepse në çdo vend të zhvilluar të botës 70 për qind e të punësuarve janë nga ky biznes”, - u shpreh Kryeministri. Z.Berisha u ndal dhe në çështjen e taksës së tabelës, për të cilën u shpreh se kjo taksë do të përfshihet në ligj dhe në mënyrë absolute ajo nuk do të jetë mbi 1 euro.