PS kërkon verifikim të kartave ditën e votimit
Kur kanë mbetur dhe pak ditë nga zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, Partia Socialiste ka dalë me një kërkesë të re për sa i përket sigurisë së përdorimit të kartave të identitetit në votime. Me anë të një letre dërguar KQZ-së dhe OSBE/ODIHR-it, PS kërkon pajisje të posaçme për verifikimin e kartave në qendrat e votimit. Frika e partisë në opozitë vjen nga problemet që ka pasur në zgjedhjet e kaluara me falsifikimin e certifikatave. “Në praktikën konkrete të përditshme është vënë re dhe është deklaruar edhe publikisht se rezulton të jetë e pamundur që komisionerët e qendrave të votimit të verifikojnë vërtetësinë e këtyre dokumenteve. Verifikimi i saktësisë dhe autenticitetit të dokumenteve të identifikimit që do të përdoren në procesin e votimit bëhet edhe më tej i domosdoshëm, në kushtet kur raportohen pasaktësi në mbushjen e tyre dhe mundësi të aplikimit më shumë se një herë të një shtetasi”, - thuhet në letrën e dërguar dje nga Fatmir Xhafaj, sekretar për Çështjet ligjore dhe Koordinimin. Ndërkohë kjo parti i referohet dhe eksperiencave në vende të tjera, ku sipas saj, në qarkullim janë gjendur edhe letërnjoftime elektronike të falsifikuara. Në këtë kontekst, sipas PS-së, “nevoja për përdorimin e pajisjeve që do të bënin dallimin mes dokumenteve të sakta, prodhuar dhe shpërndarë nga kompania aleat dhe atyre të falsifikuar, bëhet emergjente”. Nuk dihet nëse është koha e mjaftueshme për ta realizuar këtë investim teknik, gjithçka mbetet për t’u parë nga vendimi i KQZ-së. Ndërkohë PS-ja e ka pasur kryefjalë të kritikave të saj ndaj qeverisë, por asnjëherë deri më tani nuk kishte kërkuar marrjen e masave të tilla. Xhafaj i kërkon KQZ-së që të vendosë për krijimin e mundësive teknike për komisionet zgjedhore (KQV) për verifikimin e vlefshmërisë së kartave të identitetit. “Zgjidhja për këtë shqetësim të posaçëm realizohet nëpërmjet pajisjes së komisioneve (KQV) me nga një pajisje të posaçme verifikimi të letërnjoftimeve elektronike”, - propozon ai. PS e cilëson marrjen e një mase të tillë si një garanci të domosdoshme për t’i prerë rrugën çdo lloj tentative manipulimi të mundshëm gjatë procesit të votimit me përdorim të kartave të rreme. “Partia Socialiste beson fort se dukuritë e përsëritura në proceset e mëparshme zgjedhore të votimit me certifikata të falsifikuara, në kushtet e mungesës së kontrollit të tyre në KQV, do të shmangeshin në maksimumin e mundshëm me marrjen e një vendimi të tillë nga ana juaj.
Partia Socialiste çmon se kjo është një kërkesë plotësisht e realizueshme dhe tërësisht e legjitimuar, e cila do të ndikojë pozitivisht në rritjen e besimit në procesin e votimit më 28 qershor 2009”, - theksohet në letrën e kësaj partie. Ndërkohë PS nuk lë pa vënë në dukje se kjo gjë ka të bëjë dhe me besimin që do shfaqë ajo në procesin zgjedhor duke e përfunduar letrën me frazën: “Besimi i palëve në këtë proces është thelbësor dhe garanci paraprake për vetë suksesin e procesit”.
LSI: Kartat, problem serioz
Ndërkaq dhe një parti tjetër e së majtës, LSI, shprehet e shqetësuar për procesin e pajisjes me karta identiteti, por nuk jep ndonjë propozim duke u mjaftuar vetëm me kritika të përgjithshme. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, z. Petrit Vasili, tha dje se “problemi i kartave të identitetit, është pa asnjë diskutim, një problem i madh dhe serioz dhe çdo minutë që po humbë, që nga ky moment dhe në vazhdimësi, është një dëm që i bie standardeve aq të domosdoshme të zgjedhjeve të ardhshme të 28 qershorit”.