E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debat në grupin e PD, Berisha: Për dosjet i referohemi ligjit të 2006

Kryeministri Berisha ka bërë të qartë para deputetëve demokratë qëndrimin e tij lidhur me hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit. 

Duke folur gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura, kreu i qeverisë tha se, "ne do t'i referohemi ligjit të vitit 2006 që kemi paraqitur për hapjen e dosjeve. Unë personalisht nuk jam për hapjen e të gjitha dosjeve, sikundër jam i mendimit se ata që kanë qenë bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit, nuk duhet të jenë më në politikë apo në institucionet e larta vendimmarrëse". Por mbështetja e ligjit të vitit 2006 nga ana e PD-së, shmang draftin e paraqitur katër ditë më parë nga deputeti demokrat, Aleksandër Biberaj. I ndodhur në këtë situatë, Biberaj mësohet të ketë thënë në mbledhjen e grupit të PD-së se, "grupi parlamentar më mandatoi mua për të bërë një draft lidhur me hapjen e dosjeve. Në projektin që kam paraqitur në Kuvend kam marrë parasysh tre draftet e paraqitura më parë si dhe praktikat e vendeve të tjera të Evropës Lindore. Për këtë unë kërkoj që të zhvillohet një mbledhje e grupit parlamentar, ku të diskutohet vetëm për këtë çështje". Pas diskutimeve mësohet se është vendosur që gjatë ditës së sotme, në orën 13:00 të zhvillohet një mbledhje në të cilën do të përcaktohet qëndrimi zyrtar i PD-së, lidhur me draftin që do të mbështetet. PD-ja pritet të zgjedhë mes draftit të paraqitur dy vjet më parë, i cili mban firmën e Bamir Topit si dhe drafti i paraqitur nga Biberaj, i cili ka shumë ndryshime nga varianti i PD-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›