E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni, pranga mjekut pas operacionit në veshka

Arrestohet me akuzën e korrupsionit mjeku kirurg Kastriot Dautaj. 

Dashamir Biçaku

Një hetim i filluar që më 8 janar 2008, ka përfunduar dje me arrestimin e mjekut kirurg-urolog, i cili u arrestua vetëm pak çaste pasi mori një shumë prej 50 mijë lekë të reja ryshfet nga Ibrahim Haka, babai i pacientes që ishte operuar nga i arrestuari. Operacioni policor "Veshka e Humbur" ka arrestuar edhe dhënësin e shumës së ryshfetit, Ibrahim Haka, i cili i kishte paguar paratë mjekut Kastriot Dautaj, 66 vjeç, banues në rrugën "Bardhyl", i cili ra në pranga në dhomën e tij të punës në pavionin e Urologjisë në Qendrën Spitalore "Nënë Tereza". Sipas njoftimit të policisë, mjeku u arrestua pak momente pasi ka marrë nga Ibrahim Haka, 50 mijë lekë të reja. Dhënësi i parave kishte operuar tek mjeku vajzën e tij, Luljeta Hoxha, 30 vjeçe. Mjeku kirurg, gjatë pyetjes në polici, nuk ka dhënë asnjë deklarim për hetuesit, ndërsa babai i pacientes ka pranuar dhënien e parave, duke qenë i detyruar për kryerjen e operacionit me sukses për vajzën e tij. Luljeta Hoxha, e martuar me dy fëmijë, ishte operuar paraditen e djeshme në një nga sallat operatore nga kirurgu Dautaj, për eliminimin e gurëve në veshka. Për këtë ajo ka qenë e detyruar të paguajë nëpërmjet babait të saj, 50 mijë lekë të reja. Bazuar në dyshime të policisë, pikërisht për krimin e mitmarrjes, Prokuroria e Tiranës kishte regjistruar një procedim penal. Sipas hetimit të kryer të rastit konkret, burimet e policisë thonë se Luljeta Hoxha është shtruar në spital të premten për të kryer ekzaminimet paraprake dhe ditën e parë të javës ishte lënë për t'u kryer operacioni. Bisedat mes mjekut dhe babait të pacientes janë regjistruar nga kamera vëzhgimi të vogla, të cilat kanë kapur thuajse çdo veprim të kryer në zyrë, në kafe dhe vende të tjera publike. Nga këto veprime hetimore dhe filmime të kryera me mjete speciale, policia ka mundur të filmojë gjashtë raste të marrjes së parave nga të afërm të pacientëve. Ibrahim Haka, banues në fshatin Bërxull të Tiranës, ishte detyruar që për të përballuar shpenzimet e operacionit së të bijës të gjente një shumë prej rreth 70 mijë lekësh të reja, që duheshin për shpenzime të ndryshme në spital. Nga këto para 50 mijë lekë ishin destinuar sipas policisë për mjekun kirurg, Kastriot Dautaj. Kështu ata kishin rënë dakord edhe për paratë që duhej të jepeshin pas operacionit. Mëngjesin e djeshëm, Luljeta Hoxha, pacientja e fundit e mjekut Dautaj, ishte paraqitur bashkë me prindërit e saj në spital, për të kryer operacionin. Kohë më parë oficerët e zyrës Antikorrupsion kishin instaluar në ambiente të ndryshme si kafene, zyra, dhoma dhe vende të tjera pajisje përgjimi ambientale. Kirurgu Dautaj ka dalë nga salla e operacionit pas më tepër se një orë ndërhyrjeje në veshkë për heqjen dhe pastrimin e saj nga gurët. Ashtu si edhe në shumë operacione të tjera, puna ishte kryer e pastër dhe gjithçka kishte shkuar me sukses. Pasi ka lënë sallën e operacionit, mjeku ka mbërritur në zyrën e tij në fund të korridorit, në krahun jugor. Duke vrapuar pas mjekut ka qenë babai i pacientes Luljeta Hoxha. Të dy së bashku janë futur në zyrë, ku edhe ishin më të sigurt për dhënien e parave. Ibrahimi ka nxjerrë një letër të mbështjellë, në të cilën ndodheshin plot 50 mijë lekë të reja. Babai i pacientes, pavarësisht mirëbesimit të mjekut, ka numëruar kartëmonedhat një mijë lekëshe dhe 5 mijë lekëshe. Të gjitha së bashku bënin shumën e 50 mijë lekëve të reja. Babai i pacientes më pas ka lënë zyrën e mjekut dhe është drejtuar për në dhomën e vajzës së tij, të cilës ende nuk i kishte dalë gjumi nga gjendja e narkozës. Nuk është dashur shumë dhe "pacientë" të panjohur kanë bujtur papritur në zyrën e mjekut. Pasi janë prezantuar, agjentët dhe oficerët e policisë i kanë komunikuar mjekut se duhej të kontrollonin zyrën dhe atë fizikisht. Policia ka gjetur shumën prej rreth 50 mijë lekësh të reja të marrë ryshfet nga mjeku. Nuk është dashur shumë që hetuesit t'i vinin prangat kirurgut dhe ai të dërgohej në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Bashkë me të është shoqëruar edhe babai i vajzës, Ibrahim Haka, për t'u pyetur për rrethanat e ngjarjes. Fillimisht hetuesit kanë pyetur mjekun kirurg, Kastriot Dautaj. Ai nuk ka pranuar të flasë, por vetëm ka kërkuar të asistohet gjatë pyetjes së tij nga një avokat. Në prani të dhënësit të parave, kirurgu nuk ka pranuar të flasë apo të shprehet mbi situatën. Ndërkaq mitdhënësi i arrestuar, Ibrahim Haka, u ka pohuar oficerëve të Drejtorisë së Policisë së Shtetit dhe të Tiranës se kishte qenë i detyruar t'i jepte paratë mjekut. "M'i kërkoi që të premten dhe më tha se duhej t'ia jepja pas operacionit". Gjatë pyetjes së tij nga hetuesit, i arrestuari Ibrahim Haka ka mbajtur qëndrim bashkëpunues dhe kjo ka ndihmuar policinë në mbledhjen e provave të reja.

Kirurgu i pasur, zbulohen llogari bankare me vlerë 630 mijë dollarë

TIRANË - Zyra Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës, më 8 janar të këtij viti, ka regjistruar procedimin penal nr.76 ndaj mjekut Kastriot Dautaj, pas referimit të Drejtorisë së Antikrimit Ekonomik të Policisë së Shtetit. Prokuroria kishte marrë një informacion nga Drejtoria Kundër Pastrimit të Parave në Ministrinë e Financave, se mjeku kirurg Kastriot Dautaj kishte depozituar në llogari të tij në dy banka të ndryshme 268.247 USD. Sipas burimeve zyrtare të policisë dhe të prokurorisë, paratë e mësipërme të depozituara në një prej bankave të nivelit të dytë, ishin deklaruar si burim i të ardhurave nga profesioni i tij si mjek dhe si pedagog pranë Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë. Po kështu verifikimet e kryera në të njëjtën bankë, hetuesit kanë gjetur një llogari rrjedhëse me një shumë tjetër të konsiderueshme prej 365.819 dollarë amerikanë. Këto para, sipas policisë, ishin derdhur në bankë në emrin e tij dhe të bashkëshortes, si të ardhura të përbashkëta. Nga hetimet e kryera nga Policia e Shtetit dhe organet përkatëse hetimore, është zbuluar se Kastriot Dautaj nuk ishte i regjistruar me ndonjë subjekt të tatueshëm në Drejtorinë e Tatimeve, si person i tatueshëm apo me aktivitet financiar privat që gjeneron të ardhura. Këto të dhëna duket se kanë punuar kundër mjekut kirurg, që njihej si jo pak i respektuar në ambientet spitalore akademike dhe shoqërore. Sipas deklarimit zyrtar të organit të akuzës, ata kanë tashmë të provuara së paku edhe pesë raste të tjera të marrjes së parave nga mjeku kirurg, pacientëve të tij. Të gjitha këto raste, sipas deklarimit të Prokurorisë, janë filmuar nga mjetet speciale të përdorura nga zyra e Antikorrupsionit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Por hetuesit kanë pohuar dje se ata nuk do të mjaftohen vetëm me pamjet filmike dhe regjistrimet zanore të regjistruara nga mjetet e posaçme të instaluara në ambiente të ndryshme prej agjentëve. Sipas tyre, të gjithë të afërmit e pacientëve që kanë hyrë në zyrat e mjekut Dautaj dhe që kanë dhënë para në këmbim të punës së tij si mjek, do të thirren për t'u pyetur. "Duhet të marrim dëshmitë e secilit prej të afërmve që janë regjistruar duke dhënë para. Më pas do të gjykohet për secilin rast", pohoi dje për gazetën "Panorama" një nga hetuesit dhe krerët e operacionit "Veshka e humbur".

“I hoqi veshkën pacientes pa i treguar”

Mjeku urolog, Kastriot Dautaj, i arrestuar dje nga Task-Forca Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës, është paralajmëruar në vitin 2006 për heqje të së drejtës për ushtrimin e profesionit.

Trazhgim Sokolaj

Denoncimet e mbërritura në Prokurorinë e Tiranës në fillim të këtij viti për korrupsion, nuk kanë qenë ankesat e vetme për mjekun urolog. Në vitin 2006 në Prokurorinë e Tiranës ishte regjistruar një padi ndaj tij nga një paciente, e cila e akuzonte Kastriot Dautin se i kishte hequr njërën veshkë në operacion pa i treguar asgjë për këtë. Në atë kohë denoncimi në Prokurori duket se nuk është vlerësuar ndërsa masa ndëshkimore ndaj urologut është dhënë nga Urdhri i Mjekut, i cili verifikoi se mjeku në fjalë i kishte hequr një pacienteje pa dijeninë e saj njërën veshkë pas një operacioni të kryer në QSUT për heqjen e gurëve. Zyra Ago ishte operuar tek mjeku Kastriot Dautaj në vitin 2002 për heqjen e gurëve në veshka. Në atë kohë, operacioni rezultoi me sukses dhe pacientja u duk se i kaloi problemet shëndetësore. Mirëpo tre vite më vonë, shqetësimet filluan përsëri me një trompozë në këmbë. Gruaja 53-vjeçare nga Laçi u paraqit përsëri në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza" në Tiranë dhe bëri një eko veshkash, pasi kishte shqetësime. Gjatë vizitës, mjeku që po bënte ekon e pyet pacienten duke kërkuar të mësonte kohën dhe shkaqet pse ajo kishte hequr njërën prej veshkave të saj. "Shikoje mirë ekon sepse nuk është e vërtetë që kam hequr veshkën. Në vitin 2002 kam bërë operacion për heqjen e gurëve, por jo të veshkës", i është drejtuar pacientja mjekut që po realizonte ekon. Mirëpo konstatimi ka qenë i saktë, njëra veshkë mungonte në organizmin e 53-vjeçares nga Laçi. E cila menjëherë u ankua dhe denoncoi mjekun Kastriot Dautaj, që e kishte operuar. Sipas pacientes, ai nuk i kishte treguar asaj asgjë për heqjen e veshkës tre vite para se gruaja të mësonte për këtë fakt. Në vitin 2002 kur ajo kishte bërë operacionin, mjekët i kishin treguar të afërmve të saj në një garzë, gurët që kishin hequr nga veshkat e 53-vjeçares, duke mos i thënë asgjë për heqjen e organit. Pas denoncimit të gruas, Urdhri i Mjekut e verifikoi këtë rast. Mjeku Kastriot Dautaj pranoi se gjatë operacionit kishte hequr veshkën e pacientes, pasi ajo kishte dëmtime serioze. Ai pretendoi se pacientja kishte pasur dijeni për këtë fakt, por verifikimi i dokumenteve provoi se ajo dhe të afërmit e tij nuk kishin firmosur asgjëkund për këtë. Megjithëse mjeku tre vite pas këtij veprimi pranoi se kishte hequr veshkën, në vitin 2002, sipas pacientes, asaj nuk i ishte thënë asgjë para dhe pas operacionit për këtë fakt. Pas konstatimit të këtyre fakteve, Urdhri i Mjekut duke iu referuar edhe moshës së urologut të akuzuar nga pacientja, si dhe faktit se operacioni në veshka kishte dalë gjithsesi me sukses, bëri ndaj tij një paralajmërim për heqjen e licencës së ushtrimit të profesionit.

Familja ikën nga shtëpia, fqinjët: Mjeku i arrestuar na respektonte

TIRANE - "Mira, bashkëshortja e doktorit, nuk është në shtëpi. Ka dalë para gjysmë ore me të vëllain e saj. Nuk e di nga shkuan, tregon një grua rreth të 45-ave, në një apartament në katin e tretë të pallatit ku banon kirurgu Kastriot Dautaj, ndërsa flet për bashkëshorten e mjekut. Ajo tregon se e kishte parë të ngrysur në fytyrë gruan, ndërsa zbriste shkallët e shoqëruar nga i vëllai. Më tej e njëjta grua që banon në katin e tretë, një kat poshtë mjekut, tregon se ata e njohin atë si njeri të respektuar. "Na nderonte gjithnjë shkallëve", tregon gruaja me flokë të shkurtër të zezë. Më tej ajo thotë se dje nuk e kishte parë doktorin, por në mesditë kishte parë dy furgonë policie para pallatit që ishin parkuar aty dhe qëndruan disa orë. "Pamë që policët dhe disa civilë hynin e dilnin në shtëpinë e Kastriotit. Në drekë pastaj hapëm televizorin dhe morëm vesh në lajme se e kishin ndaluar". Kastriot Dautaj banon në katin e katër të një pallati të bardhë me tulla silikat në rrugën "Bardhyl", pranë ambulancës iraniane. Derën e blinduar nuk e hap askush, edhe pse zilja ushton nga krahu tjetër i saj. Një fqinjë në të njëjtin kat, me flokë të verdha me kaçurrela, pohon se kishte dëgjuar nga bashkëshortja se donin të iknin për fundjavë në plazh dhe ndoshta nuk janë kthyer ende. "Dëgjova të shoqen të thoshte të premten se donin të iknin për fundjavë në plazh, por nuk e di nëse kanë ikur vërtetë apo jo". Ismeti, një fqinj dhe pacient i mjekut kirurg, pohon se ishte operuar prej doktorit para një viti. "Kisha probleme me prostatën, por nga ndërhyrja e tij tashmë ndjehem shumë mirë. Kemi më tepër se 30 vite që jetojmë në këtë pallat dhe gjithmonë Kastrioti është munduar dhe na ka respektuar". I moshuari ndjen vapën shumë, por gjithsesi tashmë prostata nuk e mundon më, ashtu sikurse një vit më parë, falë ndërhyrjes së fqinjit të tij mjek.                          d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›