E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku klandestin, shkatërrohet rrjeti

"Truri" i një grupi që trafikonte klandestinë drejt Greqisë u arrestua dje nga policia e Korçës. Robert Halili, 34 vjeç, nga Kurbini u prangos bashkë me 24-vjeçarin dibran Alfred Leka, të cilët do të transportonin në mënyrë ilegale 21 persona. 

KORÇE/ JORGJETA GJANÇI

 Sipas burimeve zyrtare të policisë së Korçës, aksioni përfundoi me sukses, duke e çuar në 8 numrin e personave të kapur nga ky grup. Gjashtë prej tyre u arrestuan në fazën e parë të operacionit të koduar "Korça 24", ndërsa 2 të fundit shënuan përmbylljen me sukses të aksionit goditës së trafikut të qenieve njerëzore. Operacioni startoi më 27 prill të këtij viti nga Sektori i Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë të Korçës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Shtetit në Tiranë. Falë punës së mirëfilltë policore duke përdorur dhe metoda speciale të hetimit u arrit goditja e grupit të trafikantëve, ndër më të mëdhenjtë e viteve të fundit. Ata vepronin në disa qytete të vendit, duke planifikuar çdo detaj të trafikut, që nga organizimi, strehimi e deri në transportimin matanë kufirit të personave të interesuar. Në fazën e parë të operacionit u arrestuan 6 persona, nga Korça dhe Bilishti, të cilët prisnin dhe përgatisnin klandestinët për të vazhduar më tej drejt shtetit fqinj. Por, për policinë, bashkëpunëtorët nuk ishin vetëm ata. Pjesa më e madhe e klandestinëve, të kapur në kufi ose të riatdhesuar nga pala greke dëshmonin për të tjerë persona të përfshirë në grup. Pas rreth 3 muajsh u arrit në zbulimin dhe arrestimin në flagrancë të personave të tjerë, të cilësuar si organizatorët kryesorë të trafikut klandestin. Në afërsi të vijës kufitare u prangosën mbrëmjen e së dielës: Alfred Leka, 24 vjeç, me funksion shoqëruesin e personave që do të kalonin kufirin si dhe Robert Halili, 34 vjeç nga Fushë-Miloti i Kurbinit, i cili u identifikua si organizatori, (koka) i kësaj veprimtarie kriminale. Sipas policisë, kjo organizatë kriminale e zhvillonte veprimtarinë e saj duke gjetur persona, të cilët ishin të interesuar të kalonin në shtetin grek në mënyrë të paligjshme, kryesisht nga zonat veriore të vendit. Këta persona grumbulloheshin në Tiranë dhe pasi duke lëvizur nëpërmjet qytetit të Korçës strehoheshin në qytetin e Bilishtit ku më pas, nëpërmjet udhërrëfyesit kalonin kufirin me shtetin grek. Destinacioni i tyre final ishte Greqia dhe Italia. Përkundrejt këtij shërbimi, secili klandestin paguante nga 100-1500 euro për person. Në cilësinë e provës materiale policia bllokoi 6 automjete që përdoreshin për transportin klandestin, një makinë "Alfa Romeo", 22 celularë dhe një sasi të konsiderueshme parash.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›