Debat pa objekt
Në gjithë debatin, ose të ashtuquajturin debat që po zhvillohet këto ditë për mitizim-çmitizimin e figurës së Skënderbeut, na bie në sy një fenomen i çuditshëm: Debatuesit, sidomos ata më të nxehtët, nuk e kanë lexuar fare veprën që u bë shkak kontestimi: Monografinë “Skënderbeu”, të Oliver Jens Schmitt-it.
Në këtë vështrim, debati është i kotë, i tepërt, joprofesionist, johistorik. Ai është vetëm ideologjik. Personat e revoltuar që marrin të shkruajnë ose të flasin publikisht, nuk e kuptojnë figurën qesharake që bëjnë, sot në kohën e internetit, kur mufkat e tyre shpërndahen në eter qysh në sekondën që kapërcejnë pragun e botimit. Ata harrojnë se luftojnë me mjetet e ideologjisë dhe nacionalizmit një vepër historike par excellence, një monografi që i ka të gjitha cilësitë e shkencës serioze, e sidomos të mbështetura mbi një aparat të pazakontë dokumentues.
Në serinë e folësve johistorianë dhe diletantë të këtyre dy ditëve, kulmin e arriti padyshim shkrimi i djeshëm i Mira Meksit në “Shekulli”. Në këtë shkrim të mbushur kryekreji me erudicion, ku citoheshin ndër të tjerë këta autorë: Paul Ricceur, Georges Duby, Martin Heidegger, Hegel, Barthes, Canetti, Edgar Morin, nuk citohej asnjë fjali ose fjalë nga autori kundër të cilit drejtohej shkrimi, nga Oliver Jens Schmitt. Me asnjë radhë të saj, autorja nuk provonte se e ka lexuar veprën.
E pra, është krejt e qartë se jemi në stilin më të keq të kohës së komunizmit, kur kritikoheshin Freudi, Kafka, Prousti, Pasternaku, Solzhenicini dhe dhjetëra të tjerë, nga persona që nuk i kishin lexuar këta autorë, ose i kishte lexuar në mënyrë gjysmake, për një popull që edhe më pak kishte mundësi t’i lexonte.
Dhe situata është shumë e ngjashme. Në shqip nuk është botuar ende gjithë ajo krestomaci skënderbejane që vazhdon të mbahet në “dollapin e helmeve”: Nuk janë botuar as përmbledhjet e Hopfit, as ato të Jirecekut, Marinescut, Pallit, Radonicit, Valentinit, për të mos folur pastaj për monografitë e shënuara të Fallmerayerit, Babingerit, Ducellier-së etj., që janë pararendësit e Schmitt-it. Po të kishin sy, mend e dëshirë polemizuesit tanë për të njohur qoftë dhe një të dhjetën e këtyre veprave, atëherë do të kuptonin se Gjergj Kastrioti në to, nuk del aspak “i vogël, i pakët, i parëndësishëm”, përkundrazi shfaqet i madh, njësoj si në librin në fjalë, por me një madhësi tjetër, që nuk i ngjan asaj nacionalistes, ku kërkojnë ta fusin ideologët shqiptarë, dikur dhe sot.
Kjo polemikë e mjerë, në të vërtetë nuk meriton përgjigje. Përgjigjen e jep vetë publiku. Se sa nevojë kanë njerëzit tanë për të vërtetat e historisë sonë, kjo shihet nga suksesi i jashtëzakonshëm i librit “Skënderbeu”, të cilin lexuesit sot ta rrëmbejnë nga dora. Anatemimet e ideologëve të nderuar të kombit vetëm sa kanë shtuar kuriozitetin e publikut dhe vlerësimin që e meriton autori Oliver Schmitt, siç e meritoi edhe vjet me “Arbërinë venedike”. Edhe një herë shqiptarët provojnë se kanë nuhatje të saktë për librat e mirë dhe se kurrsesi s’do mund të hanin një sapun për djathë. Paralajmërimet e sapunxhinjve të vjetër janë të kota.
Një shënim i fundit për rojtarët e mitologjisë së Skënderbeut: Le ta lënë mënjanë Schmitt-in, në qoftë se e kanë me Ardian Klosin. Se, që e kanë me të një pjesë e mirë, kjo nuk do shumë mend, se që e kishte me të edhe shkarrashkruesja e djeshme, përfaqësuese par excellence e një klani të caktuar, mjaft të kujtojë i nderuari publik recensionin që pata botuar në “Shekulli” para nja dy vjetësh, “Ballo mbi tryezë”, për një romanin e saj të shpifur me titullin “Porfida”, ku trajtohej me po kaq mosnjohje sa dje, mesjeta e Shqipërisë, recension cili, me sa duket vazhdon t’i dhembë dhe sot e, kushedi për sa kohë do t’i dhembë, derisa më në fund ta kuptojë që nuk duhet të hyjë në fusha të huaja për të.