Toro: 25 miliard $ për ish-pronarët
Intervista/ Ish-pronarët janë të pakënaqur nga kompensimi që u bën ligji i legalizimeve dhe kërcënojnë se do ta çojnë këtë çështje në Gjykatën e Strasburgut
Sekretari i përgjithshëm i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Agim Toro, vlerëson se fondi i parashikuar nga qeveria për kompensimin e ish-pronarëve për vitin 2009 është i pamjaftueshëm për të arritur objektivin që brenda 2014-s të përfundojë të gjithë procesin. Ai shprehet i zhgënjyer për atë që qeverisja e djathtë bëri për shtresën e ish-pronarëve për këto 3 vite qeverisje, prandaj dhe paralajmëron një votë ndëshkuese në zgjedhjet e 2009-s.
Z. Toro, ju jeni vënë në dijeni, tashmë, të faktit se buxheti për vitin 2009, ka parashikuar një fond prej 5 milionë euro lidhur me ish-pronarët. Cili është qëndrimi juaj lidhur me këtë dhe a është ky fond i mjaftueshëm?
Në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave, thuhet se pronat që nuk kthehen janë ato prona që përdoren për interes publik, ato të ndara me ligjin 7501, që shteti ka vendosur të mos ua kthejë më pronarëve, por t’i kompensojë ato. Në ligj është përcaktuar që kompensimi i pronarëve të bëhen me çmimin e tregut dhe ky kompensim të mbarojë brenda 2014-s. Që nga viti 2005, fondet që janë përcaktuar në buxhetin e shtetit për këtë qëllim, ishin, në fillim 200 milionë lekë, pastaj 300 milionë lekë dhe, dy vitet e fundit, nga 500 milionë lekë. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka bërë shpërndarjen e këtyre mbi bazën e disa kritereve që kanë qenë kritere seleksionuese, në mënyrë që ta shpërndajë fondin në mënyrë sa më të drejtë. Që nga viti 1993, kur ka filluar të zbatohet dhe ligji i parë për kthimin dhe kompensimin e pronave, janë rreth 6000 vendime të marra nga komisionet vendore të kthimit dhe kompensimit të pronave në të gjithë rrethet e Shqipërisë. Pjesa dërmuese e këtyre vendimeve kanë qenë për kthim fizik, por ka dhe vendime për kompensim monetar, sepse toka bujqësore nuk u kthehej në asnjë rast pronarëve, por vetëm kompensohej. Megjithatë, përfshi edhe tokat troje, mbeten ende një masë dërmuese për t’u kompensuar financiarisht. Kështu pra, detyrimi që ka shteti për kompensim, është jashtëzakonisht i madh. Në përllogaritjet që ka bërë shoqata jonë, bazuar në çmimin e tregut, kjo vlerë shkon rreth 25 miliardë dollarë. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave është plotësisht e aftë që të bëj një bilanc të detyrimit që ka shteti për ish-pronarët. Para një viti e gjysmë, nën subvencionimin e OSBE-së është bërë dixhitalizimi i këtyre vendimeve, që janë rreth 6000, dhe është bërë e mundur që të përcaktohet se sa metra katrorë tokë bujqësore, apo të truallit, duhet të kompensohen. Nisur nga një përllogaritje e çmimit të truallit, mund të përcaktohet një vlerë e përafërt e detyrimit të shtetit. Por, është për të ardhur keq që të gjithë drejtuesit e AKKP-së, shumica e të cilëve nuk janë në detyrë tani, këtë shifër nuk e bënë publike asnjëherë, sepse vetëm në Tiranë, nevojat për kompensim janë 22 milionë metra katrorë tokë dhe, me një çmim mesatar, prej 300 euro metri, shkon tek rreth 6 miliardë euro vetëm për Tiranën. Pra, është absurde që ky fond, që është parashikuar edhe në buxhetin 2009, të jetë i pranueshëm dhe për të zgjidhur problemin. Fondet e lëvruara nga qeveria nuk janë asgjë krahasuar me atë që qeveria duhet të bëjë për ish-pronarët. Për këtë arsye, shoqata jonë thotë se ligji “Për kthimin dhe kompensimin e pronarëve”, në thelb është i pamundur, sepse zgjidhjen e shohim vetëm në kompensimin e pronarëve. Që në 2003-shin, ne kemi përgatitur një projektligj, për të cilin atëherë u bënë shumë debate, pasi përpjekja ishte që ky ligj të përzihej me ligjin e hartuar nga qeveria. Ne atëherë thamë se vaji me uthullën nuk mund të bashkohej dhe parlamenti miratoi ligjin “uthull”, që është ligji që kemi sot. Por, ajo që vlen të theksohet, është se ai u miratua mbi bazën e interesave qeveritare, pasi kompensimi nuk mund të realizohet nga askush. Në qoftë se ka vullnet politik, ne zgjidhjen e kemi dhe jemi të gatshëm të ulemi dhe të hartojmë ligjin e ri që bazohet mbi kompensimin fizik dhe që, njëkohësisht, t’u tregojë vendin gjithë të korruptuarve apo ineresaxhinjve që i kanë marrë pronat në mënyrë të paligjshme dhe i kanë marrë ato falas, apo me çmime qesharake.
Ndërkohë që qeveria ka miratuar udhëzimin për shpërndarjen e fondit 5 milionë dollarësh për procesin e kompensimit financiar, proces që pritet të konkludohet në muajin dhjetor, ç’farë mendojnë ish-pronarët për ecurinë e këtij procesi deri tani?
Po të shohim sesi do të shpërndahet ky fond, konstatojmë se janë disa kritere seleksionuese. Kriteri i parë seleksionues është ai që sanksionon se mund të përfitojnë ata pronarë, të cilët prona e tyre nuk mund t’u kompensohet 100 %. Në këtë mënyrë, ky kriter seleksionues është i shoqëruar edhe me kritere të tjera, si është ai i datës. Pra, përfiton mundësinë për t’u përzgjedhur pronari që ka marrë vendimin i pari midis konkurrentëve që i plotësojnë kushtet, që nuk kanë marrë tokë. Ai për shembull, i datës 1, arrin të përfitojë, ndërsa ai i datës 2, nuk arrin të përfitojë. Për mendimin tim, këto kritere seleksionuese që janë vënë, për aq fond që është, janë kritere të drejta, por gjithmonë janë seleksionuese, pra, nuk janë kritere që i shërbejnë ligjit, por manovra që bëhen në emër të ligjit për të shmangur atë dyndje të kërkesave që do të kenë pronarët. Por, pavarësisht kësaj, radhët janë ende dhe është për të ardhur keq që këtyre njerëzve u kërkohet edhe njëherë dokumentacioni nga e para, sepse është e pakuptimtë, pasi arkivat e AKKP-së i kanë këto dokumente dhe nuk është e nevojshme që qytetarët të marrin dokumente të reja, po nga këto zyra.
Z. Toro, procesi i legalizimit ka hyrë tani në një fazë konkrete, pasi ALUIZNI po shpall tashmë listat e personave që do të fitojnë të drejtën e legalizimit të pronës së tyre. Cili është qëndrimi juaj lidhur me këtë fakt, në një kohë që çështja juaj ende nuk ka gjetur zgjidhje?
Ligji i legalizimeve është një ligj që është kontestuar me forcë nga ish-pronarët, që në vitin 1998, kur për herë të parë kemi një ligj të legalizimeve dhe ku, në një projekt të Bankës Botërore, u vendos që pronarët e Bathores do të kompensoheshin në bregdet. Por, praktikisht, kjo nuk ndodhi, sepse demagogjia e qeverive në atë kohë ishte që vetëm të premtonin, por mos t’i mbanin kurrë ato që thoshin. Dhe pastaj, me ligjin e legalizimeve në 2004-n, që e gjeti fenomenin e legalizimeve në një stad të ri, që ishte ndryshe nga 1998-a, u synua të pengoheshin ndërtimet pa leje, por që në të vërtetë ky ligj shumëfishoi dhe i nxiti ato. Më pas u miratua ligji i 2006-s, që mori përsipër t’i legalizonte këta përfundimisht, duke përcaktuar dhe një shifër prej 350 mijë ndërtime pa leje. Këtë ligj, shoqata e kundërshtoi me forcë, duke thënë se t’i marrësh pronën dikujt dhe t’ia japësh dikujt tjetër, nuk është e drejtë, me çfarëdolloj çmimi. Në qoftë se individi nuk bie dakord, është shkelje, sipas Kartës Evropiane të të drejtave themelore të njeriut. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese, si një gjykatë politike, vendosi që ta quajë ligjin e legalizimit, si shpronësim për interes publik. Nga ky moment, sipas të gjitha standardeve evropiane dhe shqiptare, duhet që përpara se të fillojë procesi i legalizimeve, të zgjidhet problematika e marrëdhënieve juridike të pronarit me shtetin dhe pastaj shteti me ata që legalizohen. Në vendimin e 5 nëntorit të 2008-s për kompensimin e subjekteve apo pronarëve, për shkak të legalizimeve, u konstatuan dy fenomene interesante. Fenomeni i parë ishte që fondi për kompensimin e ish-pronarëve do të dilte nga fondi që ka AKKP-ja dhe jo nga legalizimet veta. Vendimi i qeverisë nuk thotë nga ALUIZNI, por vetë kjo agjenci premton se do të grumbullojë para dhe do t’i kalojë për ish-pronarët. Por, realisht, ka dalë një vendim qeverie që, për zbatimin e tij, nuk ka asnjë qindarkë. E dyta, themi çmimet e tregut dhe është për të ardhur keq që në atë vendim përmenden rreth 11 pronarë që i takojnë zonave të Vlorës, Shkodrës, Elbasanit dhe Tiranës dhe, çuditërisht, çmimet e Bathores ishin rreth 100 herë më të ulëta se ata në Shkodër, Vlorë apo Elbasan. Është një absurditet, një vlerë e tillë për Tiranën, kur vetë ligji dhe ALUIZNI thotë që toka trajtohet si tokë truall, t’i jepet çmimi i kullotës sikur kjo të ishte në Alpet e Shqipërisë dhe jo në kryeqytet. Kullota jepet me 141 lekë të rinj dhe që është e papranueshme, jo nga këta pronarë, por edhe nga gjithë pronarët e tjerë. Po të vazhdohet me këtë frymë, çështjet do të kalojnë në gjykata dhe në sistemin e drejtësisë. Pra, do të kalojnë në këto hallka për të kaluar më pas në Gjykatën e Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut në Strasburg, çka do të sjellë që procesi i legalizimit të bllokohet. Prandaj, ne kërkojmë dy gjëra: Qeveria duhet të vendosë fondet në përputhje me kërkesën e pronarëve lidhur me vlerën e tokës. Sa për fondin, nëse do t’i marrë nga ata që do të legalizohen, apo nga buxheti i shtetit, është qeveria ajo që e zgjidh këtë problem. Gjithashtu, të parapaguhen pronarët, se pronarët duhet paraprakisht të marrin ato të holla që duhet të bien dakord, sepse është një marrëdhënie drejtpërdrejt dhe vetëm atëherë mundet të fillojë procesi i legalizimit. Ky është qëndrimi i shoqatës prej vitesh dhe që nuk po kuptohet akoma nga politika, pasi e trajtojnë atë ende si një çështje politike.
Cili do të jetë qëndrimi juaj në zgjedhjet e 2009-s? A do të ndikojë në votën tuaj fakti që ish-pronarët, pas kaq vitesh, ende nuk kanë gjetur zgjidhje të çështjes së tyre?
A do të votojmë ne apo jo për të djathtën, kjo mbetet e vështirë për t’u thënë, pasi ato ideale të së djathtës që ka kapitalizmi i gjithë botës, nuk po respektohen në Shqipëri. Për mua, qëndrimet e dy partive që kanë marrë pushtetin dhe kanë drejtuar vendin nga 1991-shi deri më sot, kanë qenë regresive. Kjo është pasoja kryesore që detyrimisht çon në kriza, siç është kjo e tashmja që ne, detyrimisht, jemi ende larg NATO-s dhe BE-së, kur vende të tjera që kanë qenë shumë mbrapa nga ne, si Rumani e Bullgari sot, janë pjesë e familjes evropiane. Pasojat pra, janë të dukshme, të prekshme. E thanë qartë ambasadorët e huaj, anglez, gjerman e francez, pak kohë më parë se, investimet e huaja nuk mund të vijnë në vendin tonë, pasi ata thonë se nuk mund të investojmë në një vend që nuk respekton pronarin e vet. Prona është shtylla kryesore e ekonomisë.
Për kompensimin
“Për mendimin tim, këto kritere seleksionuese që janë vënë për aq fond që është, janë kritere të drejta, por gjithmonë janë seleksionuese, pra, nuk janë kritere që i shërbejnë ligjit, por manovra që bëhen në emër të ligjit, për të shmangur atë dyndje të kërkesave që do të kenë pronarët”
Për buxhetin
“Pra është absurde që, ky fond, që është parashikuar edhe në buxhetin 2009, të jetë i pranueshëm dhe për të zgjidhur problemin. Fondet e lëvruara nga qeveria nuk janë asgjë krahasuar me atë që qeveria duhet të bëjë për ish-pronarët. Për këtë arsye, shoqata jonë thotë se ligji “Për kthimin dhe kompensimin e pronarëve”, në thelb, është i pamundur, sepse zgjidhjen e shohim vetëm në kompensimin e pronarëve”
Për votën
“ A do votojmë ne apo jo për të djathtën, kjo mbetet e vështirë për t’u thënë, pasi ato ideale të së djathtës që ka kapitalizmi i gjithë botës, nuk po respektohet në Shqipëri. Për mua, qëndrimet e dy partive që kanë marrë pushtetin dhe kanë drejtuar vendin, nga 1991-shi deri më sot, kanë qenë regresive”
Për legalizimet
“Po të vazhdohet me këtë frymë, çështjet do të kalojnë në gjykata, çështjet do të kalojnë në sistemin e drejtësisë. Pra, do të kalojnë në këto hallka, për të kaluar më pas në Gjykatën e Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut në Strasburg, çka do të sjellë që procesi i legalizimit të bllokohet”