Situata në Kosovë
Kosova ka një problem seriozRreziku i ngrirjes së veriut mbetet në tavolinë dhe duhet kuptuar se Kosova ka një problem serioz me gjashtë pikat e Ban Ki Moon-it.
Pavarësisht se tash jemi shtet dhe mund ta konsiderojmë veten si shtet të njohur ndërkombëtarisht, ne nuk e kemi forcën që t’u kundërvihemi në mënyrë efektive dhe t’i heqim gjashtë pikat nga tavolina e bisedimeve. Prandaj, edhe ekziston rreziku që Kosova të jetë një problem permanent i rajonit.
Duke u ndërlidhur me ndikimin e gjashtë pikave, në veriun e Kosovës, qeveria duhet të marrë primatin në problemet e brendshme, pasi procesi po kthehet prapa, krahasuar me kohën e shpalljes së pavarësisë.
Të gjitha proceset jetike që kanë ndodhur në Kosovë këto nëntë muajt e fundit, është keq të thuhet, por pronësinë e procesit nuk e kemi pasur ne. Duhet të ketë plane, duhet të ketë kreativitet më të madh, duhet të punohet shumë më shumë, sesa që është menduar të kërkohet.
*Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Kosovë
---------------------------------As Kuvendi nuk mundet
Trajtimi i veriut të Kosovës si një çështje e ngrirë, do të hapte shumë probleme në Kosovë e përreth.
Sado që ne, në vazhdimësi, kemi bërë koncesione për serbët, megjithatë ata nuk janë ndarë të kënaqur dhe në vijimësi kanë dalë me kërkesa edhe më të mëdha, më ekstreme, të cilat nuk janë të pranueshme, sepse cenojnë sovranitetin dhe integritetin e Kosovës dhe, në këtë mënyrë, nuk po zgjidhet problemi.
Shtrirja e EULEX-it, pa përfillur Kushtetutën e Kosovës, nuk do ta kishte as përkrahjen e Kuvendit të Kosovës.Mendoj se unë, si deputet, nuk kam mandat që të marr një vendim që s’do të ishte në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe, natyrisht që, asnjë deputet nuk do të duhej ta pranonte një gjë të tillë dhe mendoj se nuk do ta pranojnë. Ne jemi deputetë, përfaqësues të popullit të Kosovës, të qytetarëve të saj, dhe jemi të obliguar ta respektojmë atë vullnet.
*Nënkryetar dhe deputeti i LDD-së, Kosovë