E Diel, 1 Nëntor 2026

Iku nga shtëpia, gjendet në Vlorë 14-vjeçari nga Durrësi

Vlorë-Është gjendur sot në qytetin e Vlorës, 14-vjeçari që iku nga shtëpia një javë më parë. Adoleshenti u largua pas një debati në klasë ku shokët e klasës e akuzuan atë se kishte vjedhur një telefon celular. I prekur në sedër, ai ka lënë shkollën “Nënë Tereza”, ku mësonte, duke u zhdukur në mënyrë të çudishme dhe duke lënë një letër në bankë me citatin “unë po iki se jam i padëshirueshëm”.

Të alarmuar mësuesit kanë njoftuar prindërit të cilët u vunë në lëvizje të ndihmuar nga forcat e policisë. Në gjithë qytetin e Durrësit u shpërndanë fletushka me foton e tij. Ku shënohej “kërkohet” dhe një numër telefoni i prindërve të tij.

Arratisja e Elis Fushës nga shtëpia zgjati një javë. Sot ai është pikasur nga një qytetar i Vlorës në afërsi të tregut të këtij qyteti. Qytetari e ka njohur fëmijën që kërkohej nga prindërit, pasi ka parë foton e tij në televizor. Menjëherë ka njoftuar me telefon sallën operative të policisë, dhe për pak minuta efektivët e policisë kanë kapur djalin e vogël.

Ngjarja u shënua në orët e mesditës, por nuk u bë publik nga policia deri në mbërritjen e prindërve të tij nga qyteti i Durrësit. Pas verifikimit rezultoi se bëhet fjalë pikërisht për 14-vjeçarin, nxënës i klasës së 9-të në shkollën publike “Nënë Tereza” të Durrësit. Në polici ai ka deklaruar se kam ikur pasi unë jam person i padëshirueshëm. Ndërsa ka mohuar të ketë kryer një vjedhje, siç e akuzuan shokët e klasës së tij. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›