E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një vështrim mbi buxhetin 2009

Tre vjet më parë, kur PD-ja erdhi në pushtet, unë, si shumë shqiptarë, i kam bërë vetes pyetjen: Në çfarë duarsh po binte vendi? Vendi kishte kaluar një fushatë surreale, në të cilën kryeministri premtonte që nga shkripëzimi i ujit të detit, tek mijëra kilometra rrugë e ura.

Premtonte nga zhdukja e korrupsionit, deri tek një cilësi jete që do ta kishin zili edhe vendet e zhvilluara. Këtë bëri edhe dy ditë më parë: Tha se shqiptarët kanë dalë të parët, jo vetëm në rajon e disa vende Balltike, po me rritjen ekonomike, pagat e pensionet dhe internetin, ua kanë kaluar dhe atyre evropiane. Foli shumë edhe për ullinjtë (!). Ky ishte premtimi i ri: 20 milionë ullinj (!)

Për të mos hyrë në gjithë premtimet, mund të thuhet me dy fjalë, deti vazhdon të jetë po aq i kripur sa më parë, çezmat e ujit po aq të thata, kurse korrupsioni i djeshëm është shumëfishuar, gjendja e shqiptarëve më keq se ç’ka qenë.

Në vitin 2005 u premtua një qeverisje në shërbim të njerëzve dhe u ofrua një qeverisje në shërbim të vetvetes, u premtua mirëqenie dhe u rrit vetëm mirëqenia e një grushti njerëzish të kupolës qeveritare, u premtua luftë kundër varfërisë dhe varfëria ka fytyrën e të mjerëve që mbyten në tentativë për të emigruar jashtë apo marrin bukën me listë si ndodhi në Ksamil, u premtua se do të mbështetej prokuroria në luftë kundër krimit dhe u luftua kundër prokurorisë. Këto janë disa nga dështimet që tregojnë se kjo qeveri që është sot këtu, ka shkelur kontratën me shqiptarët, për sa kohë që nuk u ofroi ato që u premtoi, kur u kërkoi votën dhe këtë e provon më së miri ky buxhet, i fundit i kësaj qeverie.

Do të mjaftonte vetëm Gërdeci, po për fat të keq lista e skandaleve është shumë e gjatë. Ky kryeministër ka akuzuar qeverinë e mëparshme për 1.4 miliardë lekë shkelje. Kontrolli lartë i shtetit thotë se kjo qeveri kaabuzuar 2.7 miliardë. Në çdo tre tendera, dy rezultojnë me shkelje. Mjafton kjo shifër për të thënë se korrupsioni nuk është ulur, por dyfishuar.

Sa u kushton kjo shqiptarëve, mjafton një llogari e thjeshtë: Po të ishte shmangur abuzimi i 2.7 miliardë lekëve, rritja e pensioneve të qytetit dhe fshatit mund të ishte dyfishuar (të paktën do të rriteshin respektivisht 20 dhe 30 %). Po të ishte shmangur abuzimi i 2.7 miliardë lekëve, mund të ndërtoheshin e pajiseshin 35 qendra shëndetësore në komuna. Pará që, sot, shëndetësia nuk i ka, se janë zhdukur në gropat e zeza të korrupsionit.

Eficenca e një buxheti matet se sa ai ka realizuar prioritetet që qeveria i ka vënë vetes dhe sa ai ka ndikuar në jetën e qytetarëve. Fondi Monetar, para dy javësh tha se ju u jeni larguar prioriteteve, pra, ky nuk është një konstatim vetëm i yni.

Buxheti i vitit 2009, provon qartë që qeverisja është larguar nga prioritetet arsim, shëndetësi, mbrojtje sociale: Premtuan ta çonin buxhetin e arsimit në 5% dhe e lanë atë 3.5 % të PBB-së. Premtuan shërbim shëndetësor të garantuar, cilësor dhe të ndershëm. Sot shërbimi shëndetësor nuk është as i garantuar, as cilësor, as i ndershëm. Shëndetësia sot, është katastrofa e vërtetë e kësaj qeverisje dhe me buxhetin e ri mbetet te 2.1% e PBB-së. Vetëm 2.1 lek në 100 lek. Qeveria solli ministre të re, po nuk i dha buxhet. Kjo është shifra më e ulët në rajon, që do të thotë se, në se sot shqiptarët shkojnë në spitale me ilaçe e batanije me vete, nesër s’do të kenë as krevat. Problemi i shëndetit nuk zgjidhet me përgjime ndaj mjekëve, po me rritje të buxhetit dhe reformimin e sistemit. Asnjërën nuk e kemi sot, as reformën, as buxhetin.

U premtua përgjysmim i varfërisë, por është varfëruar buxheti i Mbrojtjes Sociale dhe buxheti i fshatit ku jeton 58% e popullsisë. Ç’ka ndodhur me këto të dyja?

Buxheti social i vitit 2009 zë në PBB, 2% më pak se sa zinte në vitin 2005 (23.62% nga 25.22%).

Si do ta ulim varfërinë, kur kostoja e jetesës rritet, risku i krizës afrohet, ndërsa programet sociale jo.

Kush mund të më thotë sesi jetohet sot me këto çmime, me 3000 lekë në muaj ndihmë ekonomike që marrin njerëzit në nevojë? Ka familje në fshat që marrin 800 lekë. Kush mund të jetojë me to? Pa folur për pensionistët, të paaftët, invalidët që jetojnë nën minimumin jetik të varfërisë.

Kush mund të më thotë se çfarë shërbimesh të reja sociale, nga ato që u premtuan, janë hapur, qoftë edhe një, në këta tre vjet e gjysmë? Asnjë. Kush mund të na thotë se cili është modeli social që u ofron qeverisja sot shqiptarëve?

Kryeministri tha këtu se ky është buxheti i fëmijëve. A e di kryeministri që 32 % e atyre që janë nën moshën e punës, punojnë? A e di se ç’bëhet në Bulqizë, aty ku fëmijët rrëmihin në malet e kromit për të nxjerrë bukën e gojës? Ky është modeli social i qeverisë?

Shifrat në buxhet, flasin qartë: Është braktisur fshati. Harrohet që atje jeton shumica e popullsisë, mbi 1.6 milionë banorë. Si mundet një qeveri të injorojë shumicën e popullsisë së vet. Investimet në bujqësi zënë vetëm 2% të investimeve në vend. Vetëm 9 euro për frymë në vit. E dini sa japin vendet fqinjë për fshatin, se s’po krahasohemi me vendet e BE-së? Kroacia, 8 herë më shumë, edhe pse atje jeton vetëm 8% e popullsisë në fshat. Serbia u jep fermerëve 6 herë më shumë. Më shumë jep Maqedonia, Mali i Zi. E pra, në këto vende jetojnë më pak njerëz në fshat (8- 20%, këtu te ne, 58%).

Vetëm në zonën e Shpatit, afër 3000 familje fermere nuk ishin në gjendje të mbillnin tokën, për shkak të çmimeve. Vjelja e të ardhurave që kryeministri e konsideron “sukses”, ka bërë pjesën e vet në varfërimin e shqiptarëve. 75%e tyre vinë nga rritja e çmimeve, vijnë nga xhepat e shqiptarëve. Shkoni shihni dyqanet sa njerëz hyjnë në to. Janë bosh. Varfëria dhe depresioni u lexohen njerëzve në sy.

Me buxhetin e paraqitur, qeveria na thotë që do të bëjë në 6 muaj atë që nuk e bëri dot në tre vjet e gjysmë. Por, i vetmi kujdes në këtë buxhet janë interesat elektorale, që u janë vënë në kurriz, shqiptarëve.

*Kryetare e Grupit Parlamentar të PSSH-së

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›