Debat për "Heronjtë e Vigut",ikin te Varret e Dëshmorëve
SHKODER / RITVAN DIBRA
Monumenti i "5 Heronjve të Vigut" që ndodhet në qendër të qytetit të Shkodrës do të zhvendoset pranë Varrezave të Dëshmorëve. Ky ka qenë vendimi i Këshillit Bashkiak të Shkodrës në mbledhjen e tij të radhës, i cili me 27 vota pro dhe me 9 kundër miratoi zhvendosjen e monumentit të 5 heronjve për t'ia lënë vendin një shatërvani modern.
Përveç kundërshtimeve që hasi kjo lëvizje, ajo do të shoqërohet edhe me një faturë financiare, e cila do të duhet për rikonstruksionin e plotë të varrezave. Në vendin e "5 Heronjve" do të ndërtohet një shatërvan bashkëkohor, i cili do t'ia ndryshojë akoma më shumë pamjen këtij sheshi. E megjithatë marrja e vendimit për përcaktimin e një vendi tjetër për monumentin madhështor të "5 Heronjve" nuk ka kaluar pa polemika. Ashtu dhe sikur pritej, edhe pse në parim pothuaj të gjithë ishin dakord për zhvendosjen e monumentit të "5 Heronjve të Vigut", debati më i madh ishte gjetja e një vendi tjetër, por që i përkon me rëndësinë për të cilën ato kanë si pjesë e historisë sonë kombëtare, debati mori ngjyrime politike. Me propozim të sektorit të urbanistikës pranë Bashkisë Shkodër, këshilltarëve u është bërë e qartë se në përputhje me planin urbanistik të qendrës së qytetit të Shkodrës të miratuar nga KRRT-ja e Republikës që në vitin 2004 është vendosur largimi i monumentit të "5 Heronjve të Vigut" dhe në vend të tyre do të ndërtohej një shatërvan. Prandaj urbanistika kishte sjellë edhe propozimin për tre sheshe të tjera ku mendohej se mund të vendoseshin sërish monumenti. Kryebashkiaku Lorenc Luka dhe përgjegjësja e zyrës së urbanistikës, Aida Shllaku, ndërsa kanë paraqitur projektin e shatërvanit të ri, janë munduar që t'i sqarojnë këshilltarët se nuk bëhet fjalë për heqjen fare të monumentit apo denigrimin e figurës së tyre, por vetëm me një zhvendosje të tij. Prandaj janë propozuar tre vende të tjera: te Varrezat e Dëshmorëve, lulishtja pranë universitetit, si dhe lulishtja te shatërvani pranë shkollës së mesme të përgjithshme "28 Nëntori". Këshilltarët e majtë e kanë quajtur këtë propozim një denigrim të luftës antifashiste dhe cenim të kujtimit të të rënëve të saj. Ndue Doda, këshilltar i PS-së u shpreh se propozimi ka prapavijë politike me qëllim denigrimin e këtyre personazheve, fakt që nuk e nderon Shkodrën. Në fund të debateve është bërë edhe votimi i propozimit për vendosjen e këtij monumenti pranë Varrezave të Dëshmorëve, i cili mori 27 vota pro.