Koçi: Vendi po drejtohet nga korrupsioni konsensual
Kryetari i 'PS '91' tha dje në Kuvend se shteti po drejtohet përmes një sistemi konsensual korruptimi. "Kapja e shtetit, e politikës nga 2-3 njerëz, instalimi i monopoleve është sanksionuar tashmë në Kushtetutë. Demokracia, republika, Kushtetuta dhe prona publike janë katandisur te çmimi 1 euro", tha Koçi. Sipas tij, "listat e kandidatëve për deputetë, dikur të rakorduara paraprakisht me zgjedhësit, janë tashmë pronë e kryetarëve, duke e bërë më të lehtë përfshirjen e përfaqësuesve të krimit të organizuar në politikë". "Marrëdhëniet shumicë-pakicë nuk ndërtohen më nëpërmjet konkurrimit dhe garës kushtetuese, por nëpërmjet shkesit modern të quajtur Këshill i Rregullimit të Territorit. Morali politik konsensual që buron nga këshillat qendrore dhe lokale të rregullimit të territorit, sponsorizon një teatër politik, të cilin shtetasit e paguajnë me taksa lokale dhe qendrore, një teatër në të cilin njëri vëlla bën sikur qeveris dhe tjetri sikur bën opozitë. Por këtë teatër shqiptarët e paguajnë jo vetëm me taksa, por edhe me viktima. 26 të tilla, në 15 mars të këtij viti dhe 1 tjetër më 12 shtator", tha Koçi. Sipas tij, krimi i organizuar ka arritur një fitore dhe pret shanse të reja. "Në emër të një përgjegjësie ndryshe, kërkoj që të merren masa të rrepta sigurie për dëshmitarët e Gërdecit dhe trafikut të armëve, të pandehur ose jo! Pinari dhe Delijorgji dinë shumë! Ka interes me bazë të gjerë politike që ata të heshtin. Por shteti duhet të bëjë detyrën. Jo më si me Kosta Trebickën për përgjegjësi të prokurorisë dhe qeverisë"! tha Koçi.