E Diel, 1 Nëntor 2026

Pëllumbi: Jo bebe në krahët e Bules

 

Aristir Lumezi

Profesori i socialistëve, Servet Pëllumbi, u shpreh dje se nuk do t'i bashkohet partisë më të re socialiste. I pyetur nga gazeta "Panorama", nëse do t'i përgjigjet pozitivisht ftesës së bërë nga 'Partia Socialiste '91', Pëllumbi la të kuptohet se nuk ka ndërmend të largohet nga Partia Socialiste. "E falënderoj partinë e re për ftesën që më bënë, por si socialist preferoj të jem 17-vjeçar dhe jo 'bebe' në krahët e Petros dhe Bules", tha Pëllumbi. Kryetari i partisë më të re, Petro Koçi, u shpreh dy ditë më parë se, "vlerëson gjithashtu edhe kontributin e Pëllumbit, Meidanit, Agollit dhe qindra socialistëve të thjeshtë në të gjithë vendin". Dy ditë më parë, një grup socialistësh, ish-deputetë dhe ish-anëtarë të forumeve qendrore në PS, kanë krijuar partinë më të re të majtë 'PS 91', e cila është vazhdim i Lëvizjes për Politikë Institucionale. Kryetari i saj, Petro Koçi, e transformoi Lëvizjen për Politikë Institucionale në një subjekt politik, duke ftuar të gjithë socialistët e vërtetë, sipas tij. Shumica e anëtarëve të grupit themelues, sipas burimeve, rezultojnë të jenë përkrahësit e ish-kreut socialist Fatos Nano, të cilët që në mbledhjen e parë konstituese, kërkuan dhe vendosën që teserat e firmosura nga ai të vazhdojnë t'i konsiderojnë si dokumente bazë anëtarësie, pa qenë nevoja për të marrë një dokument të ri. Edhe simboli i kësaj partie do të jetë ai i Partisë Socialiste të vitit '91, duke treguar me këtë rast se janë ata trashëgimtarët realë të subjektit më të madh të opozitës shqiptare. Duke folur për figura historike të PS-së, Koçi i ftoi të gjithë ata të kontribuojnë në partinë e vërtetë socialiste, sipas tij. "Ne mendojmë se figura të tilla që përfaqësojnë kapital të rëndësishëm politik si Fatos Nano, duhet të jenë pjesë e proceseve politike në vend. Ai është dhe mbetet një vlerë politike, kontributi i të cilit në politikë është i mirëpritur. Ne prandaj jemi një parti e ndryshme nga ajo e Ramës, pasi nuk jemi parti e përjashtimit, por e njohjes dhe e vlerësimit të figurave, që i kanë dhënë jetë e profil modern Partisë Socialiste në vite, të cilën kryetari aktual e ka transformuar në sensin më negativ të mundshëm", tha Koçi. Sipas tij, partia e sapokrijuar është parti gjithëpërfshirëse, krejt ndryshe nga Partia Socialiste që drejton Edi Rama, mbi bazën e të cilës është politika përjashtuese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›