Gërdeci, Balla: Bumçi, emrin e djalit të shefit në shkresë
Bledar Hoti
Raporti i “Transparency International” dhe ngjarja e Gërdecit janë përsëri objekti i debateve mes maxhorancës dhe opozitës në Parlament. Opozita e ka cilësuar si qesharake qëndrimin e maxhorancës për raportin në një kohë kur korrupsioni më i madh lidhet me ngjarjet e Gërdecit. Deputeti i PS-së, Taulant Balla, deklaroi se, “Është qesharake të dëgjosh fakte apo fjalime që thonë që në këtë vend, pikërisht këtë vit të jetë ulur korrupsioni, kur në këtë vit ka ndodhur tragjedia më e tmerrshme për shkak të korrupsionit, sikurse ishte tragjedia e Gërdecit, Një ministër, i cili në fakt duhet të jetë më i drejti, firmosi në një shkresë zyrtare në lejen e biznesit të Gërdecit, emrin e shefit të vet”. Sipas tij, “dëshmitë e reja të bëra publike natën e së hënës nga televizori, rikonfirmuan shqetësimin dhe hetimet përtej Atlantikut, se me dijeni të plotë qeveritarë shqiptarë i shisnin Departamentit Amerikan të Mbrojtjes fishekë dhe municione të tjera kineze me ambalazhime “Made in Albania”. “Punëtorët e thjeshtë të Gërdecit zbardhën për publikun shqiptar, natën e errët të 19 nëntorit, të fshehjes të së vërtetës së trafikut, natë e cila mund edhe të kishte parandaluar tragjedinë e dhimbshme të Gërdecit, në rast se në urdhër ministror nuk do të ishin fshehur të vërtetat që fshiheshin qoftë në Gërdec, qoftë në Rinas”, theksoi Balla. Në këtë debat është përfshirë dhe ministri Sokol Olldashi, i cili ka shigjetuar kryebashkiakun Edi Rama. “Opozita të tregohet realiste dhe të bëhet pjesë e zhvillimeve pozitive në vend. Momente shumë pozitive për Shqipërinë që kanë ardhur nga liberalizimi i tregut dhe lufta kundër korrupsionit. Megjithë rezultatet, problemet sërish nuk mungojnë, sidomos në fushën e lejeve të ndërtimit, por ato i ka në dorë pushteti vendor dhe kryesisht Bashkia e Tiranës. Raporti “Si të bësh biznes” i BB-së e rendit Shqipërinë mjaft keq në lejet e ndërtimit, ku ajo pozicionohet në vendin e 170 nga 181 vende. Sigurisht, kjo është përgjegjësi e qeverisjes vendore dhe këtu peshën kryesore e zë Bashkia e Tiranës, që qeveriset nga kryetari i opozitës”, deklaroi Olldashi. Deputeti i PD-së, Aldo Bumçi, tha se “Shqipëria ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit dhe këtë e fakton TI-ja në raportin e fundit. Banka Botërore dhe TI-ja kanë vlerësuar kthimin që po bën Shqipëria në fushën e biznesit dhe atë të korrupsionit”. Demokratja Lajla Përnaska e konsideroi luftën kundër korrupsionit, “një sfidë serioze të qeverisë”. Balla ka reaguar sërish, duke deklaruar se, “askush nuk ka dyshim që krimi shtetëror i Gërdecit ka për autor ata që kryenin trafikun ilegal të armëve, ata që bënin ligje në dobi të këtij trafiku”. “Ju zoti Bumçi, si ministër i Drejtësisë, keni firmosur vendimin për ta kthyer Gërdecin në një fabrikë vrastare. Mbi atë vendim keni shënuar emrin e të birit, të shefit tuaj”, u shpreh Balla. Ndërsa ministri Bode, duke iu referuar raportit të TI-së shtoi se, “sukseset e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit janë rezultat i vullnetit politik të qeverisjes ‘me duar të pastra’”. “Maxhoranca e sotme e shndërroi korrupsionin nga një fenomen, që ishte pjesë e strukturave të shtetit, në një fenomen që duhet luftuar në mënyrë permanente dhe sistematike. Antikorrupsioni nuk është demagogji. Rezultatet e reformave në arsim, në sistemin e taksave, prokurime, licencat etj., janë të prekshme, edhe ato janë pjesë e kësaj lufte”, u shpreh ministri.
Debatet
Taulant Balla: Është qesharake të dëgjosh fakte apo fjalime që thonë që në këtë vend, pikërisht këtë vit të jetë ulur korrupsioni, kur këtë vit ka ndodhur tragjedia më e tmerrshme për shkak të korrupsionit, sikurse ishte tragjedia e Gërdecit.
Sokol Olldashi: Megjithë rezultatet, problemet sërish nuk mungojnë, sidomos në fushën e lejeve të ndërtimit, por ato i ka në dorë pushteti vendor dhe kryesisht Bashkia e Tiranës. Sigurisht, kjo është përgjegjësi e qeverisjes vendore dhe këtu peshën kryesore e zë Bashkia e Tiranës, që qeveriset nga kryetari i opozitës.
Aldo Bumçi: Shqipëria ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit dhe këtë e fakton TI-ja në raportin e fundit. Banka Botërore dhe TI-ja kanë vlerësuar kthimin që po bën Shqipëria në fushën e biznesit dhe atë të korrupsionit.
Taulant Balla: Ju zoti Bumçi, si ministër i Drejtësisë, keni firmosur vendimin për ta kthyer Gërdecin në një fabrikë vrastare. Mbi atë vendim keni shënuar emrin e të birit, të shefit tuaj.