E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkollat greke në minoritet, Memushi: Po greqizohet territori

 

Marrëveshje mes Shqipërisë dhe Greqisë për hapjen e 16 shkollave greke shkaktoi debate ndërmjet ish-ministrit të Arsimit, Genc Pollo dhe deputetëve socialistë Vangjel Tavo dhe Luan Memushi. "Jam i detyruar të denoncoj për të disatën herë politikën e ndjekur nga qeveria aktuale për sa i përket arsimimit të fëmijëve në komunitetin grek. Drejtuesit e Ministrisë së Arsimit po mundohen të mbulojnë politikën e tyre të mbrapshtë, paaftësinë dhe korrupsionin që u ka zënë derën me deklarata shabllone nën  petkun e një zemërgjerësie të shtirur, se gjoja po mbajnë shkolla hapur me 1, 2, 3 ose 4 nxënës. Këta zotërinj harrojnë se ka rreth 10 ditë që ka filluar viti shkollor 2008-2009 dhe fëmijët në shkollat e minoritetit, janë akoma pa tekste shkollore", deklaroi deputeti i PS-së, Tavo. Por zv.kryeministri Pollo deklaroi se, "ka padituri ose injorancë në lidhje me këtë situatë". "Për minoritetin është kryer një politikë e re, një kosto e re, duke i favorizuar në shitjen e librave për shkak të numrit të vogël të nxënësve". Por socialisti Luan Memushi ka cilësuar si "gabim që librat në gjuhën greke të mos përkthen në Shqipëri, duke u përkthyer nga shtetas grekë dhe qeveria greke". "Denoncoj politikat lidhur me arsimin e ndjekur nga qeveria lidhur me arsimin për zonat e minoritetit. Ky përqendrim favorizon hapjen në mënyrë djallëzore të shkollave private greke në zonat e minoritetit. Kjo do të thotë se nuk do të ketë mundësi shteti të ndërhyjë dhe ky është një farë greqizmi i shkollës dhe i territorit. Dëshiroj që në këto pazare të mos jetë përzier qeveria, por personi përgjegjës", theksoi Memushi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›