E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imazhi i kulturës dhe kultura e mllefit

Arian ÇANI 

Para disa ditësh lexova një  shkrim të Fatos Lubonjës me titull: “Kultura e imazhit ... dhe mungesa e kulturës”. Nëse do ta sintetizoja me dy fjalë shkrimin, në thelbin e tij qëndronte ideja (ose mungesa e idesë, ku ta dish) që kundërshton idenë e Artan Fugës, se në Shqipëri ka një konflikt brezash si pasojë e ndryshimit të llojit dhe niveleve të komunikimit. Lubonja që, përveç gjithçkaje tjetër, qenka edhe sociolog, me siguri që duhet t’i dijë mirë këto punë, meqë i di të gjitha. Se po të mos i dinte, natyrisht që nuk do fliste kot. Kjo është edhe arsyeja që ndenja dhe e lexova me kënaqësi të madhe shkrimin e tij. U kënaqa aq shumë saqë s’do ta kisha marrë kurrë mundimin ta prishja këtë kënaqësi pasive të të lexuarit e të ulesha për të shkruar këto radhë, sikur të mos më vriste syrin në mënyrë të përsëritur e këmbëngulëse, në rreshtat e artikullit të Omnidijetarit, emri im dhe i emisionit që bëj vetë.
Nuk e fsheh aspak që një prirje e lehtë narciziste më bëri që, fillimisht, të ndihesha krenar teksa shikoja emrin tim të shkruar kaq herë nga penda e intelektualit të madh. E ç’fat tjetër më të mirë nga ky, thashë me vete, mund të pretendojë një njeri si unë që s’bëj gjë tjetër veçse “një emision banal dhe vulgar”? Kjo ndjesi ma lartësoi figurën time para syve të mi. Mendova se nuk qenkam edhe aq pa vlera, se “Zonë e lirë” nuk është vetëm “një emision banal dhe vulgar”, përderisa një mjeshtër i mendimit të kulluar si Lubonja po e përmend si një nga fenomenet më përfaqësues të epokës sonë audiovizive. Në shkrimin e tij, krahas mikut tim Fuga, ndjehesha shumë mirë edhe midis figurash të tilla si Borges-i, Hitleri dhe Umberto Eco. Në atë çast kuptova se njeriu universal më kishte kushtuar të njëjtën rëndësi, e ndoshta edhe më tepër, sa edhe Fugës, Hitlerit, Borges-it apo Eco-s. Kuptova që i kishte ndjekur të gjitha emisionet e mia pa i hequr sytë asnjë çast prej ekranit të televizionit që ai e anatemon kaq shumë. Kuptova gjithashtu se ai mezi priste çdo të premte mbrëma për t’u ulur para televizorit, duke lënë mënjanë librat e tij të dashur dhe autorët e tij të preferuar për të parë “Zonën e Lirë”.
Mirëpo, më pas, pasi m’u fashit disi kjo valë ngazëllimi, ajo që më mbeti ishte një shije e keqe që më la mllefi i pafund i këtij njeriu ndaj gjithkujt dhe gjithçkaje. Natyrisht, edhe shumë faj nuk ka. Nuk është se Lubonja ka kaluar ndonjë jetë për t’u patur zili dhe vitet më të bukura të jetës i ka kaluar në burgjet e komunizmit. Dhe kjo nuk është pa pasoja. Me sa duket, pasoja më e rëndë është përjashtimi. Ky ithtar i madh i lirive dhe të drejtave të njeriut mezi pret rastin të përjashtojë nga “Republika e tij e Mllefit” të gjithë ata që nuk i pëlqejnë dhe që nuk mendojnë si ai. I është përveshur herë Kadaresë, herë George W. Bush-it, herë Ed Ramës, e plot të tjerëve. Kësaj here i përjashtuari i radhës ishte Fuga. Dhe në ç’mënyrë e përjashton pa: “Jam thelbësisht në kundërshtim me këto ide të Fugës, madje, po e them që në fillim, e shoh këtë shkrim si shenjë dorëzimi të mëtejshëm të inteligjencës shqiptare ndaj një sistemi të bazuar mbi kulturën e manipulimit të publikut që vetëm në dukje ka ndryshuar, por në thelb është vazhdim i sistemit të vjetër”. A thua se u bë qameti që Lubonja është thelbësisht në kundërshtim. Lubonja me sa duket nuk e ka marrë vesh akoma që në fushën e opinioneve çdo ide mund të jetë e kundërshtueshme nga një tjetër, mund të zëvendësohet nga një tjetër, mund të anulohet nga një tjetër, ose mund të plotësohet nga një tjetër. Po mirë, po që të përjashtosh gjithçka që nuk të përshtatet, a nuk është në thelb vazhdim i sistemit të vjetër?
Po ky Lubonja vetë, xhanëm, që s’la gazetë pa shkruar e ekran televizioni pa dalë, a nuk është edhe vetë pjesë e sistemit të bazuar mbi kulturën e manipulimit të publikut? Ah, jo. Fuga është. Ky Lubonja nuk manipulon. Ky ka monopolin e së vërtetës. Sipas të gjitha gjasave, Lubonja do donte që të gjithë ne, njerëzit e medias, të bënim emisionin “Opinion”, ku ai të dilte e të ligjëronte dhe gjithë të tjerët të dëgjonin gojëhapur xhevahiret e tij. Dhe mirë e ka. Sepse me siguri që ky emisioni i Fevzos është sui generis, ndërsa gjithë të tjerët të imituar. Do t’i sugjeroja Fatos kompetentit, meqë duket se e ka për zemër Borges-in, të lexonte prej këtij të fundit edhe tregimin Pjer Menari, autor i Kishotit. Mbase do ta kuptonte që nuk ka imitim, që nuk mund të bëhen dy gjëra njëlloj, sepse uji i lumit të Heraklitit rrjedh. Mirëpo, ndonëse i di të gjitha, Omnidijetari nuk i kupton të gjitha.
Por më e bukura e gjithë këtyre është që, si dhe shumë gjëra të tjera në këtë vend, këto “të vërteta të mëdha” Lubonja i thotë me seriozitet të madh. A thua se gjithë dynjaja ishte duke pritur me veshët ngritur se cili do të ishte vallë qëndrimi që do mbante Lubonja ndaj ideve të Fugës. Ky njeri që qahet nga emisionet që e bëjnë gjithë ditës qesharak, nuk arrin ta kuptojë që qesharak bëhesh kur je vërtet i tillë dhe jo kur qesh nëpër emisione. Qesharak bëhesh kur kujton se ke monopolin e së vërtetës; kur përjashton zërin e tjetrit; kur kërkon t’u imponosh të tjerëve standardet e tua.
Fatos, njih vetveten, do thoshte Sokrati, pastaj merru me të tjerët! Meqë ra fjala, Lubonja e di, meqë i di të gjitha, që Sokrati nuk shkroi asgjë gjatë gjithë jetës. I pëlqente fjala dhe sidomos dialogu. Sipas logjikës së Lubonjës, i bie që Sokrati të jetë më i rrezikshëm se Hitleri (meqë ky i fundit na e ka lënë të paktën një libër). Lubonja, si dikush që i di të gjitha, e di edhe vazhdimin: Sokrati nuk pranoi të arratisej e t’i shpëtonte vdekjes dhe piu helmin, duke dhënë kështu shembullin më të shkëlqyer të respektimit të vendimit të shumicës, pra, të demokracisë. Ky ishte Sokrati, njeriu që nuk besonte te librat, por te dialogu. Ndërsa Lubonja, me ç’po shohim, nuk ka ndërmend as të respektojë demokracinë, e, aq më pak, të pijë helmin. Dhe kështu që s’do na lerë rehat asnjëherë duke na treguar të vërtetat e mëdha dhe duke ndjekur çdo të premte mbrëma, i shtangur para televizorit, emisionin tim “Zonë e lirë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›