Debat për listat

Komisioni kuvendar për ndryshimin e Kodit Zgjedhor pritet që kësaj jave të diskutojë për përcaktimin e koalicioneve partiake, por edhe për të ndryshuar pragun elektoral. Në Kodin Zgjedhor aktual parashikohet regjistrimi i dy mënyrave të koalicionit, ajo e daljes me lista të përbashkëta dhe ajo me lista veçmas. Sipas anëtarit republikan të Komisionit për Reformën Zgjedhore, Arian Madhi, më shumë e rëndësishme për t’u diskutuar është çështja e listave. Sipas tij, duhet të lihen të dy opsionet, në mënyrë që edhe partitë politike kur të futen të koalicion, të përcaktojnë vetë sesi do të dalin në zgjedhje, me lista të përbashkëta apo me lista të veçuara. Ndërsa për çështjen e pragut, Madhi thotë se kjo nuk përbën ndonjë rëndësi të veçantë, pasi me sistemin e ri zgjedhor, atë proporcional rajonal, pragu është i variueshëm dhe thjesht do të redaktohet pjesa e cila e përcakton 4 për qind pragun për koalicionet parazgjedhore. “Koalicionet mund të jenë që secila parti e vogël ka listën e saj, edhe pse është në koalicion, por është edhe mundësia tjetër teorike e listave të përbashkëta, që nuk ka pse të pengohet apo të hidhet poshtë. Ata mund të jenë opsione të Kodit, dhe vetë subjektet zgjedhore do të mund të përcaktojnë pastaj qëndrimin e tyre sesi do të përfshihen në procesin elektoral”, thotë Madhi, i pyetur se cili prej opsioneve është më i preferueshëm nga ana e partive të vogla. Çështja e listave të përbashkëta të partive politike në zgjedhjet e ardhshme është diskutuar disa herë në tryezën e koalicionit të djathtë. Sikurse është deklaruar pas ndryshimit të sistemit zgjedhor, kryeministri Sali Berisha u ka premtuar aleatëve të tij daljen në zgjedhje me lista të përbashkëta, që do të mbante në “lojë” disa nga partitë e vogla. Vetë partitë e vogla e kanë kundërshtuar sistemin proporcional rajonal dhe deri në momentet e fundit para votimit ato e kanë kundërshtuar. Ndërsa qëndrimi i tyre ka ndryshuar në momentin e votimit, kur ata votuan pro sistemit të ri. Një ndër çështjet që ka mbetur pa u përcaktuar akoma dhe që pritet që të ngjallë, debate është ajo e mënyrës së numërimit të votave të partive të vogla. Një ndër propozimet e së djathtës pritet që të jetë ajo e koalicioneve rajonale, ku partitë e vogla do të bashkojnë votat, për të nxjerrë së bashku minimumi një deputet për secilin rajon. Megjithatë, kjo nuk do t’u interesonte shumë krerëve të partive të vogla, për të cilat më e leverdishme do të ishte që sistemi proporcional rajonal të kishte karakter kombëtar, gjë që do të garantonte edhe qenien e tyre në Kuvend. Një mundësi tjetër është edhe ajo e një koalicioni me lista të përbashkëta me PD-në, ku në krye të listës do të ishin krerët e partive.