E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëmasakrohet i dehuri, e ëma në grahmat e fundit

Genc Gjinaj gjeti dje vdekjen, pasi i ra nga dora një granatë mësymëse, së cilës i kishte hequr siguresën, teksa kërcënonte nënën e tij. Pak muaj më parë, 38-vjeçari që e kishte shumë qejf alkoolin, u divorcua nga e shoqja për këtë arsye

LEZHË - Rreth 7 muaj më parë, alkooli i kushtoi atij familjen, pasi bashkëshortja me të cilën kishte 4 fëmijë i kërkoi divorcin për shkak të këtij vesi, ndërsa rreth mesnatës së të shtunës, përsëri për shkak të pijes së tepër, ai gjeti vdekjen dhe la pas nënën e tij që po lufton për të mbijetuar nga plagët në Spitalin Ushtarak. Genc Gjinaj, 38 vjeç, banues në zonën e quajtur “Lagjja e Currajve” në Lezhë, u kthye pak para mesnatës së të shtunës në gjendje të dehur në shtëpi. Gjendja e të birit bëri që sërish në familjen Gjinaj të fillonte sherri dhe Genci nisi të debatonte ashpër me të ëmën, Marie Gjinajn, të cilën e kërcënonte me një granatë që mbante në dorë. Gjatë debatit mes tyre, gruaja 65-vjeçare i kërkonte të birit të hiqte dorë nga alkooli, sepse kishte katër fëmijë, por në një moment fatal, granata mësymëse me siguresë të hequr tashmë, i ra Gjinajt nga dora, me ose pa dashje, kjo vështirë të zbulohet ndonjëherë, duke shpërthyer menjëherë. Si pasojë gjeti vdekjen vetë autori i ngjarjes, 38-vjeçari Genc Gjinaj, ndërsa ndodhet në gjendje të rëndë për jetën në Spitalin Ushtarak në Tiranë e ëma e tij. Pas shpërthimit kanë qenë fqinjët e familjes Gjinaj, ata që transportuan me urgjencë 65-vjeçaren drejt spitalit të Lezhës, e prej andej në Spitalin Ushtarak. “Maria kishte djegie të shumta, ndaj është shumë e vështirë që ajo të mbijetojë, edhe pse u dërgua për ndihmë të specializuar në Spitalin Ushtarak”, thanë bluzat e bardha të spitalit të Lezhës. Policia lokale shkoi menjëherë në vendngjarje, duke rrethuar vendin ku ndodhi shpërthimi. Të njohurit e viktimës bënë me dije se katër fëmijët e viktimës Genc Gjinaj ndodhen në emigracion, ndërsa pritej që ata të vinin ditën e djeshme për të përcjellë për në banesën e fundit babanë e tyre. Që prej 7 muajve të fundit, kohë kur Genc Gjinaj mësohet se ishte ndarë nga bashkëshortja dhe ishte rikthyer në Lezhë, ai jetonte vetëm me nënën e tij 65-vjeçare. Nga ana e policisë është konstatuar se shpërthimi ka ndodhur si pasojë e lëndës plasëse të papërcaktuar, ndërsa për shkak të pozicionit të kufomës dhe dëmtimeve të shumta të tij, mendohet që vetë viktima të ketë kryer aktivizimin e granatës.

E lanë të vdekurin 10 orë pa lëvizur

Blutë e Komisariatit të Lezhës në momentet e para pas shpërthimit të granatës mësymëse, nuk e lëvizën viktimën nga vendi i ngjarjes, për shkak se i trembeshin idesë se poshtë trupit të 38-vjeçarit Genc Gjinaj ndodhej ende ndonjë granatë tjetër e pashpërthyer, e cila mund të aktivizohej me lëvizjen e tij. Për këtë arsye, u nevojitën specialistë të policisë të ardhur nga kryeqyteti, për të bërë të mundur nxjerrjen e kufomës nga banesa, rreth orës 10:00 të ditës së djeshme. Banesa e familjes Gjinaj u shkatërrua thuajse totalisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›