E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohet letra e panjohur e Fan Nolit: Dua një grua, por që të ketë para

Suplementi UNE GRUAJA 

ANILA MEMA

Noli, beqari i përjetshëm... iu kushtua  revolucionit, fesë, studimeve, muzikës, letërsisë... dhe nuk u martua kurrë. Por a ishte kjo një zgjedhje e tij? Jeta të sjell të papriturat e veta, dhe mund të ndodhë që një njeri ta shohë veten pa një grua në krah e fëmijë rreth e qark. Kështu i ndodhi Fan Nolit... kurse Shpëtim Sala, autori i librit “Fan Noli, letra të panjohura” rrëfen detaje interesante dhe të panjohura për këtë aspekt privat të jetës së Nolit... i cili mesa duket i është përgjigjur dy mblesërive që iu bënë për të marrë një grua, edhe pse nuk u martua ndonjëherë.
Sa vjeç ishte Fan Noli kur iu bënë mblesëritë?
Atë kohë Noli ishte 25 vjeç. Flasim për vitin 1907, kur ishte në Nju Jork. Ai mbërriti aty në 1906, dhe punët e para që bëri sapo shkoi ishin me lëvizjen e shoqërive patriotike në Nju Jork. Dihet  tashmë se në Amerikë, Noli u lidh shumë me Sotir Pecin, me gazetën “Kombi” që botohej në Boston, e ndihmoi atë në përgatitjen e shkrimeve të ndryshme që u botuan, por njëkohësisht ai mori pjesë edhe në shoqërinë “Malli i mëmëdheut”, që ishte krijuar në 1 janar 1906 në Boston. U bë një nga drejtuesit e saj. Më vonë krijoi shoqërinë “Besa-Besa” në 1907 dhe i organizoi shqiptarët dhe u zgjodh dhe kryetar. Qëllimi i kësaj shoqërie ishte mbledhja e ndihmave, botimi i librave, i gazetës, më vonë doli dhe gazeta dielli.
Cilat ishin kandidatet e mundshme me të cilat mendohej që Noli do të martohej?
Dy vajza ishin kandidate që mund të bëheshin priftëresha. Njëra ishte në Misir, në Kajro. Këtë ia kishte rekomanduar Thanas Tashko dhe nëpërmjet letrave mësohet se vinte nga një familje e pasur. Për të cilën ideja e tij ishte që para se ta merrte të pajisej me një sasi të hollash, rreth 100 stërlina, (të verdha ose ar), dhe me pajë veç të tjerash. Ndërkohë një tjetër variant për martesë ishte, një vajzë nga Sinica, që jetonte në Amerikë dhe shumë më e varfër nga ajo e para e Egjiptit.
Çfarë preferencash kishte Noli për gratë? Sa e rëndësishme ishte për të që gruaja e tij të ishte e bukur?
Ai dëshironte që nusja e tij të ishte me prikë, të kishte para, të rridhte nga një familje e pasur dhe nuk kishte shumë dëshirë të martohej me një vajzë të varfër, pavarësisht se ai nëpër letra vë re që mburret dhe thoshte: që unë do ta mbaj vetë (e ka fjalën për gruan e mundshme). Por faktet edhe letrat tregojnë se ai shpesh ra në gjendje jo të mirë ekonomike. Mjaftojnë të lexojmë letra të tjera të Nolit dhe dallohet qartë.
Sa i përket pamjes së jashtme, nuk është se Nolit nuk i pëlqenin gratë e bukura. Kur bëhet fjalë për martesën, për nusen e tij të ardhshme, ai kërkon një fotografi ta shohë. Në një letër ai shprehet: “Duhet të mejtohesh pakëz sa martes’e tmerruarë është kjo që të marrësh një çupë që s’e ke parë kurrë, si Çifutët e vietër dhe të kupëtosh lartësin’ e therores që bëj për çështjen tonë. Këto janë mjaft më duket që t’ju bindin që nuk los cingëla”. Noli e pëlqente të bukurën, pasi kishte shpirt artisti dhe normalisht e pëlqente këtë gjë edhe tek femrat.
A kishte Noli ndonjë preferencë për shqiptaret, a dëshironte të martohej me ndonjë të tillë?
Me sa di unë jo. Por të rralla janë ato martesat që janë bërë në atë kohë në Amerikë. Po të shohim listat emërore që na vijnë të personave që kanë bërë pjesë në shoqëri patriotike, gjithë emigrantët ishin djem, pasi ata nuk merrnin me vete as motrat as gratë e tyre. Me femra përbëhej vetëm shoqëria “Ylli i mëngjesit”. Dhe mundësia e Nolit për të gjetur një vajzë aty ishte shumë e pakët, qoftë edhe shqiptare.
Po ç’ishin femrat për të. Ç’mendonte, ç’kërkonte, cilat ishin marrëdhëniet e tij me femrat në përgjithësi?
Me sa kam arritur të kuptojë mes këtyre letrave, vë re që Noli i pëlqente faktikisht vajzat. Gjatë kohës kur ndodhej në Napoli shprehet se aty sheh vajza të bukura, nëpër plazhe apo edhe në rrugë, por të njëjtën gjë thotë dhe sa zbret në Nju Jork, ku sheh një ambient tjetër, më të çlirshëm se në Egjipt, vihet re ndjesia e tij për femrat. Megjithatë më vonë ai gjatë letrës, fut edhe një shprehje në fund: unë kam një mision tjetër dhe nuk kam ardhur për këtë punë. Ndërkohë për marrëdhëniet me femrat nuk di të përgjigjem, pasi nuk kam ndonjë të dhënë për lidhjet me to.
Teksa lexojmë letrat mësojmë se Noli thotë: Jam i zoti ta ushqej një grua dhe kurrë do mos i ap të drejtën të qahet. Për çfarë e ka fjalën këtu...?
Për të rëndësi kishte të merrte një grua me prikë dhe të verdha, për t’u bërë prift. Ndërkaq më vonë shkruante në letrat dërguar Thanas Tashkos se për ta mbajtur atë, do të punonte, si në fabrikë po aq edhe nëpër hotele të ndryshme për të larë pjatat.
Në korrespondencën e tij flitet për lidhjen me një nuse, e cila dhe ajo do të bëhej priftëreshë. Nuk bëhet fjalë për një nuse tjetër, bashkëjetesë në jetë civile, se jeta e priftërisë, ka rregulla të tjera dhe normalisht ai do të kërkonte një nuse ortodokse dhe ai shpesh thoshte: “Unë me ato shërbime që do të bëj në kishë edhe me këtë numër të shqiptarësh që kemi këtu do të kem mundësi ta mbaj këtë grua”. Por faktikisht këto ishin disa mburrje të Nolit, pasi ai asnjëherë nuk u bë i pasur, edhe shtëpinë në fund të fundit ia blenë, edhe librat e tij ia botuan me ndihma. Ne shohim në rreshta të shumtë në veprat e tij, emra që kanë kontribuar për botimin e tyre. Noli nuk ka paguar vetë.
Gjatë letrave lexojmë që në shumë raste Noli i referohet vjehrrës, (sigurisht duke shtuar në dashtë fati të jetë vjehrra e tij). Pse pikërisht asaj dhe jo vjehrrit, cilat ishin marrëdhëniet e kohës nënë-bijë apo babë-bijë?
Në rastin e vajzës nga Misiri, ndoshta ajo nuk e ka pasur të atin dhe Noli i referohet vjehrrës. Nuk di çfarë të them. Por ndoshta nënat e asaj kohe ishin ato që ndikonin te vajzat e tyre që ato të pranonin ose jo burrin e ardhshëm se sa babai.
Çfarë vlere kishte martesa për Nolin? Sa e rëndësishme ishte për të krijimi i familjes?
Noli e dinte shumë mirë se ç’po bënte. Ideja për t’u martuar ishte se duhej të bëhej prift dhe prift pa priftëreshë nuk mund të jesh, qoftë edhe një prift i thjeshtë. Megjithatë Noli në një letër shkruan: Porsa të vinjë episkopi Rus do shkoj në New York do t’i ngjitem si këpushkë gjer sa të më shenjtërojë. Do më thuash pa një peshë dhe pa priftëreshë. Tani një dhe një bëjnë dy. Keni priftëreshë aty me 100 lira? Dërgojeni në çast. S’ka priftëreshë, dërgoni vetëm lirat, le të jenë dhe më pak se 100, pa bëhem prift ose pa priftëreshë.....
Pse kaq këmbëngulës ndaj parave? Ç’marrëdhënie kishte me paranë? Në ç’konkluzion mund të arrihet nga letrat që keni gjetur?
Letrat janë shkruar në momentet e fundit, para se të bëhej prift dhe normale që do të kërkonte një vajzë/priftëreshë jo me shumë para, por dhe jo fare pa para. Duke pasur lekë, ai mund të korruptonte mitropolitin rus, Platonin, mund ta merrte me të mirë për t’u bërë prift edhe nëse nuk martohej, sikurse dhe ndodhi më vonë.
Pse s’u martua Noli me vajzën nga Egjipti apo Sinica. Dhe pse nuk u martua asnjëherë?
Thanas Tashko, nuk arriti dot t’ia realizonte këtë qëllim Nolit, që ai duhej të bëhej prift dhe të kishte dhe priftëreshën. Këtë ia kërkonte edhe episkopi rus, Platoni. Por me sa duket arsyet që nuk u realizua martesa dhe ai ngeli i pamartuar ishin të ndryshme. Ndoshta nuk janë gjetur paratë për udhëtimin nga Egjipti në Amerikë ose nëna e vajzës mund të mos ketë pranuar. Duhet të lexojmë edhe letrat e Thanas Tashkos, drejtuar Fan Nolit, dhe atëherë do të ishte çdo gjë më e plotë. Ndërsa për vajzën nga Sinica në letrat e tij, Noli të linte të kuptohej se ai e mbante si rast rezervë, pasi ajo nuk ishte e pasur. Por arsyet pse nuk arriti të martohej dhe me atë, nuk shpjegohen në këto letra.
...Sakaq, Fan Noli, në një letër tjetër shprehet: “Më mirë që nuk u martova, sepse unë kështu do të bëhem peshkop”.

Boston Mass 14 mars 1907
I dashur Zot
Ju shkrova dy letra të cilat jua dërgova bashkë dhe ju rrëfenja me ç’kondicie nga ana ime mund të mbarohet ajo sër’e priftëreshës Misirleshë. Me-qenë-se s’na mbetet përpara kohë shumë dhe duhet në është për të bërë, të nisem unë që këtejza pa fiale pas Shën-Gjergjit për aty, prandaj ju shkruaj që, po të jetë që s’bëhet ajo tiatra d.m.th. të vinjë vetëm këtu nusia që të shpëtojmë nga harxhet, të mirri vesh me viehrën të m’i marrë përsipër harxhet e udhës dhe të më dërgoni porsa t’a mirrri këtë letrë pa vonim fare 50 lira, jo më pak, se siç ju thashë dhe tiatër  herë, nukë vinj aty unë si evgjit. 20 lira janë vetëm navllat, 10 lira të paktën për rroba se këtu në Amerikë mbeta pa këshimë, pa brekë dhe pa këpucë dhe duhet të ndrohem që më krye gjer në funt. 10 lira më duhen se do të shkoj nga Parisi të piqem me Aladron dhe të shëkoj mos i këput gjëkafshë për sërën e priftërisë dhe 10 lira të kem harçllëk kur të vinj në Misir. .......... 
..........
Bëj hesap pastaj. Tashi s’duhet të kemi shpresë të bëhem milionar, po gjithë që priftëresha ime do të shkojë si pak priftëresha shkonjë këtu dhe gjetkë. Të quanj të potershme nga ana ime dhe bëj dhe fol si të duash, veç të mbarohet kjo punë, 100 lira të marrë aty në Misir dhe 50 këtu n’Amerikë para Shën-Gjergjit, ose 90 në Misir dhe 50 këtu. Të këtushmet nukë zbresin. Në je patriot, bëju dhe ca më tepër dhe mbaroje këtë punë dhe t’ap uratën.
Fan Noli
P.S. Në mos e mbarofsh këtë punë fot’të mallkoj. Po munt të më thuash se mallkimi im nuk të zë, pa u bërë prift. Po unë them që zë, se në mos jam tani prift i Kishës, po pa fjalë jam prift i Shqipërisë. Dhe kij kujdes

Noli i shkruan Thanas Tashkos

Boston Mass 2 mars 1907
I dashur vëlla
E mora letrën tuaj No. 2 përmbi priftëreshën me gjithë telegraf të z. V. Logorit dhe me-qënë-që mënova pak t’ju dërgojë përgjigjen në No. 1,ja se ku shkruaj dhe përgjigjem plotësisht dhe jua dërgoj të tëra bashkë. Nuk di si t’ju ngjatjetoj që të dyve, or të nderçim haëagatë, që u përkujdestë për këtë punë dhe më shkruat kaqë shpejt.
Që të kuptohemi më mirë, ju them që shkaku që nukë shëkova këtë të Neë Yorkutdhe ju porosita të shiko ju atie është se këtu në Neë Yorkut s’ka të holla fare dhe në ka, do të ketë të paka. Po si më shkruani ju andej të vij aty t’a marr nusen dhe të kthehem prapë n’Amerikë është më keq, po të jetë që të zbresim tërë këto harxhe nga ato të zezat 100. nuk do bëj hesap të madh. Të pakën 30 lira duhen që të vij, përveç 100 ose 150 dollarëve të cilat do përpiqem, të huhen këtejza që të bëj nonjë palë rroba, se jam si aman o Zot, se kurrë do mos e bëj kabull të vij në Misir si lypës/ dua të vij si më ka hie. Po në Misir me 46 lira dhe vajta gjer në Napoli në klas të tretë dhe dolla në Neë York me 10 lira në xhept. M’ato 10 lira pastaj që do të më mbeten nga të njëqindat ç’të bëj më parë? 10 lira në Neë York s’na arrijnë të dyve as për dy javë dhe unë siç ju shkruaj në letrën tjatër duhet të rri të paktën dy muaj në Neë York që të bëhem prift se duhet të mësoj dhe pak Rusçe do s’do.
Prandaj thuajini viehrës s’ime (në dashtë fati im) që s’ka përveç dy udhë, që unë nuk ëvij dot aty  t’a marr çupën e botës me kafe dhe ku të dalë le të dalë.
1)    Ose të vij vetë çupa këtu, me të njëqindat, të cilat dot’jenë kapital i pa-ngarë i priftërisë.
2)    Ose të vij unë aty t’a marr nusen, po viehra e dashtun  duhet t’i heqë harxhet e mia gjer aty dhe q’andej të pakën gjer në Bukuresht bashkë me nusen
të tëra këtro me kllas të dytë.
..........................
Jam i zoti ta ushqej një grua , atë e dini shumë bukur, hyj në fabrikë
më së fundi, vete nër hotelet dhe laj  piatat. Kurrë do mos i ap të
drejtën të qahet. Po çe do, kur qëllimi do mbetet i pambaruar?
Duhet ti ipi viehrës së dashtun të kupëtojë që s’është sëra për
martesë këtu, po për punë dhe puna do  para. Vërtet me 100
lirat martohena po qefil për mua? S’është pun’e lehtë, e di,
po cila pun’e mirë është dhe e lehtë? Mblidhuni tre a
katër veta  dhe bëjeni. Merr’eni përsipër.
A mos pandehni se u tërbuash për tu marrtuar? Kjo gjë
bëhet se e kërkon puna, dhe këty s’ka Shqiptarka. U
mbarua! Kaqë fjalë s’dini t’i thoni priftëreshës?
......................
Priftëreshës tani ti thoni: “Është një sërë e këtillë
dhe e këtillë: ep 100 të verdha përveç navllave
dhe një fotografi hde do të përpiqemi t’a bindim
a atë t’Amerikës që të mos marrë tiatër!! Thuajini
pasandaj rëndësin’ e punës që do të marrë
përsipër, se dunet ditur që nukë dot’a siell
këtu që të dëfrejmë, po që të punojmë.

Korrespondencë

Vedati, një letër dashurie
Ishin tepër të rinj asokohe dhe kishin bërë një udhëtim në Itali. As të fejuar nuk ishin. Ama ndodhi që fjetën bashkë një natë, në të njëjtën dhomë hoteli... Ngjan pak e çuditshme për mentalitetin e kohës. Po ku pyesin të rinjtë. Tek e fundit dëshmuan se ishin të kujdesshëm.
Fjala është për Vedat Kokokën dhe gruan e tij të ardhshme, Nirin. Të nesërmen ajo iku, kurse djaloshi i ri dhe i dashuruar i shkroi një letër: “Mbrëmë kur rashë të flija në shtratin tim, pranë shtratit ku fjete ti, nuk ishte e mundur të më zinte gjumi. Jam kthyer dhe rrotulluar shumë herë në shtratin tim dhe, më në fund, u ngrita dhe u shtriva në shtratin tënd, për të marrë erën tënde dhe që të më dukej sikur kisha ikur unë dhe jo ti dhe këtë zbrazëtirë që më ke lënë në shpirt ta kesh ti e jo unë”...

Poradeci, kërkon lejen e nënës
Lasgush Poradeci u njoh me gruan e tij të ardhshme në vitin 1937. Një grup poeteshash të shkollës “Nëna Mbretëreshë” vizitojnë një ekspozitë aty ku Lasgushi jepte mësime vizatimi. Para këtij takimi ai kishte lexuar poezitë e Nafijes. Drejtori i shkollës ia prezantoi.
Pas dy vitesh, Lasgushi i shkruan të ëmës: “Nëna ime e dashur, duke dashur të martohem me një çupë pe shkolle që më ka hije, kërkoj lejën t’ënde. Eshtë një lesh-verdhë e hollë, ashtu siç më pëlqen mua, por më shumë se këto më pëlqen mendja dhe shpirti i saj. Unë me çupën jam njohur përpara dy vjetëve kur ajo ishte nxënëse në klasën e tetë…”. Dhe historia vazhdon...

Dhimitër Pasko, poezi nga burgu
Eftipi Skëndo ishte një nga vajzat më të bukura në Korçë. Punonte mësuese në gjimnazin e qytetit. Dhimitër Pasko, ose siç njihet Mitrush Kuteli, ishte ajka e elitës së qytetit. U martuan në 1946 dhe patën tre fëmijë.
Një vit pas martesës, në 16 maj 1947, Mitrush Kutelin e burgosën dhe e dërguan në kampin shfarosës të Vloçishtit në Maliq. Prej andej Kuteli i shkruan gruas një poezi ku i kërkonte të largohej nga ai. “Kaq afër jemi, por kaq larg,/ Të lutem mos më prit/ Na ndajnë terre rreth e qark/ Dhe yll për mua s’ndrit”... por çifti nuk u nda.

Ditari i Dhimitër Shuteriqit
U njohën në mal. Mynever dhe Dhimitër Shuteriqi qenë partizanë. Me çlirimin edhe u martuan dhe jetuan bashkë jo pak. Gruaja ruan kujtimet për burrin e jetës së saj. Tek shfleton ditarët e tij, thjesht verifikon dashurinë që e ka rrethuar gjatë viteve të jetës... në një fletë ditari, në 21 qershor të vitit 2001 Shuteriqi shkruan:
“Sot, Myneveri mbushi 77 vjeç. Dhe mua më dukesh po e re! Memoria, humori, gjallëria e saj, po njësoj. Është shëndoshur pak, po jo si njerëzit që trashen e rëndohen me moshën, përkundrazi, i vete. Kur vinte, në rini të saj, dita e lindjes të saj, 21 qershori, - Dita e parë e Verës, kjo ditë, le të ishin pjekur qershitë e mushmollat e fiqtë shëngjinës, i sillte përsëri freskinë e saj të habitshme, veç e përtërin sot, nuk e plak…”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›