E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skënderbeu kthehet te fitorja pas 4 javësh

 

Skënderbeu vazhdon të ruajë kryesimin e Kategorisë Superiore edhe pas javës së 9-të të saj, pasi korçarët kanë fituar të shtunën 3-1 në Bilisht ndaj Luftëtarit. Skuadra e drejtuar nga trajneri Renato Rapo kryeson në kuotën e 20 pikëve, dy më tepër se Gramozi, që kapërceu pësimin e një goli dhe mposhti në fushën e vet Sopotin me rezultatin 2-1. Laçi ka mbetur në vendin e tretë, me 14 pikë, pasi u mund 2-0 në Krujë nga Kastrioti, që është ngjitur në vendin e 7-të të renditjes, me 12 pikë. Pas humbjes në Korçë, Luftëtari mbetet në vendin e katërt me 14 pikë, një më tepër Burreli, që u nda me rrjeta të paprekura në Skrapar me skuadrën vendase, dhe Turbina që fitoi të premten 2-1 në Cërrik ndaj Besëlidhjes. Pavarësisht humbjes në Ersekë, Sopoti mbetet në vendin e 8-të, me 13 pikë, një më tepër se Tërbuni, që mposhti dje Bilisht Sportin me rezultatin 2-1. Ngjeshja në mesin e renditjes nënkupton se Dajti, që aktualisht mban vendin e 10-të me 12 pikë, mund të ngjitet në vendin e tretë të renditjes, nëse arrin të mposhtë sot Naftëtarin, në ndeshjen që do të luhet në Kamëz. Nga ana e tyre, kuçovarët janë në vendin e 12-të, kuotën e 10 pikëve, një më pak se Besëlidhja, por një pikë më tepër se Ada, e cila ka luajtur një ndeshje më pak. Velipojasit kanë udhëtuar drejt Pogradecit, ku do të përballen sot me skuadrën vendase, në një duel me rëndësi për mbijetesën në Kategorinë e Parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›